Shqipëria në udhëkryq mes Oligarkisë klienteliste dhe Demokracisë liberale…

447
Ndonëse PS është në qeverisje me një maxhorancë absolute, firoja e votave në 21 qershor, ku ajo humbi 25 % elektorat, nga 2013, po sjell retë e një stuhie, që është gati të shpërthejë, për më tepër, që socialistët janë të pakënaqur jo vetëm me qeverisjen, por edhe të zhgënjyer, sepse ata nuk u shpërblyen për kontributin që dhanë, pasi kanë mbetur pa punë. Prof. Dr. Kastriot Islami, ishsocialisti, që i doli hapur me kritika Kryetarit të PS, saqë u përjashtua nga PS për të dëshmuar se PS nuk është shkëputur akoma nga lufta e klasave, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, shpjegon se Rama përjashtoi “senatorët reformues” nga PS për të ndërtuar Sektin e tij “trikëmbësh”. Zoti Islami pohon se “senatorët” e sotëm të PS, janë lidhur pazgjidhshmërisht me Ramën, ndaj sot ata nuk guxojnë të mbështetin kritikat e Ben Blushit. Prof. Islami, edhe pse e vlerëson Nanon si themeluesi i PS, prapë nuk mund të japë opinion nëse do të ketë “paqe” në PS po qe se Rama bën ujdi me Nanon, sepse “është e parakohshme e gati e pamundur për mua të jap një opinion për një situatë hipotetike, që rezulton nga një reaksion anihilimi.”. Prof. Islami iquan speculative oponionet që hidhen nga të paguarit e Ramës, se PD ka nevojë për lider të ri, ndërkohë vlerësimi i Prof. Islamit për Berishën është se ai është memorja e PD dhe i frikshëm për kundërshtarët e tij. 
Rama përjashtoi “senatorët reformatorë” për të ndërtuar Sektin e tij “trikëmbësh”
– Prof. Islami, përse në PS nuk pati reagime, që të mbështetnin kritikën e Ben Blushit në Asamblenë Kombëtare të PS, derisa shumë të tjerë janë të një mendimi me ato që tha deputeti Blushi?
– PPSH e reformuan dhe modernizuan reformatorët, në përbërje të të cilëve ishin: i) profesorët që s’kishin qënë asnjëherë anëtarë të PPSH, por filluan të kontribuonin në politikë, duke filluar nga 1991 si dhe ii) të rinjtë që erdhën nga greva e studentëve të dhjetorit 1991. Rama, kur erdhi në 2005 në krye të PSSH, i spastroi të gjithë “profesorët e të rinjtë, themelues e reformatorë të PS”, duke i zëvëndësuar me “oligarkët e individët me rekorde kriminale”. Grupi tjetër ishin “pragmatistët/oportunistët”, tekniciene, ish anëtarë të PPSH, që ishin afruar në PPSH në periudhën e “perestrojkës dhe gllasnostit” gorbaçian; këta gjithnjë do të ishin kundër reformimit të shpejtë të PPSH në fillim të çdo nisme për reformim dhe në fund do të bashkoheshin me fituesit reformatorë. Edhe këta Rama në 2005 e në vijim i “spastroi” përgjithësisht. Grupi i tretë ishin “trashëgimtarët” e PPSH, ish anëtarë të forumeve të larta drejtuese të PPSH, por të papërlyer drejtëpërdrejtë në “mëkatet” e PPSH; këta gjithnjë e vazhdimisht ishin kundër reformimit të shpejtë të PPSH, sepse reformimin e konsideronin si eleminues për ta. Rama e ka ruajtur përgjithësisht këtë grupim e madje e ka “pasuruar” me “trashëgimtarët”/pasonjësit e ish anëtarëve të Byrosë Politike, apo të Komitetit Qëndror të PPSH. Rama projektin e Sektit të tij “trikëmbësh” e ka mbështetur në tri grupime 1) “trashëgimtarët e pasonjësit/pinjollët” që një pjesë i gjeti dhe i ruajti në 2005 dhe një pjesë tjetër i solli vetë; 2) oligarkët dhe 3) mjaftistët, g-99-shat e nomeklatura e bashkisë. Arsyeja e kësaj lidhjeje të qënësishme është e thjeshtë: Rama vetë është përfaqësues e drejtues i këtyre tri grupimeve si pinjoll, kryeoligarg e kryemjaftist. Këto tre grupime kanë qënë dhe janë jo vetëm në shërbim të projektit të Ramës për ta kthyer PS në një Parti Sekt, por drejtohen prej tij. Asnjë nga anëtarët e këtyre grupimeve nuk mbështet Blushin dhe nëse Blushi do të shkojë larg me “kritikat” e tij, apo do të vazhdojë të bëhet i bezdishëm për konsolidimin e këtij Sekti, aq më i vetmuar do të mbetet e ndoshta ndaj tij do të merret vendimi ekstrem i “vetë-eleminimit” (praktikë e pastër ish komuniste), apo “eleminimit” brutal, apo të butë. 
