Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit/ Kllouni Kryebashkiak ka filluar të pëlqejë lojën e xhonglimit me MOLLË

283
Në vijim të abuzimeve të vazhdueshme me fondet dhe pronën publike, Kllouni Kryebashkiak ka zgjedhur rolin më të ri, atë të xhonglimit të Mollës.
Kjo, duke marrë në konsideratë Fushën e gjerë të cirkut pa çadër, që në dukje të lë përshtypjen, sikur ai po i largohet.
Në këtë kuadër, xhonglimi i radhës i Kllounit Kryebashkiak është sa ekstraligjor, po aq edhe në shpërdorim të detyrës.
Në kushtet e një gjëndjeje të rënduar ekonomike, ku ndodhet vendi për shkak të pandemisë, ky Klloun merr iniciativën për të krijuar një sh.a, me aksioner të vetëm Bashkinë Tiranë.
Po çfarë ka ndodhur, që Kllouni Kryebashkiak merr këtë hap të nxituar dhe lajmi është mbajtur në fshehtësi të plotë?
“Dashnori” i kryeqytetit, për të shprehur adhurimin, që ka për këtë të fundit, shoqërinë e re e ka quajtur TIRANA DC.
Se çfarë nënkuptojnë inicialet DC, nuk e marrim përsipër ta shpjegojmë, por na bie në sy, që regjistrimi i kësaj shoqërie është kaluar në heshtje edhe nga mediat e ndryshme.
Para se të analizojmë problemet e rënda dhe serioze, që ka krijimi i kësaj sh.a, shqetësimi dhe pikëpyetjet tona lidhen me faktin, se:
– Kush e mori vendimin për krijimin e kësaj sh.a dhe a është relatuar qëllimi i krijimit të sh.a-së?
– A ka një vendim të Këshillit Bashkiak për këtë iniciativë dhe kur daton ky vendim?
– Nëse ka patur një mbledhje dhe vendim të KB, a është njoftuar më parë rendi i ditës në lidhje me krijimin e sh.a?
Tashmë dihet, që në Bashkinë Tiranë dhe, rrjedhimisht edhe në Këshillin Bashkiak të saj,
vendimet merren nën ndikimin e paligjshëm të Kllounit Kryebashkiak. Po ashtu pjesa më e
madhe e tyre nuk publikohet në faqen zyrtare të kësaj bashkie.
Të jesh Kryebashkiak nuk do të thotë, se je pronar i Bashkisë, aq më pak i Tiranës, ndërkohë që nuk ke marrë as 8 % të votave në votimet e datës 30.06.2019.
Në këto kushte, marrja e këtij vendimi jo vetëm është qartazi vendim antiligjor, por rezultati i
veprimeve, që është shkuar në këtë vendim, lidhet me veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe efektet, që pritet të japë, janë ato të korrupsionit aktiv e pasiv, me pasoja të rënda në Buxhetin e Shtetit.
Shkeljet ligjore apo veprimet korruptive në lidhje me këtë sh.a do të jenë pjesë e hapave të mëtejshme të AMT-së, dhe ky nuk është qëllimi i këtij shkrimi.
Me këtë shkrim synojmë t’u sqarojmë mbështetësve tanë objektivin kryesor të Kllounit Kryebashkiak në lidhje me këtë sh.a.
Që në hyrje të ekstraktit historik (fotot nga 1 – 5) na bie në sy vlera e kapitalit në kuotën
50,000,000 lekë (kapital i konsiderueshëm për një subjekt të ri), ndonëse kapitali i derdhur në
bankë është 16,666,667 lekë.
Vetvetiu pyetjet, që lindin me këtë rast janë: – Pse nuk është derdhur e gjithë shuma e kapitalit?
– A janë zbatuar kërkesat e Nenit 114 të Ligjit Nr.9901, datë 14.04.2008, “Për Tregtarët dhe
Shoqëritë Tregtare”?
– Nuk ka fonde të mjaftueshme Bashkia për të derdhur gjithë kapitalin e parashikuar?
– Mos vallë kjo ka të bëjë me lojërat, që di dhe bën shpesh Kllouni Kryebashkiak?
Të gjithë e mbajmë mend “tërheqjen” nga Fusha e negociatave me palën private në muajin shkurt 2020, me argumentin, se Teatrin do ta ndërtonte me fondet e shtetit.
Nuk kaloi pak dhe më datë 21 maj 2020 tha, se shumë shpejt do fillonte punimet.
Kaluan muajt dhe Kllounit Kryebashkiak dita ditës po i mbyllej çdo derë institucioni kredidhënës ndërkombëtar.
Erdhi nëntori dhe rezulton, se Kllouni nuk ka fonde.
Nga njëra anë, Kllouni Kryebashkiak po krijonte një sh.a në fushën e ndërtimit dhe jo vetëm kaq.
Nga ana tjetër, kërkon nga Buxheti i vitit 2021 fondin 36 milion Euro për ndërtimin e Teatrit të Ri.
Dhe cirku vazhdon.
Vazhdon, nëse shikon objektin e aktivitetit të TIRANA DC sh.a, e cila ka një diapazon aq të gjerë, që do ta kishin zili edhe kompanitë më të fuqishme vendase dhe të huaja.
Kur lexon objektin e aktivitetit të sh.a, lehtësisht kupton jo vetëm papërgjegjshmërinë e një zyrtari në raport me detyrën dhe pronën publike, por kupton edhe përmasat reale të korrupsionit, ku janë zhytur Kllouni me shokë, në përpjekjen për të mbajtur karrigen e duke marrë përsipër
pastrimin e parave, që janë produkt i veprave penale.
