Prof. Dr. Selman Sheme: Organizimi politik dhe simbolet shtetërore në kohën e Skënderbeut 

750
Sigal

 

  1. Organizimi politik

Shteti i përqëndruar i Skënderbeut u krijua pas përpjekjeve të gjata , si një bashkim organik i krahinave dhe forcave të brendshme. Procesi kishte filluar para vitit 1450 dhe vazhdoi me rritme të shpejta gjatë viteve 60. Në këtë periudhë u përfshinë në një shtet të vetëm të gjithë viset e lira shqiptare, që shtriheshin nga Malësia e Mokrës, Çermenika, rrjedhja e lumenjve Devoll e Seman në jug e deri në Malësinë e Dukagjinit e Kosovë në veri e verilindje. Ndërsa në perëndim shtriheshin nga brigjet e detit Adriatik deri në luginën e Drinit të Zi , Rekë e Pollog, në lindje. Këto zona përbënin pjesët kryesore të trojeve të banuara nga shqiptarët.

Skënderbeu i kushtoi vëmendje edhe lidhjeve me rajonet e largëta të Shqipërisë së poshtme, Vajonetinë dhe Çamërinë në tërësi. Ai hyri në marrëdhënie me Simon Zenebishin, që përpiqej të zgjeronte zonat e çliruara në viset bregdetare pranë Butrintit. Qëndresa e lavdërueshme e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut ka qenë një faktor nxitës për vendosmërinë e veçantë që treguan shqiptarët e Peloponezit në luftën e tyre kundër pushtuesve osmanë.

Aksionet ushtarake që ndërmori Skënderbeu nga Tivari deri në Shkup , Ohër, Berat etj, nxitën bashkëpunimin shpirtëror të shqiptarëve kudo që ata banonin. Në këtë drejtim ndikonte edhe mbështetja nga Skënderbeu në traditën historike që nxiste krenarinë kombëtare. Ai jo vetëm e propogandonte traditën e lavdërueshme të Pirros së Epirit, por përdori edhe simbolet e njohura të tij , siç ishte përkrenarja e zbukuruar me një kokë dhie. Po kështu nga tradita vendase shqiptare (iliro-epirore) Skënderbeu mori simbolet e veta shtetërore si shqiponjën, yllin me 6 cepa dhe ngjyrën e flamurit.

Shteti i Skënderbeut ishte organizuar në formën e monarkisë feudale të përqëndruar. Sistemi i organeve të larta të pushtetit përbëhej nga , kryetari i shtetit (monarku), Kuvendi i Princave shqiptarë dhe Këshilli i Lartë. Pozita e Skënderbeut në aparatin shtetëror ishte ajo e monarkut feudal, megjithëse ai asnjëherë nuk e ka përdorur këtë titull.

Në literaturën historike atij i është dhënë edhe titulli “mbret”. Në mesjetë kurorëzimi i mbretërve dhe perandorëve të Europës Perëndimore ishte monopol i Papës së Romës. Kurorëzimi i Skënderbeut si mbret do të bëhej nga Papa kur do të vinte në Shqipëri me rastin e Kryqëzatës , ku Skënderbeu ishte caktuar kryekomandant (viti 1964).

Edhe pa titull zyrtar “mbret i Shqipërisë” Skënderbeu ushtronte të gjitha funksionet e një monarku feudal, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.

Si çdo kryetar shteti i Mesjetës edhe Skënderbeu kishte kancelarinë e vet, zyrën e posaçme që trajtonte në mënyrë të vazhdueshme marrëdhëniet e tij me shtetet e huaja dhe me personalitete të veçanta brenda dhe jashtë vendit.

Krahas administratës qëndrore, Skënderbeu ngriti dhe forcoi edhe organet lokale të administratës shtetërore.