– Po senatorët e PS, përse heshtin? Nuk mbështetin as kritikat e Blushit, por as Ramën?
– Aktorët e vërtetë të reformimit dhe modernizimit të PPSH në formën e një partie europiane socialdemokrate Rama i ka larguar dhe/ose përjashtuar me ardhjen e tij në 2005 në krye të PSSH, duke i zëvëndësuar me “individë me rekorde kriminale”. “Senatorët” (po e vendos këtë cilësim në thonjza) për të cilët bëni ju pyetjen, shumica e tyre bëjnë pjesë vetëm në grupin/këmbën e parë të “trashëgimtarëve” mbi të cilët është mbështetur e mbështetet Rama për të formuar e forcuar Sektin e tij. Këta “senatorë”, kanë qënë dhe janë në thelb me Ramën (prandaj ai i ka “konservuar”), por me afrimin e moshës së pensionit do të hedhin disa “shkelma” për të treguar se s’mund të largohen lehtësisht. Për më tepër këta “senatorë” janë bashkuar me vendimin e Ramës për spastrimin e “profesorëve dhe të rinjve reformatorë” dhe shumica e tyre ka pranuar të bashkëjetojnë me individët me rekorde kriminale, e nuk ka thënë asgjë për dekriminalizimin e partisë socialiste. Nuk e di nëse mund të cilësoheshin “senatorë” disa prej tyre po të kemi parasysh i) trashëgiminë e tyre politike, ii) bashkimin me Ramën për spastrimin e “profesorëve dhe te rinjve themelues e reformues të PS” dhe iii) bashkëjetesën e tyre me oligarkët e individët me rekorde kriminale. 
– Mos vallë me qëndrimin e tyre, “as mish dhe as peshk”, këta deputetë socialistë, me shumë vite në PS, dëshmuan që meqë nuk kontribuojnë më, u ka ardhur koha e pensionit politik dhe duhet vetë të largohen?
– Ata nuk “vetëlargohen”. Prandaj, ata s’mund të jenë në asnjë rrethanë mbështetës të Blushit, sepse janë të “ngjitur” pazgjidhëshmërisht me Ramën, përveç momentit të fundit, kur do t’u duhet për interes personal të “nxjerrin këmbën nga rrethi”, që ju ka vizatuar Rama dhe të largohen, duke mësuar vendimin e Ramës për “daljen e tyre në pension”. Por s’dalin dot as kundër Ramës, apo pro Blushit, sepse, siç e thashë pak më sipër, janë në thelb me Ramën, për më tepër që kanë të njëjtën “biografi” e prejardhje si Rama. Ata kanë qënë kundër “reformave” nga 1991 e deri në 2005 dhe janë e do të mbeten “as mish e as peshk” që nga ardhja e Ramës në krye të PS e madje edhe kur Rama t’i largojë si deputetë. Madje, edhe pas “largimit” nga Kuvendi, do të jenë përgjithësisht pro Ramës, siç vepron ndonjëri që tashmë ka dalë në pension, ose në rastin më të mirë vijon të sillet si “as mish e as peshk”.
– Derisa Rama nuk e ka të vështirë të rizgjidhet si kryetar i PS, cila është filozofia e tij politike, që shprehu, se meqë fitoi zgjedhjet, kryetari i partisë nuk rizgjidhet? Është thjesht një shpërfillje prodecuriale e Statutit të PS?
