AKU bllokon 22.9 ton kripë që tregtohej jashtë standardeve

534
Sigal

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur bllokimin e një sasie prej rreth 23 ton kripë që përdoret për konsum njerëzor. AKU ka konstatuar një nivel jashtë normave të lejuara të jodit në kripën e analizuar. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar kontroll në 52 subjekte të cilët kanë si aktivitet importimin, përpunimin dhe ambalazhimin e produktit kripë, ku dhe janë evidentuar problematika dhe mospërmbushje të kërkesave ligjore në hallkat e ndryshme të zinxhirin ushqimor “kripë për konsum njerëzor dhe industrinë ushqimore”, për të cilat ka vendosur:

  • 8 urdhër-bllokimi për sasinë totale 22.9 ton
  • 9 masa administrative “Gjobë” në vlerë totale 3,750,000 lekë
  • 5 masa administrative “Paralajmërim”

Gjatë kontrolleve të kryera u morën 82 mostra të produktit kripë për analizim të nivelit të jodit. Për 74 mostra të marra, raport-analizat rezultuan konform normave të lejuara ndërsa për 8 mostra të tjera, raport-analizat rezultuan jashtë normave të lejuara dhe për rrjedhojë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi bllokimin e menjëhershëm të produktit dhe njoftoi Inspektoratin Shtetëror të Shëndetësisë. ​ Në 5 subjekte që ushtrojnë veprimtari importuese janë vendosur 8 masa administrative “Gjobë” për import të parregullt, për tregtim ushqimi të pasigurt, etiketim të parregullt dhe pengim të kryerjes së inspektimit. Gjithashtu në këto subjekte u bë dhe bllokimi i produktit kripë në sasi totale prej 22.3 ton kripë ne total.