Ing. Mustafa DEDENIKA/ Komisioni me 4 përfaqësues, t’i prezantojë qeverisë “Rama” kërkesat e shoqatës “Dukati”

502
Sigal

Shoqata Atdhetare Kulturore “Dukati” vepron në bazë të statutit, programit dhe ka anëtarësinë e vet me qendër në vend-origjinën, Dukat ku është themeluar edhe Shoqata bazë dhe me pastaj e shtrirë me degët dhe nëndegët e veta në disa qytete kryesore si: në Tirane, Vlorë, dhe nëndegët në Fier dhe Durrës, si dhe nëndegë në Itali ku ka dhe prezencë të dukatasve jashtë vendit, e themeluar me emigrantë në Parma, Itali.

Shoqata ushtron veprimtarinë e vet, e drejtuar nga kryesia dhe një Këshill Drejtues të zgjedhur nga përfaqësia e komunitetit. Shoqata “Dukati” ka zhvilluar veprimtari patriotike dhe atdhetare të vlerësuara edhe jashtë kësaj treve, të cilat merren për referim edhe nga simotrat e saj. Shumë kontribut dhe përpjekje ka dhënë shoqata edhe për kthimin e pronave- pronarëve të origjinës, duke pasur kontakte të shpeshta me përfaqësues të pushtetit vendor dhe atij qendror, si edhe me Parlamentin, të cilat janë pasqyruar në vazhdimësi edhe në gazetën “Dukati”, por edhe në shtypin periodik. Shoqata ka pasur në inkursionet e saj publike dhe ka realizuar denoncimin e paligjshëm dhe antikushtetues të ligjit 7501 si dhe zbatimin e tij me dy standarde. Por me këtë katrahure 22 vjeçare të krijuar me ligje dhe amendamente, që kundërshtojnë njëra-tjetrën, është i pa mundur abrogimi i atij ligji sipas mendimit tonë.

Shoqata “Dukati”, në datën 19. 08. 2013, në vendlindje zhvilloi mbledhjen e kryesisë dhe të Këshillit Drejtues për të Diskutuar dhe një herë mbi këtë problem. Në këtë takim ishin të ftuar edhe përfaqësues të degëve të Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, të cilët nuk morën pjesë. Në këtë takim ishin prezent edhe përfaqësues të njohur dhe njerëz me personalitet publik si Ago Nezha, Hasan Halili, njëkohësisht edhe zëvendës kryetar i shoqatës “DUKATI”, etj. Nga 7 anëtarë të kryesisë së Shoqatës ishin prezent 5 prej tyre. Kurse nga 40 anëtarë të Këshillit Drejtues merrnin pjesë 30 prej tyre. Disa anëtarë të këtij këshilli, të cilit nuk ishin prezent për arsye të shpjeguara, shprehën dakordësinë me konkluzionet e takimit.

Në këtë takim u vendos: Të ngrihet një komision i përbërë prej 4 përfaqësuesish me autoritet në komunitet dhe në shoqëri. T’i paraqesin 3- 4 pika qeverisë, të dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit dhe të mundësojnë zbutjen në maksimum këtë konflikt midis pronar-pronë, dhe të vlerësohen edhe gjithë ata bashkëfshatarë që kanë pronën e origjinës, duke u përfshirë edhe kreu i shoqatës. Përsa i përket kthimit të kullotave, zgjidhja është bërë ligjërisht, dhe shoqata, dhe pushteti vendor kanë kontribut të veçantë.

Ky evidentim ka qenë  një nismë e shoqatës qysh nga themelimi i saj, dhe në vazhdim duke ruajtur dhe zhvilluar marrëdhëniet dhe komunikimet mes bashkë-origjinave. Prona i takon të zotit dhe pasardhësit, dhe jo “ushtrisë”, “taborreve” të ardhur mbrapa.

Gjithashtu duhet përmendur se disa persona të paautorizuar kanë folur në emër të Shoqatës Atdhetare Kulturore Dukati. Autorësia si nëndegë e shoqatës “Dukati” në Lushnje dhe Berat, është spekulim, sepse këto si nëndegë nuk ekzistojnë fare.

 Kryetar i Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Dukati”