Suplementi Pena Shqiptare/ Individualiteti poetik i Xhevahir Spahiut

891
Sigal

Nga Daim Miftari

Emri i Xhevahir Spahiut radhitet fuqishëm në mesin e individualiteteve më të spikatura të poezisë bashkëkohore në përgjithësi dhe gjeneratës së vet në veçanti. Kjo poezi me autenticitetin dhe veçantinë e vet, qëndron në krye të panteonit të poezisë bashkëkohore shqipe, duke e pasuruar mozaikun e letrave të saj. Poezia e tij arriti ta ruaj identitetin e vet për gati një gjysmë shekulli dhe u shfaq në skenën e artit letrar, që në fillimet e para, duke u diferencuar nga të tjerët me zërin autokton dhe individualitetin poetik krijues që i ngjan vetëm vetvetes. Kjo poezi shënon rritje të vazhdueshme dhe përsosje të fjalës artistike, ndryshe nga rastet e rënieve eventuale. Brenda 10 vëllimeve me poezi, që përbën tërë opusin letrar të këtij poeti, poezia xhevahiriane vjen e freskët, e papërsëritshme nga poezia në poezi, nga vëllimi në vëllim, gjë që dëshmon për talentin e padiskutueshëm dhe kulturën e gjerë të poetit.… “Ai eci shtegut të pashkelur në poezinë më të re të shqipes, solli një tjetër ndjeshmëri në intimitetin e zërit vetjak, solli frymën moderne dhe origjinale. Ngacmimi, kërshëria poetike e përhershme për kërkim të hapësirave të reja shprehëse, në tërësinë e opusit të tij poetik, qoftë si polifoni tematike dhe strukturore vijnë si rrjedha të degëzuara, por që rrjedhin brenda projektit tërësor, unik, të shkrirë në vizionin poetik dhe filozofik të poetit. Xhevahir Spahiu që në krijimet e tij të para, do të shquhet për talentin e madh dhe kulturën e gjerë që posedon në fushën e letërsisë dhe veçmas të poezisë. Që në fillet e para, ai do të shfaq një vetëdije të lartë të misionit poetik dhe kultit ndaj fjalës, me epitet që i vë vetes si “Kolomb i vërtetë”, “ditën bir i diellit”, “natën bir i hënës”. Ky mishërim i poetit me misionin krijues dhe fjalën poetike, dëshmon se fjala është për një poet dhe talent të rrallë që hyn në letrat shqipe. Opusi krijues i Xhevahir Spahiut i krijuar brenda këtij harku kohor, e pasuron arsenalin e letërsisë shqipe, për nga tematikat dhe motivet e larmishme, idetë dhe vizionet, fjalori poetik, sistemi figurativ dhe metrik dhe teknika krijuese, ku të gjitha elementet përbërëse të poezisë qëndrojnë në një unitet dhe harmoni të plotë me njëra tjetrën. Poezia e tij është mjaftë e pasur dhe me mjetet shprehëse, poetika si metafora, simboli, metonimia, aliteracioni, etj të cilat ndërtojnë stilin e veçantë të poetit, frymën dhe identitetin autokton, që dallohet lehtësisht, jo vetëm nga brezi i tij, por nga mbarë letërsia bashkëkohore shqipe. Me një mjeshtri të rrallë Xhevahir Spahiu vargun poetik e ndërton edhe me anë të antitezave, të cilat e shumëfishojnë forcën e shprehjes poetike dhe e pasurojnë kuptimin e saj, si dhe figurat e përsëritjes dhe intonacionit dhe një sërë mjetesh të tjera poetike, që flasin për një kompleksivitet poetik të Xhevahir Spahiut. “Duke shpalosur përmbajtjet, tropet, figurat dhe imazhet hetohet se shkrimin e poezisë ky poet nuk e ka zeje, as nuk e kupton si mjeshtëri siç e kuptonin simbolistët, por nevojë shpirtërore-shoqërore-historike të një individi të angazhuar e artisti të njëmendtë në këtë kohë krizash botërore e shqetësimesh tronditëse. Brenda kreativitetit, atë që rrëfen heroi lirik thuhet pa ngurrim e halë në gjuhë, me dashuri e bukuri, dëshmi për talentin që ka poeti”, shprehet poeti Ali Podrimja. Xhevahir Spahiu është ndër mjeshtrit e rrallë të fjalës poetike, paradigmatik dhe shkollë më vete, në mënyrën se si i transmeton faktet jetësore në vlera të larta artistike. Cilindo qoftë nga frymëzimet poetike që ngjizen nga