Dhimitër Gjoka: Si u ndodha në mes të spikërve të kombit, që me zërin e tyre kishin bërë për vete gjithë shqiptarët

493
Sigal

Libri me kujtim i regjisorit dhe spikerit Dhimitër Gjoka:

-Si konkurova në Radio Tirana dhe si u njoha me Vera Zhejin, Liljana Meçanin, Elsa Xhain dhe Viron Notin

-Radio ishte vend i shenjtë, para derës së studios qëndronte një ushtar me automatik

– Drejtuesit më thanë këtu është vend i shenjtë, mikrofoni nuk duhet të bjerë në dorë të armikut

Si u ndodha në mes të spikërve të kombit, që me zërat e tyre kishin bërë për vete të gjithë, shqiptarët brenda dhe jashtë kufirit

-Vera Zheji e entusiazmuar:  Është një Kiço Fotiadh i dytë, shumë mirë, një spiker më shumë

Nuk më kishin ikur akoma emocionet e takimit të teatrove, kur na njoftuan se pas dy muajve do të zhvillohej festivali i ansambleve të reparteve të ushtrisë. Unë u caktova për të prezantuar shfaqjen e Regjimentit tonë. Sërish emocione, përgjegjësi dhe punë e palodhur deri në ngritjen e ansamblit. Çdo gjë do të ishte me forcat e vetë Regjimentit. Asnjë civil nuk do të ishte pjesmarrës.U formua orkestra, u caktuan këngët që do këndoheshin ashtu sikundër edhe vallet. Ansambli kishte në përbërje të tij mjaft oficerë dhe ushtarë të talentuar. Unë para mikrofonit me dashurinë e madhe për të, bëra një prezantim shumë të mirë të çdo numri që jepnim. Në përfundim të koncertit, jashtë sallës m’u afrua Ylli Beluli një nga oficerët e lartë të Regjimentit dhe duke më përgëzuar për perfomancën e mirë që kisha treguar, më thotë se ato ditë në Radio Tirana do të bëhej një konkurs për të përzgjedhur spiker të rinj për mikrofonin e Radios. Ngaqë i kishte pëlqyer shumë zëri im, më rekomandoi të shkoja dhe të takoja Taqo Katron shefin e redaksisë së Programacionit në Radio Tirana.

Në të qindat e sekondës, sytë e mi vështruan ngultas sytë e tjetrit dhe për një çast mbeta pa ditur se  çfarë të  thoja. E dëgjova mirë apo më kishin bërë veshët?!… A ishte e vërtetë ? Unë të shkoja në Radio Tirana? Unë, ushtar, të shkoja të konkuroja me zërin tim në Radio? Ç’ishte ky propozim? Mos isha në ëndërr?… Lëviza nga vendi, si për të ndjerë veten që isha në regull.

-Më fal, – i thashë. – Ju lutem ma përsërisni edhe njëherë se çfarë më thatë?

-Po, – më tha. -Të shkoni dhe të konkuroni në Radio Tiarana për spiker. Do t’ju jap edhe një  letër rekomandimi për t’u takuar me personin përgjegjës për këtë punë.

-Shumë faleminderit – i thashë në atë eufori që më pushtoi në çast.

“Hej! – thashë me vete, – Zoti qenka i madh! Të vështron nga lart, se ç’bën, dhe të merr e të çon fap, atje ku dëshira e ka të domosdoshme të mbërrijë.

Kështu i ngarkuar me emocione ora po afrohej dhe unë u nisa ngadalë drejt godinës së Radio Tiranës. Ishte një godinë me një arkitekturë të bukur, ku binin në sy shumë dritare të mëdha. Ngjita disa shkallë dhe u gjenda brenda hyrjes së saj, ku një polic me automatik  “AK 47”  varur në qafë, rrinte si statujë te dera.

Holli i madh kishte një aredim të thjeshtë. U paraqita në sportelin e dezhurnit, ku një grua e buzëqeshur më kërkoi arsyen se përse unë u ndodha aty. I thashë se kam lënë një takim me shokun Taqo Katro, përgjegjësin e Programit.

-Ah,po, – më tha. -Kam dijeni, por, më falni, nuk e mendoja se njeriu që do të vinte do të ishte ushtar. Ju jeni Dhimitër Gjoka?

-Po – i thashë.

Pastaj më kërkoi letër-njoftimin. (kartën e sotme të identitetit).

Pa mbaruar mirë bisedën, dëgjova nga prapa zërin e një mashkulli:

-Keni ardhur tamam në kohë, ju prisja, – dhe duke u afruar më zgjati dorën. – Taqo Katro, quhem – më tha dhe përzemërsisht më hodhi dorën në qafë. – Më ka folur shumë mirë për ju dhëndëri im që punon aty në Regjimentin tuaj. Ju jeni nga Himara, apo jo?

