Suplementi Pena Shqiptare/ Natasha Lako: Kthimi i Skënderbeut

204
Sigal

 

Kthimi i Skënderbeut -Thesi me pëllumba-1995

Atje në rrugën që s’ishte,

nga qielli me sy, nga korbat në duar,

me trok që nuk gjendet, me gjak që nuk ikën,

atje Skënderbeu kishte kohën si thikën.

Atje ishte ulur dhe prehej i lodhur,

lypsarët s’e gjenin, s’i jepnin një krodhe,

e merrnin ta lanin , e kthenin fëmijë,

e zhduknin në gjumë, e gjenin të thinjur.

Atje Skënderbeu i çarë, i prishur,

me pendën dhe bojën e engjëllit të grishur,

pazmore vitrinash dhe kuajsh në corbe,

lëvore e zgavrave, ullinjë si lote.

Atje ku ullinjtë i presin dhe s’qajnë,

nga goja e ikur lumenj po ndahen.

Andej unë kam ardhur, prej andej unë kam ikur,

andej ku veç koha ka mbetur si thikë.

Atje ku veç koha ka mbetur e zbrazët,

të zhdukura janë hapat, të zhdukura pragjet,

i ulur atje, i shenjtë dhe i lodhur,

i vetmi njeri qe nuk di cfare ka ndodhur.

 

Zbërthim në fundviti

Zbërthehet ndonjëherë bota:

zbërthehet ndonjëherë viti?

Ndodh,

Po njeriu nuk e ka të lehtë shfaqjen

e, të papyetshmeve fytyra,

që enden gjithandej,

si të duan të fshehin maskat.

Ishte një kohë që ishte një vit,

që edhe zhveshjen e trupit e vuri në ferr,

ku edhe lamtumirat janë të papërqafuara.

Dhe çfarë mund të jetë bota më e përbindshme,

se sa të jetojë me puthjet e braktisura.

Gjithnjë ndodh kjo në luftë, por jo më përtej,

luleve që çelin në zemër si dritë semaforësh!

Ndodh, ndodh edhe kjo, po përse ta them:

E lakuriqtë është bota edhe më e bukur kur e pyes:

Me kë po bën dashuri, ti moj zemër?