Pse e themi këtë?
Mjafton të lexosh atë pjesë të aktivitetit, ku sh.a merr përsipër të kryejë çdo aktivitet, që lidhet me pronën (paragrafi i mesit, faqe 2), si ajo e pengut, leasing-ut, hipotekës etj., duke konfirmuar katërcipërisht atë çfarë thamë më sipër, se sjellja e Kllounit Kryebashkiak është si në pronë të tij apo të trashëguar.
Çfarë do të ndodhte, nëse këtë veprim do ta ndërmerrnin të gjitha bashkitë?
Ligji e lejon një veprim të tillë, për sa kohë që sh.a është si pjesë e domosdoshme e një
institucioni dhe jo për të justifikuar veprimet e paligjshme dhe korruptive të drejtuesit të
institucionit, edhe pse i duket se është në pronë të tij.
Pasojat e rënda, që sjell kjo sh.a me aksioner Bashkinë, qëndrojnë në faktin, se:
1. Prish ekuilibrat në treg;
2. Prish balancat Ofertë – Kërkesë;
3. Shuan dallimin e aktivitetit privat nga ai shtetëror.
Thënë kjo pasi, në treg sh.a e Kllounit Kryebashkiak do të jetë jo vetëm e vetëpërfshirë 100 %
në një pronë, por do ndikojë negativisht në shoqëritë simotra private, të cilat nuk bëjnë pjesë në rrethin e miqësisë së tij.
Nëse nuk e keni harruar, parapërgatitja e kësaj situate filloi me rastin e dhënies nga Kllouni
Kryebashkiak të pronave në pronësi të bashkisë firmave të ndryshme të ndërtimit kundrejt një % të rënë dakort, njësoj si një pronar i zakonshëm trualli.
Ndryshimi qëndron, se këto kontrata Kllouni Kryebashkiak i ka bërë mbi prona, të cilat kanë paturndërtesa ekzistuese dhe, kësisoj, i ka shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm të konsiderueshëm.
Nga ana tjetër, krijimi i kësaj sh.a në mënyrë kaq të fshehtë, pikërisht në periudhën më të
papërshtatshme, na krijon dyshime të arsyeshme se:
– Ose firmat private të ndërtimit nuk po i binden rregullave të lojës së pisët të Kllounit
Kryebashkiak;
– Ose me anë të kësaj sh.a Kllouni Kryebashkiak, për një ndërtim të caktuar, nuk ka detyrim të
bëjë tender, por e bën me kontratë nënkontraktore.
Sipas nesh, është hipoteza e dytë dhe ky është qëllimi kryesor i krijimit të TIRANA DC sh.a.
Po kështu, kjo është mënyra, se si do të operohet me ndërtimin e Teatrit të Ri, ku Kllouni Kryebashkiak do zgjedhë në tërë Fushën e cirkut kompaninë nënkontraktore, që i shkon për shtat.
Në kushtet, kur kjo shoqëri nuk ka asnjë aset dhe kur ka një kapital prej 17 milion lekësh, si
mundet të përballojë një ndërtim prej 36 milion Eurosh si ai i ndërtimit të Teatrit të Ri?
Dhe alibinë Kllouni Kryebashkiak e ka bërë gati.
Për t’u kthyer tek ekstrakti.
Vjen qershia mbi tortë.
Organet drejtuese.
Këtu fillon xhonglimi me Mollë.
Administrator ka zgjedhur Redi Mollën.
Anëtar të Këshillit të Administrimit ka zgjedhur Redi Mollën.
Ekspert Kontabël ka zgjedhur Redi Mollën.
Xhonglim me tre Mollë.
Redi i supergjenduri në tre pozicione.
– Kaq shumë info të Kllounit Kryebashkiak paska Redi i Mollëve, sa e emëron ai në tre pozicione?
– Apo, si qarkullon në tregun mediatik, disponon listën e lobimeve të Vipave?
Ne nuk e dimë këtë, por ajo, që dimë, është se, sipas Ligjit Nr.9901 të sipërcituar, pozicionet, që mban Molla, janë në konflit interesi me njëri – tjetrin dhe nuk mund t’i mbajë i njëjti individ, sado i zoti të jetë, sado ta ketë Mollën dhe sado info për punët e Kllounit Kryebashkiak.
Për të mos folur për dy anëtarët e tjerë të këshillit të administrimit, që janë Laura Deliu dhe Arbjan Mazniku, të cilët nga ajo, që kemi parë e denoncuar, kanë liri të plotë veprimi në Fushën bosh të cirkut.
Pra:
– Projekti është zgjedhur mbi procedura korruptive,
– Firma e ndërtimit është krijuar mbi procedura antiligjore;
– Leja e ndertimit që do të dalë mbi këto të dyja, do të jetë NUL.
Për arsyet, që argumentuam më sipër dhe të tjera, që do t’i lëmë surprizë në ditët në vijim, kjo shoqëri nuk do ta ketë fatin të funksionojë në Fushën e ndërtimeve, se sheshit të Teatrit as nuk ka shanse t’i afrohet.
Ne e kemi thënë dhe kemi dëshmuar, se e mbajmë fjalën.
Teatrin do ta RINDËRTOJMË me paratë e Kllounit Kryebashkiak dhe të gjithë kllounëve, që kanë gisht në shembjen e Teatrit.
Teatri Aty dhe Ashtu Si Ishte.
PS: Vazhdo xhonglimin me Mollë ose ndonjë frut tjetër, se atje, ku do të shkosh, pasi të shpallesh fajtor, do të të duhet një zanat.
Sigal