Radiografia moderne në Divjakë, jashtë funksionit prej 5 vitesh, nga mungesa e fondeve vuajnë 45 mijë banorë

124

Prej afro 4 vitesh, edhe pse me një QSH të Re, banorëve të Divjakës u duhet të bëjnë rreth 50 km, për të realizuar në Lushnjë, një radiografi të thjeshtë, në të njëjtën kohë kur aparati, është në QSH Divjakë

Sigal

45 mijë banorë të Divjakës nuk po marrin shërbimin e radiografisë prej vitit 2017. Pajisja e ‘fjalës së fundit’ u përurua nga kryeministri Rama në 2016-n, por funksionoi vetëm gjashtë muaj, sipas denoncimit nga deputetja e zonës Ilda Dhori, verifikuar në terren. Si zonë moçalore, në Divjakë ka një numër të madh banorësh që vuajnë nga artriti, por atyre u duhet të udhëtojnë për në Lushnjë për ta marrë këtë shërbim. Në fjalën e mbajtur në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, deputetja e PD, qarku Fierit, Ilda Dhori ngriti shqetësimin në lidhje me mosfunksionimin e radiografisë në Poliklinikën e Divjakës.“Prej afro 4 vitesh, edhe pse me një QSH të Re, banorëve të Divjakës u duhet të bëjnë rreth 50 km, për të realizuar në Lushnjë, një radiografi të thjeshtë, në të njëjtën kohë kur aparati, është në QSH Divjakë.”, ngriti shqetësimin deputetja Ilda Dhori.Deputetja shtoi se bëhet fjalë përreth 50 mijë banorë që marrin shërbim në qendrën shëndetësore Divjakë. Për të parë si është realisht situata, udhëtuam drejt Poliklinikës së Divjakës më 15 qershor.Gjatë komunikimit që patëm me stafin mjekësor dhe banorë të zonës që marrin shërbm aty, na u bë e ditur se radiografia nuk funksionon që prej vitit 2017. Sipas tyre, ajo kishte funksionuar vetëm 6 muaj, ndërsa u është komunikuar se kostoja për riparimin e radiografisë është e lartë.

“Është një pajisje e niveleve europiane që ka hyrë në 2016 në këtë qendër, atëherë kur u bë inaugurimi i saj. Ka punuar një pjesë kohe, rreth 6 muaj dhe për arsye të një defekti në paketën elektronike që kanë ato, nuk ka funksionuar që nga 2017-ta e këtej. Rregullimi i pajisjes ka një kosto që është goxha e lartë. Kanë ardhur ekipe interesimi për këtë problem, sepse të gjithë kemi dëshirë që ta vëmë në punë. Së shpejti them se mund ta vëmë në funksion”, bëjnë të ditur anëtarët e stafit mjekësor.

Ata theksojnë se radiografia është shumë e rëndësishme për zonën, për mijëra qytetarët që marrin shërbim në këtë Poliklinikë. Sipas mjekëve, si zonë moçalore që është, nevoja e banorëve për pajisjen është e madhe, pasi numri i personave që vuajnë nga artriti është i lartë.

“Radiografia është një ekzamimin i rutinës, pra një thyerje, një enjtje. Çfarë janë emergjente ne i nisim nëpërmjet autoambulancave. Një karrambol në rrugë, një thyerje, një rrëshkitje, që na jep konceptin që duhet parë patjetër në radiografi, ne e nisim me autoambulancë në spitalin e Lushnjës. Disa raste të tjera që janë pak më të lehta dhe kjo zonë është goxha e prekur nga artriti, si zonë moçalore që është, këto raste i zgjidhim nëpërmjet spitalit, nëpërmjet referimit që bëjmë ne. Kjo qendër shëndetësore u shërben 13 mijë banorëve. Jemi 5 mjekë në këtë qendër shëndetësore”, sqaron stafi mjekësor i Poliklinikës së Divjakës.

Gjatë periudhës së pandemisë është ndjerë edhe më shumë nevoja për të pasur një radiografi në Divjakë. Mjekët shprehen se i kanë dërguar pacientët drejt spitalit të Lushnjës për të marrë këtë shërbim

“Është diçka shumë e nevojshme, një kollë, një temperaturë, një problem, me Covidin kemi qenë. Është jashtë mase e nevojshme. Njerëzit kanë shkuar në spitalin e Lushnjës dhe kanë pritur me orë të tëra, për 2 vjet kjo situatë”, sqarojnë ata më tej.

Domosdoshmëria për të pasur një radiografi në këtë qendër shëndetësore theksohet fort edhe nga banorët e zonës. Ata i thanë Faktoje se gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 janë torturuar duke pritur në radhë në spitalin e Lushnjës.Një i moshuar, i cili vuan nga artriti dhe herëpashere i duhet të shkojë në spitalin e Lushnjës për radiografi shprehet: “Problem është, rri vërdallë humbim kohë andej, kur e kemi qendrën këtu afër. Tani janë rritur edhe çmimet e biletave të furgonë, vapë është. Shumë vështirë e kemi të shkojmë deri atje. Ndonjëherë më dërgon djali, por edhe ai është në punë, nuk vjen dot gjithmonë të më shoqërojë”.Pas evidentimit të problematikës në terren dhe shqetësimeve të mëdha të ngritura nga banorët dhe stafi mjekësor, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më 16 qershor.Disa prej pyetjeve që i drejtuam lidheshin me kostot e riparimit të pajisjes si dhe kur pritet që ajo të jetë gati për mijëra banorët që marrin shërbim në Poliklinikën e Divjakës.Ministria e Shëndetësisë e delegoi kërkesën te Qendra Shëndetësore Divjakë e cila ktheu përgjigje më 20 qershor. Në këtë përgjigje theksohet se në buxhetin e Qendrës Shëndetësore Divjakë nuk ka vlerë monetare të akredituar për mirëmbajtjen apo riparimin e aparaturës së radiografisë, e cila mbulon nevojat e 45 mijë banorëve të Divjakës.“Duke mos qenë specialistë të fushës përkatëse, nuk kemi një shifër të saktë për  vlerën apo koston e defektit që ka pësuar aparatura në fjalë. As edhe një Qendër  Shëndetësore në Bashkinë Divjakë nuk është e pajisur me aparaturë radiografie, përveç poliklinikës”, sqaron ndër të tjera Qendra Shëndetësore Divjakë.