Suplementi Pena Shqiptare/ Bujar Leskaj: Një novelë për kujtesën e dhimbjeve 

287
Sigal

Kur mora në dorë novelën “Plaku i Kënetës” të shkrimtarit Bedri Çoku rrëmbimthi m’u soll ndërmend se Doris Lessing me libërthin “Fëmija i Pestë” shënoi një kthesë paradigmatike në doktrinën dhe konceptualitetin e letrave, që i shpërbleu asaj jo vetëm krijimtarinë, por edhe thinjat e urtësisë së saj me vlerësimin më të lartë që mund të marrë njeriu-shkrimtar në jetën e vet, Çmimin “Nobel”, aq më tepër në një moshë të përparuar, plot 80-vjeç. “Plaku i Kënetës” është, gjithashtu, një novelë që si edhe në rastin e novelës tronditëse të Lessingut, mund të ndodhë t’a lexosh me një frymë në një ndër ato pasditet ekzistenciale që na ndodh të gjithëve t’i përjetojmë e kur shoku më i mirë në vetminë tënde meditative bëhet pikërisht libwr/leximi. Në rrethana të ngjashme e “përpiva” novelën e Bedri Ccokut, shoqëruar me parandjenjën se brenda e saj do të më trazonte shpirtin, ndërsa përfytyroja kalvarin e jetës së autorit si ish i dënuar politik në burgjet e komunizmit. Padyshim, parandjenja ime u përligj kur zbulova përmes një leximi të ethshëm se “Plaku i Kënetës” është një rrëfim i thjeshtë, por njëkohësisht mbresëlënës dhe drithërues i dhimbjes së njeriut të cilit pushtetet e dhunshme njerëzore i shprishin marrëdhënien me natyrën dhe lirinë që buron prej saj. Sfondi i novelës me Kënetën e Karavastasë nuk është vetëm një mënyrë për të çliruar rrëfimin e autorit përmes detajeve që ai i njeh shumë mirë, por edhe një mundësi e përkryer për të ndërlidhur fatin e plakut me atë të kënetës së shtetëzuar. Përgjatë përshkrimit të trishtimit të personazhit kryesor, Xha Demit dhe lundrës së tij që ka mbetur rrëzë kasolles, autori përngjan me stilin rrëfimtar të Kutelit, ku nëpërmjet ngjyresave të fjalëve të përcillet një peizazh i dallueshëm lokal i Myzeqesë. Për shumëkënd titulli i novelës risjell në kujtesë në një analogji aspak rastësore kryeveprën e famshme të Heminguejit “Plaku dhe Deti”. Ndonëse kjo ngjashmëri duket sikur i përket vetëm titullit, ndikimi i Heminguejit vjen i gjallë dhe i pranishëm, veçanërisht për sa i përket huazimit të një modeli të caktuar estetik dhe deri diku tematik. Jo rrallëherë përgjatë ndërtimit të novelës ndjehet kundërvënia mes plakut dhe natyrës, por tashmë jo si në rastin e shkrimtarit amerikan ku peshkatari i vjetër kërkon të sfidojë të tjerët me fuqinë e tij, por si një dialog i Xha Demit me peshqit që ndiejnë dhunën e njeriut dhe të natyrës. Përkundër një sërë përshkrimesh të hollësishme të autorit të mveshura me plot fjalë të ligjërimit vendas arrihet të ngjizet një rrëfim i pasosur mes dhimbjes dhe forcës. Ky dyluftim i vazhdueshëm e ndjek lexuesin përgjatë gjithë shtjellimit të ngjarjeve që duket sikur rrjedhin me shpejtësinë e ujit. Përpjekja për të mposhtur dhimbjen nga largimi prej kënetës përfaqësohet tek një vizatim i tipareve të Xha Demit që rreket të pushtojë hapësirën e pamatë të kënetës me fuqinë e dashurisë për krijesat e saj që i kanë mbajtur frymën dhe shpirtin gjallë. Dialogu që ndërton me peshqit e ngrirë dhe keqardhja për to përzihet me dramën e tij e cila mban jehonën e rropamës së barkës që e dërrmon me duart e tij në shenjë proteste. Në thelb të kësaj novele është vetëshkatërrimi dhe dhimbja prej mungesës së lirisë. Nga dëshpërimi prej stanjacionit që personifikohet aq mirë te këneta, përgjithësisht simboli i ujit të ndenjur, buron një neveri e paevitueshme prej Sartri apo Kamyje, që autori kërkon t’a shpërthejë, ashtu sikur hekurat e ndryshkur, të zymtë e kobndjellës të burgut, për të fluturuar drejt qiellit të lirisë.