-Po, – iu përgjigja. – Jam me origjinë nga Himara, i lindur atje, por familja ime është shpërngulur në Vlorë. Kemi shumë vite që banojmë aty.

Ndërkohë ecnim, ngjitëm shkallët, kaluam edhe katin e dytë të Radios, parakaluam disa zyra dhe në fundin e koridorit u ndodhëm në zyrën e tij. Më tregoi vendin se ku të ulesha. Ishte një burrë i veshur me një kostum të errët, rreth të gjashtëdhjetave me tipare të bukura, i gjatë dhe me një trup jo shumë të mbushur. Sa u ula në karriken pranë tavolinës së tij të punës, në derën e hapur u shfaq një grua jo shumë e shkurtër, e shëndetshme me flokë të prera mbi supe edhe e buzëqeshur më zgjati dorën.

-Vera Zheji quhem  – më tha. U ngrita në këmbë dhe i hutuar nga prezantimi fola pa humbur kohë.

-Oh, gëzohem shumë që takohemi! – thashë si i gjetur në befasi. –Ju jeni zëri i përrallave, të cilin unë por edhe gjithë të shtëpisë sime, ju kemi ndjekur dhe ju ndjekim me kënaqësi!

-Faleminderit – më tha me atë zërin e saj të bukur karakteristik.

Sa pa mbaruar komplimentin, kur u shfaq një grua tjetër me flokë të errët dhe të gjatë me sy të mëdhenj të bukur.

-Oh, një ushtar këtu?!

-Po, – ndërhyri shefi. – Quhet Dhimitër dhe ka ardhur të provohet për spiker.

-Uau, shumë mirë – tha gruaja. –  Quhem Liljana Meçani.

-Gëzohem, – i thashë. – Emër dhe zë i dëgjuar për mua.

U ndjeva mirë që kisha takuar dy zëra të mrekullueshëm të radios, por isha shumë i ngarkuar emocionalisht. Shef Taqua kishte vrejtur një skuqje të fytryës sime dhe ndërhyri si për të më çliruar nga emocioni:

-Më gjeni letrat e lajmeve të orës dhjetë dhe m’i sillni këtu! Do të veprojmë kështu. – Dhe vazhdoi: –Do të futeni në studio dhe do të lexoni disa lajme që do t’ju japë Vera dhe së bashku me atë në studio do të lexosh që të mund të shohim zërin dhe karakteristikat e tua në lexim. Dakort?!

-Ju e dini! Unë jam i gatshëm, – thashë vendosmërisht.

Nuk arrita të ulesha në karrike pasi përnjëherë dolëm nga zyra dhe u drejtuam nga studio. Para derës së saj qëndronte një polic tjetër me automatik në dorë. Më bëri përshtypje ky konstatim. E pyeta Verën se përse ka polic këtu më automatik. Ajo ma kthehu:

            -Është vend i shenjtë këtu. Mikrofoni nuk duhet të bjerë në dorë të armikut apo keqbërësve.

Ndërkohë polici na ndaloi dhe u drejtua nga unë duke thënë se nuk e kisha emrin në listën ditore të personave që duhet të futeshin në studion e transmetimit. Vera e dëgjoi dhe iu përgjigj se kishte të drejtë. Më tha të presë pak dhe shkoi tek shefi që mbase kishte harruar për të shënuar në fletë-hyrje emrin tim. Nuk vonoi shumë dhe erdhi. I la fletë- hyrjen policit, të cilën ai e verifikoi duke më kërkuar letër njoftimin dhe pastaj më la të ndiqja për në studio Verën. Ajo hapi një derë të rëndë, e mbyllëm  nga pas, ecëm gati dy metra dhe hapi po një tjetër derë të rëndë, si e para. Para meje u shfaq një studio e vogël me përmasa gati katër metra me tre e gjysëm a diçka e tillë, ndoshta edhe pak më e madhe. tavolinë ishin disa fletë formati të ndara përgjysëm në të cilat ishin shkruar lajmet nga vendi dhe bota. Vera zgjodhi disa prej tyre dhe m’i vuri përpara për t’i lexuar. Më udhëzoi dhe veproi se si unë do të lexoja. Me duart që më dridheshin pak nga emocioni fillova të lexoj:

-JU FLET TIRANA! PO JAPIM LAJMET!- dhe vazhdova të lexoja lajmin e parë, pastaj të dytin,  ndërkohë që Vera komunikonte me teknikën duke u tundur kokën. Vazhdova deri në fund duke e mbyllur leximin: – JU FLET TIRANA! DHAMË LAJMET!

