Ministria e Financave: Departamenti Amerikan i Thesarit do të ofrojë ekspertizë për zhvillimin e tregjeve të kapitalit

40
Sigal

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, zhvilloi një takim me përfaqësues të lartë të Departamentit Amerikan të Thesarit, përkatësisht Robert Burch, Këshilltar i Lartë, dhe Charles Anderson, Këshilltar. Qëllimi i këtij takimi, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ishte diskutimi mbi mundësitë e zhvillimit të tregut të kapitaleve në Shqipëri, me synim kthimin e tij në një alternativë të qëndrueshme financimi.

Zyra e Asistencës Teknike (OTA) e Departamentit Amerikan të Thesarit do të ofrojë ekspertizë për autoritetet shqiptare edhe në kuadër të zbatimit të planit të veprimit të Dokumentit të Politikave “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”, i miratuar në prill 2023 nga Këshilli i Ministrave.

Ministri Mete vlerësoi se mbështetja teknike e Zyrës së Asistencës Teknike do të jetë me rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator për tregjet e kapitalit në Shqipëri. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e OTA-s shprehën vlerësime për kuadrin e ri ligjor të tregjeve të kapitalit, të përafruar në masë të gjerë me Direktivat Evropiane dhe shprehën gadishmërinë për të ofruar asistencën e tyre.

Ligji 62/2020 “Për tregje e kapitalit” dhe ngritja e plotë e infrastrukturës së tregtimit dhe pas tregtimit kanë krijuar kushtet për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve të kapitalit. Në këtë kuadër, dokumenti i Politikave parashtron disa objektiva kryesorë për zhvillimin e këtij tregu, si: rritja e pjesëmarrjes së emetuesve, zgjerimi i bazës së investitorit dhe zgjerimi i gamës së instrumenteve financiare, eficienca dhe transparenca e tregut të kapitaleve, si edhe zhvillimi i tregut sekondar të Titujve të Qeverisë.

Objektivi i përgjithshëm është promovimi i tregjeve eficiente të kapitalit nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të këtyre tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre./ MONITOR