Katër muaj pa ndihma ekonomike, 100 familjet kërcënojnë me grevë urie

639
Sigal

URË-VAJGURORE/Zëdhënësi i bashkisë, Mihal Bardhi: “Pretendimet e Prefekturës nuk janë të vërteta”

Në Urën – Vajgurore plot 100 familje që janë në nevojë kanë 4 muaj që nuk marrin dot përkrahjen sociale. Shkak për këtë janë bërë sherret e anëtarëve të Këshillit Bashkiak në këtë bashki, të cilët për interesa politike po shkatërrojnë jetën e këtyre familjeve. 100 familjet e këtij qyteti, që ushqehen me këto ndihma ekonomike, kanë kërcënuar dje për t’u futur në grevë urie së bashku me fëmijët. Pavarësisht,- thonë ata -se ne, në grevë urie jemi që prej 4 muajsh’. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se, ky sherr që ka si qëllim interesat partiake ka krijuar anomali të madhe, e cila nuk po gjen zgjidhje. Pas shumë përpjekjesh 13 këshilltarë janë mbledhur pa praninë e Kryetarit të Këshillit Bashkiak dhe me shumicë votash kanë kaluar përkrahjen sociale. Por pengesa është krijuar përsëri dhe këtë radhe jo nga këshilltarët, por nga Prefektura, e cila ka bërë bllokimin me pretendimin se këshilli ka qenë i shpërndarë prej tre muajsh. Lidhur me këtë zëdhënësi i bashkisë, Mihal Bardhi shprehet se, këshilli nuk ka qenë i shpërndarë, ai është mbledhur, por nuk ka marrë vendime. “Mendoj se, çdo gjë u bë me qëllim, sepse nuk ishte e nevojshme që për interesat politike të vuajnë 100 familje që janë në nevojë. 13 këshilltarët kanë firmosur për të kaluar përkrahja sociale, por me vonesë. Vendim ka shkuar në Prefekturë. Prefektura nuk e firmos, por pret një konfirmim nga Qeveria, sepse çështjen e ka çuar për zgjidhje në Qeveri. Vendimi ka disa kohë që i ka kaluar Prefekturës për ta zbatuar, por kjo e fundit është kapur tek “ngërçi” me pretekstin se këshilli ka qenë i shpërndarë. Familjet kërkojnë ndihmë që të shpërbëhet ky ngërç, në një kohë që ato kanë mbetur pa bukë”,- tha Bardhi. Familjarët janë shprehur për gazetën “Telegraf”, se do të futen në grevë uria së bashku me fëmijët, se nuk kanë asnjë faj që të mbeten në këtë gjendje. Ata kërkojnë dhe ndihmën e Avokatit të Popullit që të ndërhyje për të zbërthyere këtë “ngërç” që prej disa kohësh është bërë pengesë për të mos marrë përkrahjen sociale. Sipas Bardhit, këshilli përbëhet nga 17 këshilltarë, ku 8 këshilltarë i përkasin Partisë Socialiste dhe të tjerë partive të ndryshme. Problemi ka nisur që kur Kryetari i Këshillit Bashkiak, Ibrahim Sade, i cili deri pak kohësh pa u bërë zgjedhjet parlamentare ishte në Partinë Demokratike, kaloi me LSI-në. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se, familjet nuk kanë asnjë faj që të mbeten pa bukë, por dhe bashkia s’ka se ç’të bëjë. Kur pushtetarët lozin me njëri-tjetrin fëmijët mbeten pa bukë?

100 familjet

e këtij qyteti, që ushqehen me ndihma ekonomike, kanë kërcënuar se do të futen në grevë urie së bashku me fëmijët. Pavarësisht,- thonë ata -se ne në grevë urie jemi që prej 4 muajsh”

4 muaj

ka që nuk shpërndahet ndihma ekonomike. Shkak për këtë janë bërë sherret e anëtarëve të Këshillit Bashkiak në këtë bashki, të cilët për interesa politike po shkatërrojnë jetën e këtyre familjeve