Isha i mbushur me djersë. Leximi kaloi shumë mirë pa gabime. Si lashë fletën e fundit në tavolinë ngrita kokën dhe pashë që në anën e teknikës kishte shumë veta, të cilët ndoshta më kishin dëgjuar mua. Ndërkohë Vera e entuziasmuar u ngrit dhe më përqafoi. Shtypi sërish butonin për të dëgjuar ata që ndodheshin matanë të cilëve në fytyrat e tyre vura re se po më buzëqeshnin.

-Është një Kiço Fotiadh i dytë! Bravo! Shumë mirë, shumë mirë është. – u fliste me dashamirësi. U kthye nga unë dhe nuk i mbaronin “bravot” që më shprehte. Pastaj i tha një gruaje nëpërmjet mikrofonit që të sillte një tekst nga ato të redaksisë së kulturës për ta lexuar. Teksti erdhi në çast. U vu sërisht qetësi dhe unë fillova ta lexoj ashtu siç Vera më udhëzoi. Pasi lexova disa rrjeshta më tha se mjaftonte dhe se nuk ishte nevoja të vazhdoja më tutje. Ishte kënaqur shumë nga leximi im. Duke u larguar nga studio për tek zyra e shefit, më pyeti se nga vija dhe çfarë shkolle kisha. Më mbeti në mend krahasimi që kishte bërë. Më cilësonte një Kiço Fotiadhi të dytë, spikeri i jashtëzakonshëm i mikrofonit shqiptar, i cili edhe ky ishte nga Himara. Brenda vetes ndieja se ky krahasim do të thoshte shumë për çka unë kisha dhënë në mikrofon. “Me siguri, thashë. u ka pëlqyer diksioni im!” Edhe polici, roja i studios më buzëqeshi.

Kur hyra në zyrë ishin mbledhur pothuaj të gjithë spikerat, në fytyrat e të cilëve dallohej një kënaqësi që ndodhesha midis tyre dhe më uronin që kisha bërë një provë të suksesshme. M’u prezantuan. Së pari një burrë pak më i gjatë se unë i buzëqeshur më thotë se quhej Viron Noti . Sa pa ma thënë, emrin vetëm nga e folura e njoha menjëherë që ishte ai.

-Elsa Xhai! – m’u prezantua tjetra.

-Unë quhem Meropi Matlija!

Tre zëra këta mjaft të dashur për mua në mikrofonin e radios. U thashë se ishte kënaqësi e madhe që i njoha nga afër ata zëra të mrekullueshëm që më mbërthenin në çdo kohë dhe më shtangnin nga mënyra se si përcillnin tek ne dëgjuesit lajmet dhe çdo material tjetër. Unë isha një nga adhuruesit që ata kishin kudo dhe tani ndodhesha mes tyre. Ndodhesha në mes të spikërve të kombit, që me zërat e tyre kishin bërë për vete të gjithë, brenda kufijve tëShqipërisë, por edhe jashtë kufirit në vendet fqinje, apo në mbarë botën ku shkonte sinjali i Radio Tiranës. Ata ishin pesë, një yll me pesë cepa që rrezatonin kulturë, respekt dhe mirësi, por mbi të gjitha profesionalizëm absolut në mikrofonin e Radios.

Kisha bërë një regjistrim final si për transmetim direkt, pa provë dhe kisha dalë shumë mirë. Kjo vihej re në mënyrën se si komportoheshin me mua. U kisha pëlqyer të gjithëve, madje edhe teknikes që më regjistroi. U krijua një ambient shumë miqësor brenda në zyrë. Më pyetën  për shumë gjëra nga jeta ime. U fola shumë për rrjedhën se si unë erdha ushtar dhe se me çfarë isha aktivizuar dhe se sa më pëlqente skena dhe mikrofoni. Shihja se më dëgjonin me vëmendje. Pastaj u larguan secili në punët e veta duke më uruar edhe njëherë suksese dhe mbarësi. Mbeta vetëm me shef Taqon. Më tha se prova ishte pëlqyer, por më shumë do të vendosej pasi ta dëgjonin edhe ata lart, ku nënkuptohej zyra e shtypit pranë Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, që të mund të isha pjesë e kolektivit të tyre në të ardhmen. Më kërkoi disa hollësi për familjen sidomos për punën e prindërve të mi dhe se kush ishte biografia e tyre.

-Shumë mirë, – më tha. – Kjo për ne është edhe një armë tjetër shumë pozitive, për të të  patur mes nesh. Unë do t’ju njoftoj shumë shpejt për rezultatin e regjistrimit. Edhe njëherë, urime të sinqerta, nga unë!

