Dr. Bilal Golemi, studiuesi atdhetar i mikrobiologjisë dhe veterinarisë që zuri vend në analet e shkencës botërore

1057
Sigal

Shqiptari atdhetar e studiues që  zë vend të merituar në analet e shkencës botërore

nga Luan Çipi

 

  • Më 1952 për studimet e tij shkencore në mikrobiologjinë veterinare, qeveria franceze e dekoroi me medaljen “Legion d’honneur –Merite”.
  • Nga qeveria turke është dekoruar me medaljen e “Independencës”
  • Në nderim të veprës së tij, Institutit te Studimeve Veterinare të Shqipërisë. iu dha emri “Instituti Dr. Bilal Golemi”.
  • Gjithashtu Shqipëria e ka nderuar me “Urdhrin e Punës të Klasit I”, dhënë nga Kuvendi Popullor, më 1969.

Jetëshkrimi

Bilal Golemi lindi, më 9 Mars të vitit 1899, në Golem të Gjirokastrës dhe vdiq, më 15 mars 1955, në Stamboll, Turqi. Ishte mjek veterinar, mikrobiolog i shquar në fushën veterinare e mjekësore, atdhetar e demokrat përparimtar.

Bilal Golemi në moshën 7 vjeç largohet nga fshati bashkë me familjen dhe vendosen në Stamboll. Pasi kryen arsimin e ulët dhe të mesëm atje, ai regjistrohet në Fakultetin e Veterinarisë Ushtarake Turke. Këtu mundi të studionte me shpenzimet e shtetit. E mbaroi këtë shkollë me rezultate të shkëlqyera dhe për tre vjet shërbeu në ushtrinë turke, me gradën e kapitenit.

Bilal Golemi i zellshëm për studime, kishte aspirata, por edhe aftësi e prirje të tjera nga ato që i lejonte një karrierë ushtarake. Për këtë arsye, jep dorëheqjen nga ushtria dhe pas një konkursi, fiton të drejtën për t’u specializuar në fushën e mikrobiologjisë dhe për te vazhduar me shpenzimet e tij, studimet në Institutin e famshëm “Pastër” të Parisit.

Gjatë specializimit, ai ra në sy të autoriteteve shkencore të Institutit, si një studiues i thellë me aftësi të spikatura në fushën kërkimore shkencore dhe për këtë arsye i propozohet që të qëndrojë me punë në këtë Institut, si bashkëpunëtor shkencor i tij.

  1. Bilal Golemi ishte një ndër 5 mikrobiologët më të mëdhenj të Institutit “Pastër” të Turqisë

 

Në Institutin “Pastër”, Dr. Bilali, pati një karrierë të shkëlqyer shkencore. Ai mbrojti dhe fitoi doktoraturën me një temë studimore të rëndësishëm dhe u caktua të punonte si bashkëpunëtor i profesorëve të mëdhenj Ramon e Duma. Duhet theksuar se Prof. Ramon, ishte ndër pesë mikrobiologët më të mëdhenj të asaj kohe. Ai prodhoi për herë të parë vaksinën kundër difterisë së fëmijëve, serumin kundër tetanosit dhe ka studiuar anatoksinat dizanterike. Bilali, për aftësitë e tij teorike dhe praktike u caktua dhe si mësimdhënës. Në vitin 1926 ai u ngarkua të drejtojë në teori dhe në praktikë, kursin e specializimit, ku merrnin pjesë 33 mjekë, veterinerë dhe biologë nga të gjitha anët e botës. Për punën e tij në këtë Institut Qeveria franceze e ka dekoruar atë me medaljen “Legion d’ Honneur”.

  1. Dr. Bilali në kulmin e karrierës së tij akademike e shkencore, lë luksin dhe kthehet të punojë në Shqipëri

 

Bilali tashmë ishte një mikrobiolog i famshëm, por kur erdhi në Shqipëri, ai nuk mund të kishte atë luks që të vishte bluzën e bardhë dhe të kishte punë vetëm me librat dhe mikroskopin, por ai u angazhua që nga punët më të rëndomta e deri tek ato që kërkonin kualifikim të lartë.

Një sëre sëmundjesh të asaj kohe shkaktonin dëme të mëdha në blegtori dhe lëngata e vdekje në njerëz, prandaj detyrë imediate ishte ngritja e laboratorëve mikrobiologjikë. Për here të parë Dr. Bilali ngriti laboratorin bakteriologjik veterinar, ku vetë ai prodhoi serume e vaksinat e plasjes, lisë, kolerës së shpendëve, këmbëzezës etj. Me iniciativën e Dr. Bilalit u ngrit, gjithashtu, Shoqata e Mbrojtjes së Kafshëve me kryetar të famshmin Mit’hat Frashëri.

Mikrobiologu Dr. Bilal Golemi i kompletoi këta laboratorë me pajisje të kohës dhe krijoi edhe grupimin e kafshëve të eksperimentit si kavie, me lepuj, pëllumba etj.

