Frank Shkreli: Fotografi që flet sa një mijë fjalë – një bisedë imagjinare në atmosferën e Mini Shengenit Ballkanik

734

Bisedë imagjinare në atmosferën e Mini Shengenit Ballkanik. Influenca Ruso-Turko-Serbe, tubacioni Moskë-Ankara për zhvlersimin e “TAP” , shitja e Kosovës, përccarja nga Tirana zyrtare, “vëllai i shqiptarëve” dhe armiqt historik të Kombit

Nga Frank Shkreli

Ish Drejtor i VOA-s për Euroazinë*

“Vëllai i shqiptarëve” në takim me “miqtë” historikë të Kombit shqiptar

Vuçiç, Erdogan, Putin në një takim në Turqi, ditët e fundit, për të inauguruar tubacionin e ri të gazit midis Rusisë dhe Turqisë – një shenjë tjetër kjo e një afrimi gjithnjë e më të madh midis Moskës dhe Ankarasë, jo vetëm në fushën energjetike, por edhe në fusha të tjera, përfshirë edhe bashkërendimin midis tyre, të politikave të përbashkëta për shtrirjen e influencës së tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor – përballë projektit për krijimin e një Mini Shengeni Ballkanik, propozuar nga Beogradi, i mbështetur nga Shqipëria, por jo nga Republika e Kosovës.

Në një bisedë imagjinare midis tyre, për Shqipërinë dhe shqiptarët, gjatë atij takimi në Turqi, Erdogani i siguron miqtë e tij Vuçiç dhe Putin se shqiptarët, jo vetëm që nuk do të jenë pengesë për krijimin e të ashtuquajturit Shengen Ballkanik, madje Tirana zyrtare dhe kryeministri i atij vendi do të jenë mbështetësit më të zellshëm të kësaj nisme aq me rëndësi për interesat strategjike të gjithë nesh rreth kësaj tryeze, u ka thënë mysafirëve udhëheqsh turk, megjithëse Kosova nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij projekti.

 

Erdogani: “Kosova është Turqi. Ndërsa Shqipëria e konsideron Turqinë si vend strategjik të saj, pasi shqiptarët janë deklaruar si vëllezërit tanë, por edhe ne i konsiderojmë ata si vëllezër. Miku im i ngushtë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama më ka siguruar se Shqiptarët, jo vetëm që nuk do të kundërshtojnë, por do të mbështesin Mini Shengenin Ballkanik, siç u pa edhe në takimin e fundit në Durrës. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se nuk ka nismë më të mirë se ky projekt, që të shtojmë influencën tonë të përbashkët në trojet shqiptare dhe t’i largojmë shqiptarët sa më shumë nga influencat perëndimore, duke marrë parasysh, natyrisht edhe interesat tona ekonomike dhe politiko-ushtarake që sjell Mini Shengeni Ballkanik për të gjithë ne rreth kësaj tryeze, në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, Erdogani falënderoi Vuçiçin për nismën dhe për miqësinë e tij me Kryeministrin shqiptar për ta bindur atë që jo vetëm të bëhet pjesë e këtij projekti por edhe për mbështetjen e tij të fortë që ai i ka dhënë kësaj nisme — sepse, sipas Erdoganit, pa pjesëmarrjen e Shqipërisë Mini Shengeni Ballkanik nuk do të ishte i plotë dhe, madje mund të dështonte krejtësisht.

Vuçiç: “Pikësëpari, të falënderoj nga zemra miku im Erdogan për mbështetjen e vendit tim gjatë viteve, sidomos për investimet e mëdha dhe strategjike që vendi yt ka derdhur në Serbi vitet e fundit si dhe për miqësinë tuaj me mua personalisht. Por, sidomos, të jam mirënjohës për përkrahjen që i kini dhënë këtij projekti, për të cilin unë kam punuar në heshtje dhe pa bujë, për aq shumë vjet, si një objektiv strategjiko-historik për rivendosjen e influencës, jo vetëm ekonomike serbe në Ballkan – që disa e cilësojnë si rithemelimi i ish-Jugosllavisë – por nga i cili do të përfitojmë të gjithë ne, pasi me këtë projekt, ne shërbejmë si derë e hapur edhe për ju të shtrini influencën tuaj në rajon. Por, më vjen keq të them se me gjithë sigurimet e Kryeministrit Rama që Kosova do të bëhej pjesë e kësaj nisme, fatkeqësisht, udhëheqësit e Kosovës kanë vendosur të pozicionohen kundër këtij projekti, tani për tani, që t’i bashkohen pra këtij projekti, por kam besim se miku ynë i përbashkët, Erdogan, si të qetësohet diçka atmosfera politike në Prishtinë, do të luajë kartat e nevojshme në Kosovë, ku siç e dimë të gjithë, ai gëzon edhe përkrahje të konsiderueshme atje.”