një detaj, përshtypje, imazh, të pavërejtura nga syri i rëndomtë, nën pushtetin magjik të poetit dhe sensibilitetit krijues, ai i shndërron në majë vlerash artistike. Në opusin krijues poetik të Xhevahir Spahiut, është e pamundur të gjesh një poezi, e cila me fuqinë artistike, mos të ngulitet fort në kujtesën e lexuesit. Në poezinë e tij ndihet fuqishëm zëri i kohës, i problemeve të saj, qofshin ato morale, shoqërore, politike etj. Kjo poezi e ka në qendër të vëmendjes gjithçka që ndodh në realitetin ekzistues të poetit, gënjeshtrën që sillet si e vërtetë, dhunën, padrejtësinë, të shëmtuarën, të ligën, ashtu sikurse të bukurën, dashurinë për njeriun, vendlindjen, fëmijërinë, nënën, motrën, Naimin, Nolin, Migjenin etj. “ Poezia e këtij autori është një poezi e kohës, e angazhuar dhe njëherësh fine, me nerv dhe njëherësh fisnike, është një poezi polivalente dhe me nëntekstin ka shqetësimin e kohës dhe lëvizjen e saj”, ka thënë Rodolf Marku. Xhevahir Spahiu, falë talentit të madh dhe punës do të dijë të përfitojë mjaft edhe nga poezia e huaj dhe ajo shqiptare, që nga Rilindja Kombëtare e këndej, folklori shqiptar me thesaret e të cilit ai do të njihet që në fëmijëri. Poezia e tij është e lidhur ngushtë me fatin e popullit dhe është në komunikim të përhershëm me mitin dhe lashtësinë, traditën letrare dhe historinë e kombit shqiptar, duke ruajtur çdoherë sensin e bashkëkohësisë dhe frymën autoktone. Atij ia lejojnë mundësitë krijuese t’iu përgjigjet kërkesave të artit modern poetik në mënyrë më autentike, si njëri ndër poetët më të shquar në letrat shqipe, poezi kjo e cila në mënyrë shembullore, shkrin brenda vetes fatin individual me atë kolektiv, tradicionalen me modernen, kombëtaren me universalen. Kur flet për poezinë e këtij poeti,akademiku maqedonas Ante Popovski, shprehet se, “…me poezinë e Xhevahir Spahiut , edhe vetë poezia evropiane përfiton në origjinalitet dhe modernizëm… Talenti i tij poetik luksoz e identiteti krijues i pakrahasueshëm, bashkon rreth vetes tematikën me një përsosmëri të vazhdueshme të gjykimit të tij, e cila, padyshim flet në mënyrë absolute për rrugët e reja të poezisë bashkëkohore botërore e për mesazhe qëndrueshmërie të ndërtesës së tij poetike, themeluar sipas traditës dhe mitit nacional”. Por edhe në rastet kur poeti i referohet të kaluarës, historisë, folklorit, që në rastin e kësaj poezie, ndjehen fuqishëm, ai në fakt i drejtohet kohës së vet. Me një fjalë, kjo poezi është e lidhur fortë me jetën dhe përditshmërinë. Duke qenë para së gjithash një qytetar i ndershëm, me vlerat e një intelektuali të mirëfilltë të fjalës dhe njeriut spontan, ai njëherësh është bashkëvuajtës i popullit të vet dhe qytetarit të përditshëm. Xhevahir Spahiu nuk është poet i shqetësimeve egocentrike, por shqetësimet e popullit janë dhe shqetësimet e tij. Arti si koncept poetik i tij, nuk mund të mendohet jashtë kornizave të jetës së popullit dhe halleve të përditshme të bashkëqytetarit dhe njeriut si qenie në përgjithësi. Edhe nëpërmjet poezive që trajtojnë probleme, të cilat në shikim të parë duken personale, ndjehet prezenca e shqetësimit kolektiv dhe mbarënjerëzor. Duke qenë poezi e afërt me përditshmërinë, problemet dhe shqetësimet e kohës ajo vjen çdoherë me një vrojtim të ri, me tematika dhe motive të reja, si dhe me mjetet shprehëse poetike, jashtë çdo klisheje. Xhevahir Spahiu krijon individualitetin e tij poetik, jo duke bredhur pas formave të modernitetit dhe duke eksperimentuar me modën, por rrugën krijuese e forcon sipas diktatit të brendshëm, jashtë çdo skeme dhe konvencionaliteti. Gjallëria e mendimit harmonizohet me ndjenjën e thellë, mesazhi poetik përcillet me