 

-Faleminderit shumë edhe për mikpritjen –  i thashë dhe dola.

Ishin çaste fatlume për mua, prej atyre që të rrëmbejnë e të bëjnë që të fluturosh si zog drejt hapësirës të pafund qiellore. U enda rrugëve të Tiranës ashtu kot, pa ndonjë destinacion. Ishte mesi i ditës. Nuk kisha asnjë lek në xhep të ulesha të paktën diku në ndonjë lokal. Ato çaste do të desha të kisha pranë tim atë, të flisja me të, t’i rrëfeja gjithçka që kisha përjetuar gjatë asaj dite dhe ta ndieja nga pranë gëzimin dhe lumturinë e tij për mua.

Ecja vetëm me hijen time që më ravijëzohej në trotuar.

Nuk e di se sa eca, por me siguri bëra shumë rrugë me shumë mendime në kokë. Ndieja një besim në vetvete se do të isha pjesë e Radio Tiranës shumë shpejt. Më kalonin në mend të gjitha ato fytyra të dashura që kisha takuar. “Si është jeta!” mendova. Kisha ecur nëpër të me të vetmen ëndërr që kisha. Dhe ja se si erdhën ngjarjet, sa shpejt dhe krejt paprtitur. Vështroja fytyrat e njerëzve që këmbehesha rrugës duke kërkuar të gjeja mes tyre një njeri të afërt që t’i shprehesha për çfarë unë kisha bërëatë ditë dhe se çfarë rezultati kisha arritur.Dëshiroja të flisja dhe vetëm të flisja… Kalova pranë Postës Qëndrore, u drejtova nga telefoni instiktivisht, por ç’e do, harova që nuk kisha lekë, (dreqi ta hajë!), të merrja në telefon prindërit. U ktheva dhe eca e vetëm ecja sërish rrugëve të Tiranës. Kishte rënë mbrëmja. Ashtu i uritur mora rrugën në këmbë drejt Regjimentit.

Nuk kaluan dy ditë dhe më erdhi lajmërimi që të paraqitesha në Radio Tirana.

Nga ky çast do të informoja Komandantin e Regjimentit për çfarë kisha bërë dhe se si do të vazhdoja më tej. Isha i detyruar ta bëja këtë për shumë arsye, por, për më kryesoren për dhënien e lejes për ditët që do të shkoja në Radio. Trokita në zyrën e tij. Nuk ishte e lehtë të hyje atje. Kisha fituar besimin e gjithë Regjimentit për sjellje shëmbullore, kështu që kalova disa bariera lehtësisht. Komandant Lulua ishte një burrë rreth të gjashtëdhjetave, trup mbushur me sy bojëqielli dhe shumë sqimatar në mbajtjen e uniformës. Ishte një pilot i guximshëm dhe shpesh herë kur ngrihej në ajër e trajtonte helikopterin si një lodër, aq sa një ditë në një rrethrrotullim mbi repart kishte lënë hapur derën e kabinës dhe vështronte poshtë, kush e di se për çfarë arsye, kur i ra kapelja nga koka. Ky ishte një rast që e kisha parë me sytë e mi, pale pastaj se sa raste të  guximit të tij kishte shpërfaqur në shumë fluturime, siç thoshnin. Kur hyra brenda ai ishte zhytur në disa shkresa dhe seç po shkruante në to. Ngriti kokën, më pa në sy dhe më urdhëroi të ulem.

-Në mos gaboj, e di se përse ke ardhur, – filloi të më thotë pa më lënë të flasë. – Dëgjo këtu,  ushtar Gjoka! Do të shkosh në Radio Tirana dhe do të na nderosh mua dhe gjithë Regjimentin. Për leje- dalje do të të presë Shefi i Shtabit, Pandeli Berberi. Ai është në dijeni të këtij problemi. Qartë!?… Mund të shkoni.

Unë mbeta pa gojë pa ditur se çfarë të flisja. U ngrita në këmbë ku me të njëjtin ton i ktheva përgjigje prerë:

-Si urdhëron, shoku Komandant – dhe pa folur asgjë tjetër, dola duke e mbyllur derën.

Nesër do të lexoni:

– Zëra si të Nevzat Dibrës, Sotira Gjymshanas, Vladimir Golemit, Antigoni Goxhit, Violeta Kongos, Angjelina Xharës, mbeten në kujtesë

-Si u njoha me Agron Çobanin, një prej gazetarëve të shkëlqyer që mbulonte ngjarjet politike në Radio

– Takimet interesante me regjisorët e talentuar të radios Xhelil Aliu apo Fane Anastasin.