Ndërkaq, Putini, si një dhelpër e vjetër e dëgjon me vëmendje bisedën dhe bën sikur nuk është aq i interesuar – megjithëse i pëlqejnë shumë ato që thanë Vuçiçi e Erdogani, dhe brenda vetes kënaqet, kur të tjerët bëjnë punën e tij dhe të ish-KGB-së, anëtar i të cilës ishte dikur, si mjeshtër për të përfituar nga ujërat e turbullta politike kudo e, sidomos, në Ballkan, kur punën e bëjnë të tjerët në dobi të Rusisë. Në sipërfaqe, Moskovi, ashtu me durim e gjakftohtësi nuk tregon ndonjë shqetësim alarmues për përçarjet, për të cilat folën më përpara Erdogani e Vuçiçi, midis shqiptarëve në Tiranë dhe në Prishtinë. Përkundrazi, brenda vetes ndihet i kënaqur për mosmarrëveshjet midis shqiptarëve, jo vetëm për sa i përket projektit të Shengenit Ballkanik, por edhe për një mori çështjesh të tjera ndër shqiptare që duket se po keqësohen dita ditës. Për të cilat, fatkeqësisht, përfaqësuesit politikë shqiptarë –në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar–duket se nuk po gjejnë një gjuhë të përbashkët për të vepruar në interesin madhor të Shqipërisë e të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta.

Më në fund ndërhyri edhe Putini: Mos u shqetësoni për mosmarrëveshjet dhe grindjet midis shqiptarëve, miqtë e mi! Në qoftë se shikoni historinë e tyre, kështu kanë qenë këta gjithmonë. Ju e dini edhe historinë tonë me ta. Madje edhe Stalini, para se të bëhej mik idhull i Enver Hoxhës, i kishte thënë jugosllavëve se për sa i përket atij, Shqipërinë ju mund ta hidhni në det. Kështu që, ne as sot as kurrë gjatë historisë nuk kemi pasur ndonjë interesim për shqiptarët, me përjashtim kur kemi mbrojtur interesat e vëllezërve tonë ortodoksë serbë. Kështu që edhe sot, politika e Rusisë ndaj shqiptarëve është si politika serbe ndaj shqiptarëve! Kur flas për historinë, miku im Erdogan e di këtë më së miri duke marrë parasysh periudhën 500-e ca vjeçare të okupimit otoman të trojeve shqiptare. Është kjo një traditë nga e cila shqiptarët ende as sot nuk janë shkundur. Ju duhet ta dini se, në qoftë se Shqiptarët, do të ishin vërtetë të bashkuar rreth interesave të tyre kombëtare, ata do të ishin pengesa më e madhe për realizimin e qëllimeve tona të përhapjes dhe të forcimit të influencës tonë në atë pjesë të Evropës. Prandaj, miqtë e mi, Erdogan e Vuçiç,mos derdhni lot për përçarjet midis shqiptarëve, duke pretenduar se gjoja doni edhe Kosovën të bëhet pjesë e Shengenit Ballkanik. Në të vërtetë, për realizimin e objektivave tona të vjetra në Ballkan, ne kështu na duhen shqiptarët: të ndarë e të përçarë. Prandaj mos u shqetësoni miqtë e mi! Ne i kemi sot shqiptarët, ekzatësisht, aty ku na duhen dhe si na duhen të jenë,për realizimin e interesave tona në Ballkanin Perëndimor, që një ndër to është ëndrra e Serbisë për të dalë në det.. Ju ndoshta nuk mund ta merrni me mend këtë, por Shqiptarët, ashtu siç janë sot të përçarë, madje edhe kur kemi të bëjmë me interesat më jetike kombëtare të tyre, të mirë e të këqij, shqiptarët janë tanët. Si të tillë, ne i shesim dhe i blejmë shqiptarët si të na teket dhe kur të na teket”, ka përfunduar Putini bisedën imagjinare midis tre udhëheqësve “miq”të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndërsa presidenti bullgar si pjesëmarrës në atë takim, i habitur për ato që dëgjoi në kurriz të interesave shqiptare në rajon, nga goja e gjoja miqve të shqiptarëve strategjikë, nuk tregoi ndonjë interesim që të merrte pjesë në këtë bisedë (imagjinare), pasi vendi i tij është tanimë anëtar i Bashkimit Evropian dhe plotësisht i integruar në organizmat euro-atlantike. Për më tepër, Bullgaria, ndryshe nga vendet e përfaqësuara nga udhëheqësit në takimin e mësipërm që u mbajt në Turqi ditët e fundit, ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë dhe Kosovën, në funksion të zhvillimit dhe orientimit të tyre euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Pasi dëgjoi këtë “bisedë”imagjinare midis trojkës së lartë përmendur, udhëheqësi bullgar falënderoi Zotin që vendi i tij është pjesë e një enti tjetër ekonomiko-ushtarak euro-atlantik, ku vendi i tij ka të drejta dhe përgjegjësi të barabarta me të gjitha vendet e tjera anëtare. Por, duke i thënë vetes se me “miq të tillë strategjikë”, shqiptarët nuk paskan nevojë për armiq, u largua nga ajo bisedë (imagjinare) shumë i shqetësuar për shqiptarët, duke menduar se sa keq na qenkan punët e shqiptarëve.

Është ky një shënim imagjinar për një bisedë imagjinare që mund të ketë ndodhur ose jo. Por, në të vërtetë, përshkruan një situatë mjaft reale, në marrëdhëniet aktuale midis udhëheqësve të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës – ndërsa, njëkohësisht, pasqyron debatin e ditëve dhe javëve të fundit në lidhje me projektin e ashtuquajtur Mini Shengenit Ballkanik të mbështetur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një debat ky që siç duket ka ndarë e përçarë shqiptarët si rrallë herë në historinë e tyre.

Na ka mbetur të shpresojmë se fatin e Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë, ta ketë Zoti në dorë, për inat të armiqve që shtihen si miq të shqiptarëve, por edhe për “Inat të Djallit dhe të vet Shqiptarëve”, siç është shprehur dikur At Gjergj Fishta.