Tirana dhe Partizani mbajnë gjallë shpresat për titull, Apolonia bën gati “valixhet”

545
Java e 28-të e Superligës, ashtu si çdo javë ka sjellë përsëri surpriza, ku bie në sy humbja e Flamurtarit ndaj Teutës, apo edhe fitorja me vështirësi e Kukësit ndaj Vllaznisë. Në mbarim të të gjitha ndeshjeve, janë përsëri ekipet e kreut që nuk gabojnë, duke mbajtur të njëjtën distancë si më parë, me Skënderbeun që qëndron në vendin e parë dhe Kukësin që e ndjek nga pas me dy pikë më pak. Gjithashtu edhe Tirana me Partizanin nuk kanë gabuar në ndeshjet e tyre, duke ruajtur kështu të njëjtën diferencë pikësh si më përpara. 
Apolonia-Tirana, vendasit rrezikojnë qëndrimin, bardheblutë për titull
Një ndeshje e rrezikshme sa i përket synimeve ajo e djeshmja për Tiranën, që në fund të takimit ia doli që të fitonte me rezultatin 0-2, duke grumbulluar kështu edhe një 3-pikësh tjetër me mjaft vlerë. Në fakt, kjo është një nga ato ndeshje që rezultati thotë shumë pak, pasi Tirana pati shumë vështirësi për të fituar, ku goli i parë erdhi nëpërmjet një penalltie, ndihmuar në vijimësi edhe me daljen me karton të kuq të Dimos. Ndeshja pastaj ishte më e lehtë për Tiranën, që tani kishin edhe sigurinë e një goli por edhe avantazhin në numër futbollistësh. Në total, asnjëra nga të dy skuadrat nuk luajti aq sa të bindte në fushë, duke dhënë kështu një performancë të dobët në tërësi. Goli i dytë ishte edhe ai i qetësisë për bardheblutë që ndodhen kështu në kuotën e 54 pikëve.
Partizani-Laçi, “demat” hakmerren në kampionat për humbjen e Kupës
Një humbje që nuk është harruar tek Partizani, ku u mundën 3-0 në Laç në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqiopërisë, humbje kjo që i skualifikoi direkt nga Kupa, duke i lënë vendin kurbinasve. Por Superliga është një tjetër histori, aty ku fiton Partizani dhe mban gjallë shpresat për titullin kampion, duke mos u larguar aspak nga renditja. Ndeshja e djeshme në fakt rezultoi e vështirë për vendasit, që përsëri arritën të fitonin ndaj një Laçi që ndërpret kështu serinë e 7 fitoreve radhazi. Kjo ndeshje ishte e drejtpërdrejtë për një vend në Kupat e Europës, ku në këtë rast fitoi shumë terren Partizani, duke mundur një skuadër që paraqet realisht një kërcënim konkret. Fitorja i lë “demat” përsëri para Tiranës në renditje, duke shpresuar kështu përsëri për titullin kampion. 
Skënderbeu-Elbasani, shpërthen sulmi korçar, Elbasani pothuaj zyrtarizon rënien
Një ndeshje që padyshim tregoi forcën e Skënderbeut, por edhe dobësinë e Elbasanin, ekip që për hir të së vërtetës ka qenë që në fillim të sezonit si pretendente për të rënë nga kategoria, e tani që kanë ngelur vetëm edhe 8 javë për tu luajtur, nuk është se ka edhe shumë shpresë për të verdhët. Në këtë takim, Skënderbeu tregoi edhe një herë forcën, duke mos u ndalur përballë asnjë kundërshtari, e deri më tani ka bërë çdo gjë mirë, duke arritur kësisoj t’i bëjë presion në distancë edhe Kukësit. 
Kukësi-Vllaznia, gjithmonë Pejiç për të nxjerrë nga situata verilindorët
Një ndeshje me shumë emocion kjo mes Kukësit dhe Vllaznisë, jo shumë për rastet sesa për vlerën që kishte për Kukësin fitorja, që nëse barazonte apo humbiste, do e shihte nga shumë larg jo vetëm titullin, por edhe shpresën për titull. Në tërësi ishte një ndeshje jo aq e mirë për të dy skuadrat, ku më shumë mori formë vullneti për të fituar i vendasve dhe dëshira për të mos humbur e miqve, por që minutat e fundit ishin vendimtare, ku Kukësi ia doli përsëri të fitonte, duke ruajtur të njëjtën diferencë me Skënderbeun dhe duket se do të jetë vetëm ndeshja kokë për kokë që do të ndajë situatën mes këtyre dy ekipeve dhe titullit.
Teuta-Flamurtari, durrsakët thonë një “PO” për qëndrimin në Superligë
Një fitore e madhe e Teutës ndaj Flamurtarit, ju jep mundësinë të parëve që të hedhin një hap të sigurt drejt qëndrimit në Superligë, ku për më tepër vjen edhe me një fitore ndaj Flamurtarit, skuadër që cilësohet shumë e vështirë për tu mundur, edhe pse jo aq këto kohët e fundit, duke parë gjendjen e keqe që e ka kapluar. Situata tek Flamurtari sa vjen dhe rëndohet, duke u bërë kështu një nga ekipet më të dobëta të momentit, paçka se në fillim të sezonit cilësohej si pretendente për të fituar deri edhe kampionatin. Sa i takon Teutës, fitorja ka ardhur pikërisht atëherë kur duhet, duke parë që përfiton shumë edhe nga humbja e Apolonisë dhe Elbasanit, duke qëndruar gjithmonë disa hapa para këtyre ekipeve, në mënyrë që të ruajë qëndrueshmërinë deri në fund të sezonit, për tu rikthyer përsëri vitin e ardhshëm.
