Suplementi Pena shqiptare/ Poezi nga: Mimoza Ahmeti

1013
Sigal

Mimoza Ahmeti

Është çudi kur je femër

Mua tani më vjen për të qarë. Më duket sikur
shkarkesa yjesh më janë grumbulluar te sytë.
Dot nuk duroj,
ndërsa çengelat e nervave ndërsa tërhiqen
kundrejt njëri-tjetrit.
Kangur me foshnjën në xhep
duket figura ime së largu
këtu në bregdet.
Më vjen për të qarë. Jam bërë barrë.
Me siguri molusqet e buta tani
lëvizin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilat e kuq
kushedi ç’udhëtim të mahnitshëm
kanë marrë
Është çudi kur je femër…
E keni parë natyrën kur tmerrohet, fryn
e shkatërron!
Kur si përbindësh shkrifëron gërmadhat
e mohimit…
Pastaj, kur pastaj, e lehtë dhe e trandur,
me sytë mëdhenj plot hije
pret një vazhdim, një lindje fëmije
buzë detit ku i vjen për të qarë, për të qarë,
ngaqë se si është, është me barrë.
Ne ato orë të ditës kur molusqet e buta
hapin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilat e kuq
kushedi ç’udhëtim të mahnitshëm kanë marrë…

 

 

Klithma ime

Unë do të vdes,
më kot lutesh të zgjohem nën këtë hark të kuq të perëndimit
ku pisha digjen,
e kotë t’i ngjallësh akrepat e mugët të ndjenjës në këtë orë.
Sepse kam rënë,kam rënë prej kohësh,
E madhe,me zhurmë,e vrarë kam rënë,
me një plagë të kuqe që e shihja vetëm unë.
Oh,me zhurmë,më shumë zhurmë kam rënë,
e pakallur kam rënë,
mbi këtë tokë kam rënë.

Dhe askush s’e pa ku ra ulërima ime,
askush s’e dëgjoi,
askush nuk e di ku endet tani ajo,
ku ulërinë ulërima ime.
Të kam pranë rini e freskët,
tendencioze, plot muskuj.
E shoh dorën tënde të zgjatur përmbi trupin tim,
dorën tënde të fortë, dorën tënde të lutur,
dhe buzët e tua shpirt-ndjellëse i prek e i dëgjoj me zemër.
Por..unë kam rënë, unë po shuhem ngadalë,
nën peshën e trupit tim që po ftohet
të gjakut tim që po ngrin në deje,
ndërsa klithma ime shtegton e deh,
dhe vetëm për të bëhem merak unë,
ndërsa vdes.
Ju a e dëgjoni?

Gjithçkaja Ime

Vaje të kaltra për ty më lëshojnë flokët
dhe goja s’është veç një pasqyrë e krisur
prej dhimbjesh të dala nga mishi me shkulje
prej asaj që të kam pushtuar kurrë për mos të të lëshuar.
O dendësi bari e gjelbër e kraharorit tënd
o drurë të egër aromë lëshues të këmbëve të tua,
o krahë që vetëm krahë dhe vetëm krahë lëshoni,
o ti, qafë e butë dhe e fortë njëherësh
O ti gjithçka, gjithçkaja ime,
gjithçkaja e natës sime,e ditës sime,
ti, gjithçka
O rruzull i errët, o rruzull i verbër,o rruzull shkatërrues
i sedrës sate të kafshuar.
Të gjitha ju, gjithçka te ti.
Vetë ti:
Qëndro, më vështro,
mos më vdis në duar
Një tokë një herë e gjetur
kurrë më s’është harruar!

 

Krye ëndrra

Nusja e bukur, veshur në argjend.
Melankolike, si hëna e zbehtë.
Vallëzonte, ndiqte valsin ritmikisht.
Gëlltiste lotët,dhimbjen e vërtetë.

Kjo ditë.. krye ëndrra që kish thurur.
Martesa që tërë jetën kish menduar.
Si dasmë-funeral e kish muzikën
Me magji shtrigash,krevatin mbuluar.

Dekada shkuan, nusja e zhgënjyer…
E shpirtkëputur për ëndrrën e vjedhur.
Kur vjen Tetori, i rrjedhin dy lot.
Ajka e lotëve, nëpër vite mbledhur