Zelensky sot në Tiranë, cili është historiku i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Ukrainës

23
Sigal

Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt, 2022, Shqipëria ishte rreshtuar përkrah Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetje të Ukrainës.

Në kuadër të kësaj mbështetjeje janë miratuar disa vendime, që lejojnë shtetasit e Ukrainës të hyjnë dhe qëndrojnë pa leje të qëndrimit në Shqipëri për një periudhë njëvjeçare.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) për vitin 2022, nga 32 mijë ukrainas që hynë në Shqipëri pas nisjes së luftës, rreth 2.500 qëndruan edhe përtej 2022-tës në këtë vend.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha në janar të vitit të kaluar se Shqipëria do të hapë një ambasadë në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Megjithatë, një gjë e tillë nuk u realizua ende.

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 13 janar, 1993, ndërsa Ukraina ka hapur ambasadën e saj në Tiranë në shtator të vitit 2020.

Ambasador i saj është emëruar Volodimir Shkurov, i cili është ende në detyrë.

Në rajonin e Odesës në Ukrainë jetojnë rreth 3.500 shqiptarë.