Suplementi Pena Shqiptare/ Ilirian Zhupa Është herët për harresën

131

Në këtë dimër të lagësht, pa një rreze dielli,
deti përbri, qiejt përmbi,
jemi larguar si guaska nga thelbi,
s’kam punë me qiejt, s’kam punë as me ty.

Qiejt më trembin, fjalët më dhembin,
duart më zhveshin, hapat më heshtin,
ikjet më shembin, ardhjet më çmendin,
sytë më presin, dhelet më vdesin.

Jam larguar tepër e jemi të bërë të vjetër,
përtypim kujtimet, si të përtypnim vetveten,
kur mbase mund të gjenim kohë tjetër
për harresën – vdekjen.