Rënia e prodhimit më e madhja në një dekadë. Pijet freskuese “pushtohen” nga importi

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2025 u prodhua sasia më e ulët e pijeve freskuese në më shumë se një dekadë.

Krahasuar me një vit më parë, prodhimi u tkurr me 55%, ndërsa produktet e importit zgjeruan më tej praninë e tyre, duke zënë 77% të tregut.

Sigal

Përfaqësuesit e industrisë paralajmërojnë se, nëse kostot e larta të prodhimit dhe mungesa e konkurrueshmërisë vijojnë, tregu mund të hyjë në një fazë transformimi.

Shumë sektorë të prodhimit vijojnë të përballen me kostot e larta të prodhimit dhe konkurrencën në rritje të produkteve të importit.

Një nga sektorët më të prekur është ai i pijeve freskuese, i cili gjatë vitit 2025 është rikthyer në një rënie të fortë të prodhimit, duke humbur më shumë se gjysmën e volumit krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit 2025, në vend u prodhuan 30,8 milionë litra pije freskuese. Krahasuar me vitin 2024, prodhimi u tkurr me 55%, duke zbritur në nivelin më të ulët të regjistruar në më shumë se një dekadë.

 

 Të dhënat tregojnë se, me përjashtim të vitit 2020, kur pandemia e Covid-19 dhe kufizimet e lëvizjes ndikuan në aktivitetin ekonomik dhe tregtar, rënia e prodhimit vendas ka nisur që prej vitit 2022.

Prodhimi i pijeve freskuese në vitin 2022 u ul me rreth 3% krahasuar me një vit më parë. Tendenca negative u thellua në vitin 2023, kur prodhimi ra me 15%.

Në vitin 2024 u shënua rikuperim i lehtë. Në rang vendi u prodhuan 68,6 milionë litra pije freskuese apo 4% më shumë sesa në vitin 2023. Megjithatë, kjo ecuri rezultoi e përkohshme.

Gjatë vitit 2025, sektori pësoi goditje të fortë, me prodhimin që u përgjysmua, duke sinjalizuar përkeqësimin e vështirësive me të cilat përballet industria vendase.

Prodhuesit më të mëdhenj të pijeve freskuese në vend pohojnë se industria vijon të operojë me kosto dukshëm më të larta se konkurrentët në rajon dhe në vendet e Bashkimit Europian.

Sipas tyre, kjo i vendos prodhuesit vendas në një pozicion të pafavorshëm përballë produkteve të importit, të cilat po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në treg.

Kristo Naçi, administrator i kompanisë ALFA, pjesë e “Agna Group”, e cila prodhon për tregun shqiptar dhe atë të Kosovës markat “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton”, “Ice Tea” dhe produkte të tjera pohon për “Monitor” se disavantazhi konkurrues i industrisë lidhet me disa faktorë strukturorë.

“Kostot e larta të energjisë për fabrikat prodhuese mbeten një nga sfidat kryesore për industrinë.

Një tjetër faktor është ndryshimi i strukturës demografike për shkak të emigracionit dhe përmasat e vogla të tregut, të cilat nuk krijojnë volum të mjaftueshëm për të justifikuar investime në teknologji moderne dhe linja prodhimi me kapacitete të larta, të ngjashme me ato që operojnë në vendet europiane.

Këto investime kushtojnë miliona euro, që do të ishin të papërballueshme në tërësi për sektorin, veçanërisht nga prodhuesit e vegjël. Për pasojë, prodhuesit vendas e kanë më të vështirë të arrijnë ekonomi shkalle dhe të konkurrojnë në çmim me produktet e importuara”.

Zoti Naçi paralajmëron se nëse këto kushte nuk ndryshojnë, industria vendase mund të përballet me një transformim edhe më të thellë.

Sipas tij, prodhuesit mund ta shohin gjithnjë e më të leverdishme të heqin dorë nga prodhimi vendas dhe të orientohen drejt importit të produkteve të gatshme, pasi diferenca në kosto dhe konkurrueshmëri po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar.

Sipas drejtuesve të shitjeve të “Agna Group”, prodhimi i pijeve freskuese gjatë vitit 2025 ka mbetur në të njëjtat nivele krahasuar me një vit më parë.

Edhe në 6-mujorin e parë të vitit 2026, situata vijon të jetë e pandryshuar, me kërkesën që nuk ka shënuar rritje të ndjeshme, pavarësisht fillimit të sezonit turistik dhe fluksit të turistëve.

Sipas kompanisë, ardhja e turistëve të huaj në vend nuk është reflektuar ende në zgjerim të konsumit të pijeve freskuese në nivele që të ndikojnë ndjeshëm në treg.