 

Dëshpërimi përforcohet edhe nga një fatalitet në dukje i paracaktuar, një rastësi alegorike ogurzezë, që ngjan sikur do t’a lidhë përjetësisht dhe pa kthim jetën dhe destinin e xha Demit me kënetën-llangosje të përhershme. Këtu autori Bedri Çoku orientohet për nga teoritë e determinizmit që i gjejmë rëndom të ngërthyera në kryeveprat e Viktor Hygoit, Emil Zolasë dhe që gjykojmë se kanë qenë pjesë e pranishme e horizontit letrar të shkrimtarit. Determinizmi hygolian, zolian, etj, sipas të cilit njeriu-subjekti letrar mbeten produkt i kontekstit-relievit historiko-gjeografik, në këtë rast i komunizmit-Kënetë, e thellon më shumë ngarkesën alegorike të novelës. Kjo e fundit ndërtohet përmes hollësive të rrëfimtarit-shkrimtar, i cili me mjeshtëri bën të gjitha përpjekjet që përmes dhimbjes individuale të plakut të Kënetës t’i shtrijë pasojat e tragjedisë përtej cakut të tij kohor. Kemi të bëjmë me të njëjtën gjetje stilistike si edhe në veprën e Heminguejit, ku sfida e peshkatarit të vjetër kuban është t’u tregojë të tjerëve se vitet e moshës nuk janë një fatalitet biologjik për t’i lënë sfidat e jetës në mes. Përkundrazi, në rastin e plakut të Kënetës së Karavastasë, lufta e tij nuk është vetëm t’u tregojë të tjerëve se çfarë fshihet pas “demit të egër” ose “lubisë”, por t’u tregojë vuajtjet që shkaktojnë demonët e pushtetit mbi individin që kërkon të shijojë lirinë e tij, duke jetuar me hapësirën e natyrës dhe krijesat e saj. Nuk besoj se mund të shprehej më bukur frika ekzistenciale prej atrofizimit, përhumbjes, vdekjes, që në përgjithësi e shoqëron dhe duhet të shoqërojë njeriun që jeton në kushtet më normale të një jete të lirë, por që merr përmasa të shpërpjestuara e të jashtëzakonshme për Plakun, Xha Demin e Kënetës, shkrimtarin e burgosur, Njeriun e tjetwrsuar nën komunizëm. Në tërësi, vepra përcjell përmes historisë individuale të Xha Demit sfilitjen dhe zhvlerësimin e një morie njerëzish të cilëve iu desh të përballen me forcën e pushtetit që të detyron deri sesi duhet të marrësh frymë për të jetuar. Natyra është një simbol i lirisë së individit përsa kohë ajo simbolizon hapësirën dhe njëfarë vetërregullimi të brendshëm, i cili nuk ndjen nevojën e ndërhyrjeve të tjera. Në mënyrë të veçantë, marrëdhënia e njeriut me detin, liqenin, apo në rastin tonë me kënetën, pavarësisht stanjacionit që buron prej saj, është një vartësi, e cila e çliron shpesh atë nga ndjenja e zotërimit të gjithëkohshëm prej diçkaje. Në këtë marrëdhënie realizohet njëkohësisht edhe liria, por edhe dëshira për bashkëjetesë e sfidë të dyanshme larg ndërhyrjeve të jashtme. Pikërisht fakti që “Këneta” është kthyer në një mollë të ndaluar për Xha Demin, nuk e shkëput atë nga dëshira e kahershme, ashtu si Adami në kopshtin e Edenit, të provojë nën ngasjen e peshkatarit ujërat e ngrira të saj. “Mëkati” i tij në këtë rast nuk ka çmimin e vdekësisë por të një lloj përjetësie të dëshirës së njeriut për t’a pranuar