Shteti duhet të kishte edhe ushtrinë e vet. Ushtria shqiptare e njehsuar e Skënderbeut përbëhej nga trupat e përhershme dhe nga luftëtarë që mobilizoheshin vetëm gjatë kohës së luftës. Trupat e përherëshme nga ana e tyre ndaheshin në dy njësi kryesore. Njëra përbëhej prej 2000-3000 kalorësish të armatosur lehtë e stërvitur prej Skënderbeut, që shërbenin si garda personale e tij (këtë gardë Barleti e quante garda Pretoriane)

Njësia e dytë ruante kështjellat e vendit dhe brezin kufitar në viset lindore. Gjatë mobilizimit të përgjithshëm të popullsisë forcat luftarake shqiptare arrinin deri ne 30.000 luftëtarë.

  1. Simbolet shtetërore.

Shteti i Skënderbeut kishte simbolet e veta si flamurin , stemën dhe vulën zyrtare. Si flamur shteti kishte atë të principatës së Kastriotëve , një sfond i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare. Shqiponja,simboli i flamurit shtetëror i vulës zyrtare dhe stemës së Kastriotëve është trashëgim i zhgabës dhe emblemës së Aleksandër dhe Pirro Mollosit.

Flamuri i shtetit të pavarur të Arbrit të shek XV-të , vula dhe stema zyrtare e udhëheqësit të këtij shteti, Skënderbeut, mëshirojnë simbolin e përbashkët karakteristik të shqiponjës. Ylli që gjejmë në stemën e Skënderbeut, sikurse edhe shqiponja kanë shërbyer si emblemë themelore në Epirin e lashtë, që përpara Aleksandër dhe Pirro Mollosit. Skënderbeu kishte dy vula, vulën e madhe dhe vulën e vogël. Vula e madhe kishte formë të rrumbullakët. Në pjesën qëndrore të saj paraqitej shqiponja me dy krerë dhe mes tyre një yll me gjashtë cepa. Në rrethin e saj është mbishkrimi latinisht “Georgis Kastriot Scendarbigo”. Kurse në të dy anët e shqiponjës kishte inicialet “D” dhe “Al” shkrim i titullit zyrtar të Skënderbeut: “Zot i Shqiptarëve”. Titulli që mban Skënderbeu aty dëshmon se vula e madhe ishte përdorur në dokumentet pas krijimit të shtetit shqiptar.  Zot “D”, tregon pozitën juridike të Skënderbeut, ndërsa fjala “Al” shtetin ku sundonte ai  .

Emblema e vulës së vogël (sekrete) të Skënderbeut ishte mëshirim i Zotit Dodonas, simbolit kryesor të Aleksandër e Pirro Mollosit.  Vula sekrete e Skënderbeut ka qënë një “Gemma” antike (gur i çmuar), që kishte të gdhendur takimin e zojsit dodonas nën tiparet e mjelmës me një perri pellazge, Ledën.

Edhe përkrenarja e Skënderbeut ishte pjellë besnike e helmetës së Pirro-burrit. Emblema e përkrenares nga kaska me krye dhie përbën një trashëgim të drejtpërdrejtë të Pirro-burrit dhe pararendësve të tij. Në lashtësi besohej se kaska me kokë dhie jo vetëm tmerronte armikun, por edhe përdoruesi e vinte vehten nën mbrojtjen e Zotit të Dodonës dhe bijës së tij Perëndeshës Athina.

Vitet e luftës nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe vetë figura e heroit i pasuruan dukshëm traditat historike të shqiptarëve  dhe u shndërruan në simbole të luftës për liri dhe pavarësi. Ato mbetën gjithnjë të gjalla edhe gjatë shekujve që pasuan shërbyen si një burim i pashtershëm frymëzimi në luftën dhe përpjekjen e tyre për mbrojtjen e interesave kombëtare.

Epoka e Skënderbeut është pika më kulmore e historisë sonë dhe është përdorur si flamur i Lëvizjes Kombëtare duke filluar që nga humanistët shqiptarë të shekullit të XVI-të e në vazhdim.