Ndryshon ligji për Agjencinë e Inteligjencës, çfarë përmban drafti: Ja si do të përdoren sistemet nga EDPSHTRR tek TIMS! Kushtet që duhet të përmbushni për t’u bërë pjesë

32
Sigal

Qeveria ka vendosur të rishikojë ligjin për Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes një institucion ky në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes duke nxjerrë për konsultim draftin me një sërë ndryshimesh.

Sipas relacionit sqarohet se qëllimi i këtyre ndryshimeve ligjore është që të mundësojnë që e gjithë struktura të realizojë misionin në mbështetje të ligjit, të rregullojë marrëdhëniet me strukturat e tjera ligjzbatuese dhe të përmirësojë trajtimin financiar të punonjësve.

Relacioni sqaron se ndryshimet e propozuara janë bërë duke marrë në referencë edhe kuadrin ligjor përkatës të vendeve të NATO-s, të tilla si Kroacia, nisur edhe nga përafërsitë në mision, detyra, përbërja numerike etj., si dhe konsultimet me aleatët.

Ndryshimet vijnë sipas në kushtet e një sistemi të riformatuar drejtësie ku pjesa e institucioneve viteve të fundit u janë nënshtruar riorganizimeve dhe Agjencia do të duhej të kishte gjithashtu përshtatje me kushtet e reja.

“Gjatë këtyre viteve funksionimi i këtij ligji ka hasur në problematika në lidhje me zbatimin e disa atributeve që duhet t’i siguronte ky akt ligjor Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në realizimin e misionit të saj. Ndryshimi i këtij ligji vjen si pasojë edhe e ndryshimeve në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet e tjera, siç janë: prokuroria, gjykatat, krijimi i SPAK-ut, nxjerrja e ligjit për Policinë e Shtetit dhe AMP, institucione me të cilat Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes bashkëpunon për realizimin e misionit të saj”, thuhet në relacion .

Përdorimi i sistemeve dhe stafi

Projektligji parashtron kushtet që duhet të përmbushin personat që bëhen pjesë e Agjencisë nga nivelet e larta deri tek ato më të ulëta. Po kështu sanksionon se Agjencia mund të përdorë sisteme të institucioneve të tjera të tilla si edpshtrr që është sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor.

“Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në përmbushje të misionit të saj, përdor dhe shfrytëzon sistemin edpshtrr. Mënyra e përdorimit dhe procedurat specifike përcaktohen me udhëzim të përbashkët ndërmjet ministrit përgjegjës për mbrojtjen dhe ministrit përgjegjës për transportin, me propozim të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes” Thuhet në draft.

Ndëkrohë një tjetër sistem është TIMS.

“Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në përmbushje të misionit të saj, përdor dhe shfrytëzon  bazat e  të dhënave të sistemit TIMS. Mënyrat e përdorimit dhe procedurat specifike përcaktohen me udhëzim të përbashkët midis drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me propozim të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”, thuhet në projektligj. /Monitor