Rezultatet e javës së 28-të
Partizani 1-0 Laçi
Apolonia 0-2 Tirana
Kukësi 1-0 Vllaznia
Teuta 1-0 Flamurtari
Skënderbeu 5-1 Elbasani
Renditja
1 Skënderbeu 
28 18 6 4 60
2 Kukësi
28 18 4 6 58
3 Tirana
28 16 6 6 54
4 Partizani 
27 16 5 6 53
5 Laçi
27 14 8 5 50
6 Flamurtari 
28 9 7 12 34
7 Vllaznia 
28 10 3 15 30
8 Teuta 
28 7 2 19 23
9 Apolonia 
28 4 4 20 16
10 Elbasani
28 4 1 23 13
Serbët dhe flamuri shqiptar, një histori që përsëritet edhe në Fier
Ashtu si në Beograd, më 14 tetor të vitit të shkuar, ku u shpalos një flamur me simbolet kombëtare të Shqipërisë, duke ngjallur kështu një reagim racist të serbëve. Jo më lar se dje, një ngjarje e tillë, ose e ngjashme, ka ndodhur në Fier, kur gjatë ndeshjes Apolonia-Tirana, në momentin që miqve u është akorduar një penallti, një tifoz është futur në fushë, në shenjë proteste, duke shpalosur një flamur me simbolet kombëtare, por portieri i Apolonisë, serbi Çakoviç ka reaguar menjëherë duke ia marrë flamurin nga dora, çka ka sjellë edhe një reagim tjetër të futbollistëve të shqiptarë të Apolonisë, që ndër të tjera janë munduar edhe të qetësojnë portierin. Pas ndeshjes, Çakoviç, duke kërkuar falje, është shprehur se nuk e dinte se kishte të bënte me një flamur të Shqipërisë, ajo çfarë kishte në dorë tifozi. “Jam paksa nervoz për këtë çështje. Unë dua thjesht të luaj, nuk kam problem me flamurin. Doja thjesht të largoja personin që kishte hyrë në fushë dhe të luaja futboll. Nuk e dija që ishte flamuri shqiptar. Unë e njoh flamurin tuaj, por nuk e kuptova që flamuri që mbante personi në duar ishte flamuri i Shqipërisë, sepse ai e pengonte me trup”, u shpreh portieri. 
Tërbuni nuk fal, me një gjysmë këmbe në Superligë
Tërbuni skuadra e rekordeve, rezultatet e të cilit mund të thonë me plot bindje se është pothuaj skuadër e Superligës, kjo jo për pikët që ka diferencë me ndjekësit, por për shkak të lojës që bën dhe gabimeve të pakta. Ndeshja e djeshme me Adën e vërtetoi këtë, ku skuadra pukjane tregoi edhe një herë se nuk e ka ndërmend që të humbasë shansin për tu përfshirë në Superligë sezonin e ardhshëm. Kjo javë foli më së shumti për Tërbunin, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për skuadrat e tjera, ku Besëlidhja humbi terren ndaj ekipeve të tjera, me atë humbje ndaj Kastriotit, humbje që padyshim e largon shumë nga kreu, duke e ndërlikuar situatëm aktuale në renditje. Edhe Mamurrasi përfiton nga humbja e lezhjanëve, ku tani gjenden të dytët në renditje, me 4 pikë më pak se Tërbuni. Në grupin B ndodhen ndryshimet e mëdha, ku Dinamo merr veten çdo ditë e më shumë, duke fituar pareshtur qoftë në lojën e tyre, qoftë në sajë të gabimeve të ekipeve të tjera, e në këtë rast vazhdojnë ngjitjen në renditje, duke u bërë përsëri skuadra pretendente për titull, pas asaj ecurie tejet të keqe që vuri në rrezik kampionatin. Një humbje e Sopotit dhe e Lushnjës sjell ndryshime në renditje, ku tani është përsëri Lushnja dhe Bylis që kryesojnë, por me Butrintin dhe Dinamon që afrohen në renditje. 
Rezultatet, java e 20-të
GRUPI A
Ada 0-3 Tërbuni
Iliria 1-0 Veleçiku
Kamza 3-2 Burreli
Besa 0-2 Mamurrasi
Kastrioti 1-0 Besëlidhja
‪GRUPI B
Tomori 2-2 Naftëtari
Pogradeci 2-1 Sopoti
Dinamo Tirana 1-0 Butrinti
Shkumbini 3-1 Bylis
Luftëtari 1-0 Lushnja
GRUPI A
Tërbuni 52
Mamurras 48
Besëlidhja 47
Iliria 26
Burreli 25
Kamza 22
Kastrioti 19
Besa 17
Ada 15
Veleçiku 11
GRUPI B
Lushnja 35
Bylis 35
Butrinti 31
Dinamo 28
Sopoti 27
Tomori 26
Pogradeci 25
Shkumbini 22
Luftëtari 21
Naftëtari 18
Sigal