Në bashkëpunim edhe me Dr. Bajram Emirin, që edhe ai sapo ishte kthyer nga jashtë shtetit, zbuluan për here të parë në Shqipëri, sëmundjen Leishmanioza në disa fëmijë të Tiranës dhe ishte Dr. Bilal Golemi që diagnostikoi, gjithashtu për të parën here në Shqipëri, sëmundjen e Leprozës tek një punonjës i një konsullate të huaj.

  1. Ai hodhi bazat e vërteta të mikrobiologjisë si shkencë në Shqipëri

 

ë këtë mënyrë, Dr. Bilali hodhi bazat e vërteta të mikrobiologjisë si shkencë në Shqipëri dhe me emrin dhe veprën e tij janë të lidhur ngritja dhe organizimi i shërbimit të veterinarisë, themelimi i të parit laborator bakteriologjik të veterinarisë, importimi i racave të kafshëve, ngritja e të parave stacione shkencore të përmirësimit racor si në Selenicë e Rozafaj, si dhe prodhimi për herë të parë në vend i vaksinave kundër disa sëmundjeve të bagëtive, përgatitja e kuadrove të para veterinare, duke ndihmuar në organizimin e zhvillimin e shkollave të para bujqësore në Tiranë, Kavajë e Lushnje.

Ai çeli kurset e para për infermierë veteriner dhe policë veteriner.

Ai ishte sa shkencëtar aq edhe njeri i thjeshtë e i dashur, atdhetar e demokrat përparimtar, që gëzonte simpati e dashuri të jashtëzakonshme nga njerëzit brenda e jashtë vendit tonë.

 

  1. Studimet e tij kanë një vend të merituar në analet e shkencës botërore

 

Ai i takon atij brezi që solli deri në ditët tona frymën iluministe, virtyte të larta intelektuale dhe atdhetare. Si çdo komb, ashtu dhe i yni ka korifenjtë e tij të shkencës dhe diturisë. Ndërmjet tyre edhe mjekësia veterinare ka figurat e saj të shquara , e njëri prej tyre është Dr. Bilali. Ai është rast unikal, ndoshta nga të rrallët në botë, që iu përkushtua shkencës, sakrifikoi jetën për të, u kthye në atdhe, në kushte jetese mjerane, duke lënë Francën e lakmuar nga intelektualet e botës Pikëpamjet politike të Dr. Bilalit, ishin ato të një liberali demokrat, pro Republikës dhe kundër Sulltanatit Turk dhe Mbretërisë në Shqipëri.

  1. Merr pjese me forcat demokratike në Lëvizjen e Fierit, regjimi i Ahmet Zogut e dënon me 101 vjet burg

 

Që kur ishte student në Turqi, por sidomos kur punonte si oficer i ushtrisë Turke, ai u përfshi me gjithë energjitë e tij në revolucionin e udhëhequr nga Mustafa Qemal Ataturku dhe për këtë është dekoruar nga qeveria Turke me medaljen e “Independencës”.

Ai e donte Shqipërinë siç ishin edhe vendet e tjera të përparuara, Republikë Parlamentare, dhe nuk u pajtua me shtypjen dhe shfrytëzimin e egër, prapambetjen e theksuar dhe varfërinë e madhe, prandaj u pozicionua përkrah forcave demokratike përparimtare dhe merr pjesë në lëvizjen e Vlorës që drejtohej kundër regjimit obskurantist të Ahmet Zogut. Për këtë arsye ai u konfrontua me regjimin dhe u dënua me 101 vjet burg, por si rezultat i presionit të qarqeve shkencore evropiane, ai pasi bëri tre vjet burg, së fundmi u lirua, por u urdhërua të largohet nga Shqipëria.

Ai deshi të shërbente edhe më tej në atdheun e tij dhe për këtë arsye kërkoi të punonte, qoftë edhe si një veteriner i thjeshtë i ndonjë komune, por kjo kërkesë nuk iu miratua dhe ai me zëmër të thyer, u largua për në Turqi.

Me të mbërritur në Turqi, Dr. Bilali pranoi të punojë në atë fushën e shëndetësisë dhe filloi punë në “Institutin e Higjienës” në Ankara, fillimisht si Zv/ Drejtor i atij Instituti dhe më vonë si Sekretar i Përgjithshëm.

Astma bronkiale, prej së cilës, kishte vuajtur gjatë gjithë jetës, por sidomos ndikuar nga eksperimenti që bëri në trupin e vet, e mposhtën dhe i shkurtuan jetën dhe në moshën më të mirë, në kulmin e prodhimtarisë së tij shkencore, ai ndërroi jetë në moshën 56 vjeçare.

Më 1952 për studimet e tij shkencore në mikrobiologjinë veterinare, qeveria franceze e dekoroi me medaljen “Legion d’honneur –Merite”. Nga qeveria turke është dekoruar me medaljen e “Independencës”

Në nderim të veprës së tij, Institutit te Studimeve Veterinare të Shqipërisë. iu dha emri “Instituti Dr. Bilal Golemi”. Gjithashtu Shqipëria e ka nderuar me “Urdhrin e Punës të Klasit I”, dhënë nga Kuvendi Popullor, më 1969.