lirinë e përditshme si dhuratë të Zotit e natyrës. Endja e tij me varkën e sajuar, nëpër kënetën e ngrirë të atij dimri të vitit 1967, nuk është vetëm një përpjekje për të kërkuar jetën që lëviz nën gjallesat e ujit por edhe një çlirim prej dhunës së tokës. Paralelizmi historik i atij viti të “çzotërimit” të gjithçkaje është rrëfyer përmes një gjuhe mjaft të zhdërvjellët të shkrimtarit, i cili me përsiatjet e Xha Demit zbulon tragjedinë që ka pushtuar njeriun e thjeshtë. Alegoria e peshqve të ngrirë nën cipën e akullt të kënetës është një përjetim i dyfishtë qoftë i personazhit apo edhe i shkrimtarit-viktimë e regjimit komunist me ngricën shpirtërore dhe vdekjen fizike që ajo ndillte përmes ftohtësisë dhe egërsisë së saj. Në të gjithë novelën ndjehet përqasja mes fatit të individit në një shoqëri të shtypur dhe indiferencës që e shoqëron atë deri në fund. Tragjedia individuale e Xha Demit në mes të kënetës së ftohtë ndesh në heshtjen e rremave të varkave të peshkatarëve “shtetërorë”, të cilët janë pajtuar me fatin e përcaktuar nga të tjerët. Simboli i varkës së Plakut të Kënetës që endet e vetme, megjithëse e brishtë deri në det, nuk është gjë tjetër veç kërkimi pa fund i lirisë që ka çmimin e saj. Në këtë rast autori nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka vetërrëfyer përmes fatit metaforik të Xha Demit atë që përjetuan breza të tërë gjatë një regjimi ku bashkëvuajtësit i njihnin tashmë fajtorët. Megjithatë historia dhe fati individual i Xha Demit nuk arrin të zbehë forcën dhe dashurinë për ato çaste të jetës që kanë vlerë edhe brenda dhunës që vjen nga lart. Rikthimi i tij herë pas here tek kujtimet që e lidhnin me gruan dhe fëmijët është një nga ato çaste që ia heqin lodhjen dhe sfilitjen, ashtu sikur edhe peshqit e shpezët e kënetës. Në asnjë prej këtyre çasteve ai nuk harron të mposhtë lodhjen e pamatë të krahëve që shtyjnë varkën me dëshirën për të rrëfyer dashurinë për familjen. Në këtë mënyrë ajo kthehet herë pas here në një burim force që e detyron të përtërijë vetveten dhe qëllimet. Nëse i rikthehemi krahasimit të kësaj novele me romanin e Heminguejit “Plaku dhe Deti”, vërejmë së përkundër kësaj të fundit lufta e Plakut të Kënetës me dashurinë e pamatë ndaj atyre gjallesave të ujit që i kanë dhënë kuptim jetës së tij. Dialogu i Xha Demit me peshkun e ngrirë që kishte ngelur në lopatën e tij nuk përmban sfidën e plakut të Heminguejit, që rreket të mposhtë peshkaqenët, por është një luftë me vdekjen dhe dëshirën për të qenë i lirë. Nëse peshkatarit të Heminguejit i duhet të përdorë lirinë për të peshkuar dhe të tregojë se mund të mposhtë natyrën, Plaku i Kënetës rreket t’i ikë mungesës së lirisë përmes endjes së tij me varkë, por nuk e mund dot atë. Në të dyja rastet, marrëdhënia që ndërtohet mes forcës së moshës dhe natyrës shndërrohet në një sfidë të përhershme, por Xha Demi pëlqen të shijojë sado pak ajër të lirë dhe të presë fundin e tij mes saj. Në thelb, dy