Rritja ekonomike në Shqipëri është nga paratë që vijnë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni

354
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Jamie Dettmer

Korrupsioni në Ballkan, rrezikon shanset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian

Krerët e BE-së planifikojnë në javët e ardhshme, që të diskutojnë avancimin e bisedimeve të mbetura pezull. Por, vëzhgimet e fundit që eksplorojnë shkallën e pastrimit të parave në rajon, nuk kanë gjasa të bindin Francën dhe Holandën, të cilat, midis vendeve të tjera anëtare, duan të vonojnë zgjerimin e BE-së. Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, janë të gjithë kandidatë të BE-së dhe kanë shprehur zhgënjimin për bllokimin e aplikimeve për anëtarësim. Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional në Gjenevë, thotë se para të paligjshme po derdhen në tregjet e pasurive të patundshme dhe industritë e ndërtimit të Ballkanit Perëndimor. “Paratë e pista që krijohen dhe pastrohen në rajon, po përjetësojnë një ekosistem krimi dhe korrupsioni”- tha Kristina Amerhauser, një nga autoret e një raporti të OJQ-së, të botuar muajin e kaluar. Autorët thonë në raportin e tyre: “Analiza e fluksit të njerëzve, drogës dhe parave në Ballkanin Perëndimor”, tregon se shifra luhatet midis 2.2 miliardë dhe 5.6 miliardë dollarë. Megjithëse kjo mund të duket një shifër e vogël krahasuar me disa rajone shumë më të pasura, ata vërejnë se “këto shifra janë të jashtëzakonshme, kur vihen në perspektivë”. Ata shtojnë: “Për shembull, në vitin 2021, buxhetet e Ministrive të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë, arrijnë secili nga 168 milionë euro, forca policore e Kosovës ka në dispozicion vetëm 87 milionë euro.

Pasuritë e patundshme

Vitin e kaluar, në tremujorin e dytë të karantinës, ekonomia shqiptare u tkurr mesatarisht me 10.2%, por tregu i pasurive të patundshme vazhdoi të zgjerohej me 5.5%. Edhe rënia në pandemi dhe ajo ekonomike kishte pak ndikim në tregun e pronave në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ku çmimet u dyfishuan nga viti 2017 në 2020. Rritja është “nxitur kryesisht nga para që vijnë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, të cilat janë investuar në ndërtim dhe pasuri të patundshme”.

Presionet

Franca ka qenë një kundërshtare kryesore e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Zyrtarët francezë argumentojnë se BE ka pasur disa përvoja të këqija me zgjerimin në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe me probleme të vazhdueshme me korrupsionin dhe sundimin e ligjit në vende si, Rumania dhe Bullgaria. Ata thonë se ky ka qenë rezultat i lejimit të vendeve “të papërgatitura” për t’u bashkuar me BE-në, dhe kanë frikë se, vendet e Ballkanit Perëndimor, janë kthyer në shtete të kapura nga politikanë të korruptuar, të lidhur me krimin e organizuar.