Skema korruptive në Postën Shqiptare/ Ervin Bushati mbush partinë me para, i jep 500 mijë euro pa garë firmave që ofruan 99% të fondit limit

404
Sigal

Ervin Bushati mbush partinë me para, 500 mijë euro i jep pa garë firmave që ofruan 99 % të fondit limit

 

Vetëm disa javë nga  emërimi në krye të Postës Shqiptare , kreu i PS-së së Tiranës duket se po vjel frytet e para. Ai po ecën në gjurmët paraardhësit të tij në këtë post, “sheikut” Laert Duraj me qarkullimin e milionave euro

 

Socialistët po tregohen vërtetë specialista. Njerëzit e besuar, ata që “kojnë” partinë me para, janë vendosur në poste kyçe. i tillë është edhe emërimi i Ervin Bushatit në krye të Postës Shqiptare. Megjithëse ishte në vend të sigurt në listat e PS-së për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ai u “mund” nga Fatmir Xhafaj dhe Orlando Rakipi.

Por, pavarësisht se ishte kandidati mashkull më me pak vota, Bushati u katapultua në një nga postet më të lakmuara: drejtor i Postës Shqiptare. Një nga shoqëritë më fitimprurëse të shtetit shqiptar, e cila qarkullon dhjetëra miliona euro. Por, kur kanë kaluar vetëm disa javë nga ky emërim, kreu i PS-së së Tiranës duket se po vjel frytet e para. Ai po ecën në gjurmët paraardhësit të tij në këtë post, “sheikut” Laert Duraj, i cili u zgjodh deputet.

Bushati po përdor pikërisht skemën e Durajt. Referuar  dokumenteve tëBoldNews.al, Ervin Bushati ka firmosur fituesin e tenderit me objekt “shërbimi i mirëmbajtjes së sistemeve të alarmit e të vëzhgimit, marrjes në rrugë valore te sinjaleve të alarmit, verifikimit dhe reagimi me grup të gatshëm në të gjitha filialet e degët dhe shërbimjn me GPS për automjetet e Postës Shqiptare”.

Fondi për këtë tender ka qenë plot 51.280.388 lekë, ose rreth 500 mijë euro me TVSH. “Burimi i financimit nga të ardhurat e shoqërisë ‘Posta Shqiptare’ sh.a” thuhet në këtë dokument. Tenderi është zhvilluar në fund të shtatorit, ndërsa ka bërë ofertë bashkimi i operatorëve “Elektrosek”, “S.A.S”, “Nazeri 2000”, “Trezhnjeva” dhe “Arb Security”. Ky bashkim operatorësh ka ofruar 50.999.999 lekë.

Pra, shumë afër fondit limit (51.280.388). Ndërkohë, në tender ka marrë pjesë formalisht edhe “Intracom Telecom Albania”, e cila nuk ka dorëzuar as dokumentacion ligjor dhe as ofertë ekonomike. Pra, procedura tepër fiktive. Për më tepër shumë të dyshimta, pasi në rastin e parë firmat janë bërë bashkë duke eleminuar konkurencën. Por, nëse Bushati apo drejtorët e tjerë të Postës Shqiptare e kishin ndarë mëndjen të jepnin këto lekë, përse bënë tender? Ku është Autoriteti i Konkurrencës?

Apo edhe institucionet e ashtëquajtura të drejtësisë së re? Natyrisht që merren me cironka, pasi peshkaqenët e vërtetë po bëjnë namin, pa iu futur një gjëmb në këmbë.