qartësi. Motivet e jetës në lëvizje, ato të lartësimit të njeriut, vendlindjes, dashurisë, ndeshjeve me dukuritë negative, por edhe ato të historisë realizohen me një ligjërim origjinal, me një ritëm dinamik e befasues, përmes larmisë së vargjeve dhe energjisë së fjalëve. Xhevahir Spahiu në poezinë e tij aplikon vargun e lirë që del natyrshëm, me spontanitet, dhe ndryshon varësisht prej frymëzimit poetik. Ndërsa edhe në rastet kur shkruan me rimë të tipit ABAB, ai me forcën e shprehjes poetike arrin fuqinë maksimale të përçimit të thellësisë së mendimit dhe ndikimit estetik tek lexuesi-interpretuesi. Pra, edhe kur shkruan në bazë të rregullave, siç është sistemi strofik, ai i tejkalon kornizat konvencionale, qoftë për nga mesazhi poetik, po ashtu edhe për nga thellësia e mendimit dhe mjetet shprehëse. Duke e parë si tërësi veprën poetike të poetit, mund të themi se çdo vëllim poetik qëndron i pavarur nga tjetri., për nga mënyra e realizimit artistik, temat, motivet, mjetet shprehëse dhe të gjitha elementet përbërëse të poezisë. Secila poezi komunikon me lexuesin në mënyrë të pavarur, çdoherë novatore, e freskët dhe e papërsëritshme, prej librit të parë e deri tek i fundit. Shpesh të pavarura qëndrojnë edhe vargjet të shkëputura nga tërësia e poezisë, si për nga kuptimi, ashtu edhe për nga shprehja e pasur poetike. Në këtë poezi nuk ka njëtrajtshmëri,skemë të paracaktuar në bazë të së cilës mund të vendoset secili frymëzim tematik, por poezi e cila ndjek rrahjet e zëmrës së poetit, momentin e frymëzimit, çdo herë e paparashikueshme në teknikën e të krijuarit poetik. Në këtë mënyrë ndryshon edhe ritmi dhe intensiteti ritmik, varësisht prej tematikës dhe motivit që trajton poeti. Njëra ndër karakteristikat dhe veçoritë kryesore, ndoshta dhe më kryesorja, që e bën Xhevahir Spahiun poetin më të veçantë në poezinë bashkëkohore shqipe, është harmonia muzikore e vargut. Por ndryshe nga rastet kur muzikaliteti i nënshtrohet një pune rutinë ose zanati, duke e ngritur atë në parim krijues, në poezinë e tij poeti, rrjedh spontanisht, është vokacion i brendshëm krijues. Xhevahir Spahiu nuk e sakrifikon përmbajtjen e poezisë, që të duket sa më melodike, sepse ai i trajton në mënyrë të barabartë të gjitha elementët përbërëse të poezisë. Pra, fjala është për një lloj të veçantë të muzikalitetit-eufonisë, një tingëllimi të këndshëm, i cili është çdo herë në funksion të idesë, përmbajtjes, pa e fetishizuar fjalën në asnjë rast. Ai thjesht është zëdhënës besnik i gjendjes shpirtërore të tij. Te poezia e tij as fjala, as eufonia, as ritmi, tërë prozodia nuk përbëjnë një kornizë të gatshme brenda të cilës mund të vendoset cilido frymëzim poetik. Përkundrazi ato vijnë përherë të ndryshme, kreative, në harmoni me hovet e frymëmarrjes konkrete krijuese. Fryma rebele mjaft e theksuar në këtë poezi është çdoherë në luftë me padrejtësinë, servilizmin, hipokrizinë, dhunën, fatkeqësinë, robërinë të ligën, urrejtjen, sepse Xhevahir Spahiu i takon racës së zëmëruar të poetëve, poet që nuk hesht dhe nuk di të qëndrojë indiferent ndaj dukurive negative. Kjo e bën vargun e tij goditës, therës, ironik. Por ai di të jetë edhe i butë,skofiar, varësisht prej objektit të frymëzimit, siç janë fjala vjen, temat dhe motivet për vendlindjen dhe lirikat intime ose të dashurisë, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë poetike të këtij autori. Xhevahir Spsahiu ka një përgjegjësi të madhe ndaj fjalës së thënë gjegjësisht të pathënës,duke e ngritur në kult atë. Fjala poetike në rastin e Xhevahir Spahiut është vet poeti dhe anasjelltas. Nga një vetëdije e këtillë e lartë e Xhevahir Spahiut për fjalën poetike mund