Pjesëmarrje e madhe dhe plot rekorde të thyera në Kampionatin Kombëtar të Notit për fëmijë

201
U zhvillua në datat 21-22 mars Kampionati Kombëtar i Notit për Fëmijë, ku në këtë aktivitet morën pjesë rreth 200 sportistë të ekipeve Tirana, Teuta, Te Stela, Nobis Sëimming, Partizani, Saranda Not-Sport, Wilson, Shoqata e Sporteve të Ujit, Tradita, Alb-Sport, TDS, Jon-Vlorë, Flamurtari. Aktiviteti pati një rivalitet të fortë në të gjitha grupmoshat dhe gjithashtu u vu re një rritje cilësore sportive mjaft e kënaqshme. Këtë sigurisht më mirë e tregojnë rekordet e thyera, jo vetëm ato individuale por edhe të stafetave, gjë që tregon se ka rritje cilësore jo vetëm në individë të caktuar por edhe në grupe, ku shihet qartë bashkëpunimi mes notarëve. Në këtë turne, përveç emrave të ekipeve që jemi mësuar t’i shohim si rivale të njëra-tjetrës si Tirana, Te Stela, Teuta etj., këtë radhë u vu re edhe një ekip tjetër shumë ambicioz, siç ishte Nobis, ku me notarët dhe paraqitjet e tyre i dha një ngjyrë edhe më të bukur këtij 
kampionati. Garat u zhvilluan në pishina të mbyllura, ku u vu re qartë një ecuri shumë e mirë për secilin pjesëmarrës. Dallimin sigurisht e bëri ekipi i “Te Stela”, ku u shpallën edhe ekipi më i mirë i kampionatit, pasi morën edhe titullin si më të mirët e aktivitetit, si për meshkuj ashtu edhe për femra. Sa i përket sportistëve më të mirë të aktivitetit, më e mira u shpall Alesia Neziri e Tiranës për ferma, ndërsa për meshkuj u shpall Spiro Goga i Teutës. Ndërsa për grupmoshat u shpallën këto fitues:
9-10 vjec: Juga Selimi (ekipi Tirana) dhe Devi Bardhi (ekipi Te Stela); 11-12 vjec Ledia Allaraj (ekipi Partizani) dhe Kleidi Kadiu (ekipi Teuta) të cilët u nderuan me medalje. Në tërësi ky aktivitet i kaloi pritshmëritë, duke përbërë kështu një bazë tjetër të fortë në sportin e notit në Shqipëri, që po vendos në kohën e tashme arritje shumë të vyera, duke dhënë një garanci edhe për turnetë e nesërm, ku padyshim në bazë të punës që po kryhet as kjo nuk do të mungojë. Në tërësi të gjitha ekipet u ndanë shumë të kënaqura, ku niveli dhe numri i pjesëmarrëseve sa vjen dhe rritet, për çdo kategori, duke e bërë akoma edhe më të fortë dhe emocionuese garën, në çdo turne. Arritjet dhe rekordet e thyera tejkaluan edhe ato të arritura në turneun e fundit, atë të “Mimosa Cup”, në Herceg Novi, duke arritur kështu pas çdo kampionati të arrihen të tjera vlerësime edhe më të mëdha. Të gjithë trajnerët pjesëmarrës, me ekipet e tyre, ishin njëzëri kur shpreheshin për rritjen e cilësisë dhe arritjet më të mëdha që do i presin notarët në vitet në vazhdim, e më mirë se ata askush nuk mund ta dijë, duke qenë se i trajnojnë ditë për ditë. Një kampionat rezultativ, një kampionat me rekorde dhe një kampionat që tregoi edhe një herë se sa po përparon ky sport, me vullnetin e mirë dhe me punën po aq të mirë të sportistëve, trajnerëve, Federatës dhe prindërve që nxisin fëmijët që të bëhen pjesë e një sporti kaq të bukur. 