personazhet-simbol të Bedri Ccokut dhe të Ernest Heminguejit, “Plaku i Kënetës” dhe “Plaku dhe Deti” i ndan në mes liria për të lëvizur. Ata nisen me të njëjtën varkë, por me qëllime dhe fund të ndryshëm. Përgjatë gjithë rrëfimit të veprës autori arrin të përmendë një sërë detajesh që e lidhin pashmangshmërisht lexuesin me vende konkrete. Në këtë rast konkretësia e zhvillimit të ngjarjeve në një vend të mirëpërcaktuar e të mirënjohur nuk e ngushton elementin përgjithësues të mesazhit artistik tek lexuesi. Këneta e Karavastasë, kasollja prej peshkatari e Xha Demit dhe të gjithë objektet apo elementët e atyshëm shënojnë një marrëdhënie të dukshme mes njeriut dhe detit si hapësirë veprimi. Por nëse në rastin e “Plaku dhe Deti” të Heminguejit, deti është një hapësirë lirie që e fton peshkatarin e vjetër të provojë forcën e fatit dhe fatin e forcës së tij, tek “Plaku i Kënetës” endja me varkë në kënetën e ngrirë është një sfidë për të kërkuar lirinë edhe me çmimin e vdekjes.

Duke iu rikthyer parandjenjës dhe shqetësimit tim të fillimit, do të dëshiroja t’a përmbyllja këtë vështrim kritik mbi novelën e Bedri Çokut me një paralelizëm të pashmangshëm që ndërtohet vetvetiu mes këtij narracioni të fuqishëm alegorik dhe biografisë së shkrimtarit, i cili përmes shkrimit artistik arriti jo vetëm të shtjellojë e tregojë dramën e vet, por edhe të ndërtojë një model letrar që duhet studiuar më shumë nga kritikët e specializuar dhe shfletuar më shumë nga lexuesi i thjeshtë. Padyshim ky nuk është rasti i vetëm apo fati ekskluziv i Bedri Çokut, por edhe i plejadës tjetër të qindra shkrimtarëve të dënuar e burgosur barbarisht përpara viteve 90-të. Megjithëse Plaku i Kënetës është shkruar në post-komunizëm, kjo novelë e të huajësimit, dëshmon se pavarësisht ndrydhjes prej kangjellave të burgut, Bedri Çoku dhe gjithë shkrimtarët e brezit të tij kishin lirinë e pamohueshme të mendjes, një hapësirë paralele-top sekret, ku mendjet perverse të persekutorëve nuk do të mund të depërtonin asesi. Për këta heronj, ashtu si edhe për të mirin, të urtin e të pafatin, Xha Demin, nuk mund të kishte amnezi të mendjes, pasi mendimi i lirisë, gjakimi drejt saj ishin ngadhnjimi që tejkalon çdo mbyllje, çdo diktaturë, persekutim, censurë apo edhe vdekjen në vetvete. Kjo disidencë meriton nderimin më të madh, pasi mendja e çliruar e artistit/shkrimtarit-profet, përpos përjetësimit të kujtesës së dhimbjeve, ia ka dalë mbanë çdo sfidë prej Kënete për të lartësuar edhe më shumë Panteonin e Letrave, që është dimensioni i vërtetë i lirisë. Ky shkrim tejet i merituar për autorin dhe veprën e tij, “Plaku i Kënetës”, një novelë për kujtesën e dhimbjeve përcillet prej meje edhe si një respekt në kujtim të heronjve të Kryengritjes së Spaçit më 21 maj 1973, plot 38 vjet më parë, në të cilën fisniku Bedri Çoku ishte një prej drejtuesve antikomunistë të saj. Respekte për heroin Bedri Çoku, vlerësim maksimal edhe për veprën letrare të tij!