të shikohet edhe prirja dhe përkushtimi për ta zgjedhur atë, për ta matur dhe për ta vendosur në relacione të ndryshme, të cilat do të reflektojnë nuanca të reja kuptimore. Në tërë krijimtarinë poetike të tij, mishërimi i poetit me fjalën dhe kultit ndaj saj, sa vjen dhe bëhet më i rreptë nga poezia në poezi, nga vëllimi në vëllim. Poezia e Xhevahir Spahiut shquhet edhe për reduktimin maksimal të materialit gjuhësor. Ai është mjeshtër i madh i artikulimit të fjalës së ngjeshur, të të shprehurit lakonik, prirje kjo që nuk vjen si rezultat i reduktimeve të qëllimshme të mjeteve shprehëse, por që ka të bëjë me natyrën krijuese të poetit. Një dëshmi e mirë për këtë janë edhe poezitë, vargjet të cilat poeti i pagëzon ‘shkurtima’. Xhevahir Spahiu bie në kategorinë e poetëve të cilët arrijnë të thonë shumë, me pak fjalë, gjë që e karakterizon tërë krijimtarinë e tij. Nga një ndërtim i tillë i vargut, fjala çdo herë pushton hapsira të reja poetike, sjell novacionin, të papërsëritshmen. Kjo mënyrë e ndërtimit të vargut e shtrirë në tekstin poetik me mjete shprehëse maksimalisht të kursyera, e bën poezinë e tij, më shumë se me tekstin, flet me nëntekstin e saj. Xhevahir Spahiu i qëndroi besnik deri në fund vokacionit të parë të poezisë. Pra, ai erdhi në letërsinë shqipe si poet dhe mbeti i tillë. Ai nuk e tradhtoi poezinë dhe nuk shkroi në ndonjë gjini tjetër letrare. Në një bisedë në TV, rreth kësaj pyetje, poeti do të shprehet: “Jo rrallë poeti e ka të vështirë të harmonizohet me botën përreth. Ai bën një jetë poetike dhe gati duket sureal në sytë e të tjerëve. Ndofta, nëse jeta do ma kishte lejuar të isha më i qetë, të kisha më shumë kohë, të ngulesha më fort…ndofta…,por prapë dyshoj.” Ai shkroi edhe disa përmbledhje të poezive për fëmijë, përmbledhje me eseistikë dhe reportazhe letrare dhe përktheu disa libra me poezi nga letërsia botërore. Xhevahir Spahiu, pavarësisht barrikadave dhe kufijve ideologjikë, gjë që ka rezultuar edhe me mungesën e një kritike të mirëfilltë letrare në horizontin soc-realist të Shqipërisë, ai me krijimet e tij e ka tërhequr vëmendjen e opinionit që në fillim. Poetit nuk i ka munguar as lexuesi shqiptar, përkundrazi ai gëzon një popullaritet që rrallë ndodh me poetët dhe poezinë në përgjithësi:” edhe pse poezia vazhdon të lexohet si lloj elitar i letërsisë dhe rëndom nuk hyn në listën e librave më të shitur. Fenomenet e këtilla si popullariteti i Spahiut tek lexuesit shqiptarë dëshmojnë lidhshmërinë e tekstit letrar me jetën, rikujtojnë rolin shoqëror dhe moral të shkrimtarit, që gjithsesi, nuk del nga përkushtimi vetjak, por edhe nga parimet e një tradite përkatëse letrare, e një tradite që sidomos poezinë e konsideron si mjetin më të fisëm të realizmit etnik njerëzor. “ Librin e Nuri Dragoit, përpara se ta quajmë një kontribut të vyer në shërbim të lexuesve, do ta konsideroja si një detyrim të bashkëkohësve të Xhevahirit, për të skalitur figurën dhe biografinë e tij, në arkivin e biografive të tjera, ndaj njerëzve të shquar të këtij kombi. Ky libër është një mozaik vlerash letrare- historike, ku kalojnë si në një shirit filmik të gjithë momentet kyçe të jetës së poetit, ose të paktën disa prej atyre momenteve që determinuan formimin e tij shoqëror dhe ideoestetik”, shkruan në parathënien e librit, shkrimtari Dritëro Agolli. Libra dhe pjesë të krijimtarisë poetike të Xhevahir Spahiut janë botuar në shumë gjuhë të huaja. Ai ka marrë mbi dhjetë tituj dhe çmime letrare dhe ndërkombëtare, ndërsa poezia e tij është përfaqësuar gjerësisht në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe të botuara gjatë 20 viteve të fundit në Shqipëri dhe në gjuhë të huaja.