Ekipet që morën pjesë
Tirana,
Teuta 
Te Stela 
Nobis Swimming 
Partizani 
Saranda Not-Sport 
Wilson
Shoqata e Sporteve të Ujit 
Tradita 
Alb-Sport 
TDS 
Jon-Vlorë
Rekordet e thyera në garat individuale
Devi Bardhi (M)- Te Stela- 400 m stil i lirë
Vivian Xhemollari (F)- Te Stela- 200 m flutur
Sonja Kapedani (F)- Nobis- 100 m bretkosë
Ledia Allaraj (F)- Partizani- 50 m shpinë
Flavio Kora (M)- Nobis- 200 m shpinë
Vivian Xhemollari (F)- Te Stela- 200 m katërnotim
Devi Bardhi (M)- Te Stela- 200 m stil i lirë
Telma Hashorva (F)- Te Stela- 200 m shpinë
Spiro Gogo (M)- Teuta- 800 m stil i lirë
Laert Selimi (M)- Tirana- 200 m shpinë
Kledi Kadiu (M)- Teuta- 100 m stil i lirë
Ergi Veli (M)- Partizani- 200 m bretkosë
Arsinda Dervishi (F)-Nobis- 800 m stil i lirë
Sportistet më të mirë u shpallën:
Alesia Neziri (ekipi Tirana)
Spiro Goga (ekipi Teuta) 
Për grupmoshat u shpallën këta fitues:
9-10 vjec
Juga Selimi (ekipi Tirana)
Devi Bardhi (ekipi Te Stela)
11-12 vjec
Ledia Allaraj (ekipi Partizani)
Kleidi Kadiu (ekipi Teuta) 
Në lidhje me këtë turne të zhvilluar, flasin për “Telegraf” presidenti i Federatës së Notit, Agim Çiraku dhe trajnerët Bashkim Aliraj, Dashamir Bregu, Sadik Mema dhe Arjan Fetishaj ku ata bëjnë të ditur arritjet dhe punën që po bëhet, çka sigurisht sjell edhe arritjet e deritanishme. 

Bashkim Aliraj, trajner i “”Jon Vlorë”: Noti po vendoset në baza të forta
Ky kampionat ishte një nga më të mirët të zhvilluar ndonjëherë, qoftë sa i përket organizimit qoftë sa i përket pjesëmarrjes. Duhet thënë se ka pasur një numër të madh notarësh që kanë marrë pjesë në këtë turne, sidomos në grupmoshat 11-12 vjeç, ku ka qenë e përqendruar numri më i madh i tyre. në fakt një fjalë shumë e mirë i shkon edhe Federatës së Notit dhe presidentit Agim Çiraku, që i qëndroi gjithmonë në krye këtij turneu, ashtu siç u pa edhe nga të gjithë. Duhet thënë se noti po vendoset në baza të forta, në baza të shëndosha, e duke bërë një krahasim me vitet e tjera, çdo gjë po shkon drejt një përmirësimi të dukshëm, e po vazhdoi kështu do të ecet edhe më shumë përpara. meritojnë vlerësimet çdo ekip që mori pjesë, që nga “teStela”, “Tirana”, “Teuta” etj., që treguan nivel të lartë në not, duke sjellë kështu një nivel të ri në notin shqiptar.
Dashamir Bregu, trajner i “Partizani”: Çdo trajner duhet të jetë i kënaqur me notin në Shqipëri
Pjesëmarrja në këtë turne ishte shumë e lartë për moshat, pionierët, duke e bërë këtë turne akoma edhe më të bukur. Duhet thënë diçka në lidhje me organizimin, që ishte shumë i mirë dhe u vu re se nuk pati asnjë pakënaqësi, asnjë irritim, çdo gjë u zhvillua në trajtën pozitive të një konkurrimi. Në fakt, pionierët morën rezultate shumë të larta, ku pothuaj barazohen me rezultatet e të rriturve, duke treguar qartë potencialin e tyre në këtë fushë. Në fakt, unë mendoj se çdo trajner duhet të jetë i kënaqur me notin në Shqipëri, pasi shihet qartë se sa shumë po punohet dhe ka shumë arritje në çdo turne. Sa i përket skuadrës së Partizanit, patëm shumë sukses edhe këtu, ku morëm medalje të shumta, por gjithashtu thyem edhe rekorde, si në rastin e Ledia Allaraji që theu rekord kombëtar për moshat, pionierët, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Ergi Veliaj që theu rekordin kombëtar për moshat, për meshkuj. Sa u takon notarëve, doja të bëja një përmendje të vogël për më të riun, Paolo Andoni, që vetëm 9 vjeç merr pjesë në kategori me më të mëdhenj se vetja, e unë si trajner i tij them se ka për të pasur një të ardhme të madhe. Për ta mbyllur do të doja të përmendja edhe një herë trajnerët e tjerë, që këtë herë ishin shumë avangardë, erdhën ndryshe dhe dhanë rezultate si tek Teuta, Tirana etj. Sa i përket Partizanit, ne kemi kohë që po ecim mirë, duke e shënuar emrin tonë në tabelën e rekordeve. 
Sadik Mema, trajner “Te Stela”:
Ky turne ishte shumë i mirë, me një pjesëmarrje masive të notarëve të vegjël. Ne si akademi përmirësuam shumë rekorde, ku me 46 notarë pjesëmarrës, përmirësuam 8 rekorde të stafetave, 7 notarë të tjerë përmirësuan rekordet të tjera kombëtare. Duhet thënë se ky turne, sa i përket arritjeve, ishte shumë më pozitiv sesa ai i Herceg Novit, në “Mimosa Cup”. Sa i përket organizimit, çdo gjë shkoi shumë mirë, por në lidhje me këtë u vu re një lodhje e pjesëmarrësve pasi garimi bëhej me 3 seanca, prandaj edhe Federata dhe Presidenti vendosen që turnetë e tjerë të bëheshin me 4 seanca, duke pasur një shtrirje më të gjerë kohore, çka sigurisht lehtëson punën për të gjithë ne. 
Arjan Fetishaj, trajner “Tirana”:
Aktiviteti i realizoi objektivat, pjesëmarrja ishte e kënaqshme, por përveç Durrësit dhe Sarandës, rrethet e tjera janë përfaqësuar me më pak notarë. Sa i përket Tiranës, u paraqitëm shumë mirë me notarët që kishte, ku arritëm që të shpallnim edhe më të mirën e turneut për femra me Alesia Nezirin në kategorinë A dhe Juga Selimin në kategorinë C. Arritëm që të thyenim rekorde kombëtare në stafetën 4X50, stil i lirë, gjithashtu edhe Laid Selimi theu rekord kombëtar në 200 metra shpinë. Në tërësi organizimi shkoi shumë mirë, gjithashtu edhe rezultatet për ne ishin shumë të mira. 
Flet Agim Çiraku, Presidenti i Federatës së Notit: Pjesëmarrje 18% më e lartë se në sezonin e kaluar
Në dallim nga sezoni i kaluar, çfarë ndryshimesh vihen re?
Në krahasim me sezonin tjetër, pra në turneun dimëror të kampionatit, pjesëmarrja është 18% më e lartë, duke e rritur shumë numrin e fëmijëve që konkurrojnë. 
Sa i përket rretheve të tjera, si po punohet nga ju për shtrirjen e këtij sporti?
Ne si Federatë po krijojmë shtrirje edhe në rrethet e tjera, ku sigurisht gjëja e parë që duhet të bëhet është ndërtimi i pishinave. Aktualisht në Durrës po bëhet një punë më e mirë, pasi ka përfunduar një pishinë dimërore, gjithashtu kryetari i Bashkisë së Durrësit ka investuar 500 milionë lekë për të kthyer në gjendje pune një pishinë tjetër 50 metra, e standardit europian. Edhe në rrethet e tjera po punohet, por punë më e mirë aktualisht po bëhet në Durrës, ashtu siç e thashë.
Objektivat kombëtare dhe ndërkombëtare të Federatës?
Objektivat kombëtare janë që të thyejmë sa më shumë rekorde kombëtare, kurse, sa i përket objektivave ndërkombëtar, ne do të përgatitemi që në Lojërat Olimpike të shkojmë me normat e kapura nga vetë notarët, jo vetëm me ftesën që bën vetë FINA, me shtesat.
KATEGORIA MESHKUJ FEMRA
FËMIJË-C 9-10 vjeç (2005-2006) 9-10 vjeç (2005-2006)
FËMIJË-B 11-12 vjeç (2003-2004) 11-12 vjeç (2003-2004)
FËMIJË-A 13-14 vjeç (2001-2002) 13-14 vjeç (2001-2002)