– Po jap një përgjigje të shkurtër. Shumica e socialistëve, sidomos të atyre që nuk bëjnë pjesë në grupin e “trashëgimtarëve apo pinjollëve”, apo në dy këmbët e tjera, s’janë dakord me kthimin e PSSH në Sekt të Ramës. Në zgjedhjet vendore të 2015, rreth 250 prej tyre s’e votuan Sektin e Ramës, që përbën rreth 30 përqind e potencialit elektoral të socialistëve. Dhe kjo shifër ka tendencë të rritet. Kjo është opozita e vërtetë ndaj Ramës brënda socialistëve. Nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet e vërteta e të ndershme në PSSH për kryetarin e PSSH, Blushi më shumë se do të sfidonte postin e kryetarit të këtij sekti, do të konfirmonte ekzistencën e kësaj opozite socialiste dhe kështu Blushi do të mund të konfirmohej kryetar i “socialistëve të vërtetë”, që janë kundër kthimit të PSSH në Sekt të Ramës. Këtë gjë Rama e di shumë mirë dhe s’e dëshëron të ndodhë, prandaj pranon edhe kritikat për “dhunimin”, apo “shpërfilljen” e statutit, mjafton që kjo e vërtetë të mos ndriçohet e konfirmohet. Kjo është arësyeja e vërtetë përse Rama s’pranon dhe s’do të pranojë zgjedhjet për kryetarin e PSSH, ndërkohë që justifikimet, apo argumentat e dhënë prej tij, apo nga servilët e tij janë banalë e qesharakë, ndërkohë që del zbuluar duke mos iu përgjigjur pyetjes së thjeshtë: “përse Rama nuk pranon të zbatojë pikën e statutit që e ka shkruar me dorën e tij”, por i referohet “statutit të Toni Blerit”!!!!. 
– Zoti Islami, derisa si kryetari i PS, ka mbytur demokracinë e brendshme të partisë, sa besueshmëri do të ketë, që si kryeminstër të lejojë në qeverisje, demokracinë dhe iniciativën dhe veprimet nga të tjerët, respektimin e raporteve të pushteteve dhe pa përqëndruar të gjitha pushtetet?
– Kjo ngjan më shumë me një pyetje retorike. Rama, para së të bëhej kryeministër, kishte ndërtuar dy modele ‘autoritare” të qeverisjes, për të mos thënë modele “oligarkiko-klienteliste-jodemokratike”; 1) modelin klientelist të qeverisjes së bashkisë e Tiranës dhe 2) modelin autoritarist e oligarkik të menaxhimit të partisë, që s’mund të quhet më socialiste, por një parti sektare, klienteliste, oligarkike, mjaftiste dhe trashëgmitare (në individë e metoda) e PPSH. Të njëjtën teknologji Rama po përdor për të ndërtuar Qeverisjen e vendit dhe unë ndjehem mirë që të gjithë analizat e parashikimet e mia vërtetohen çdo ditë. Mund të perifrazoj deklamacionin antidemokratik “se s’keni parë gjë akoma”, por për ndriçuar bëmat e Ramës, në kuptimin për çdo ditë që kalon, qytetarët e këtij vendi, qofshin të majtë të vërtetë apo të djathtë, do të mund të konfirmojnë vërtetësinë e parashikimeve të mia, apo thënë ndryshe përgjigjen e pyetjes suaj retorike.
– A mund ta kontrollojë më mirë PS Rama nëse arrin të bëjë paqe edhe me Nanon?
– Projekti Rama s’ka qënë asnjëherë dhe s’është projekt për socialistët, madje gjykoj se është projekti i një Sekti antisocialist. Ndërsa Nano cilësohet si “lideri” themelues i PS, pra partisë së socialistëve. Nuk e di çfarë do të thoshte “paqe” mes këtyre drejtuesve të dy projekteve anihiliuese. Prandaj është e parakohshme e gati e pamundur për mua të jap një opinion për një situatë hipotetike, që rezulton nga një reaksion anihilimi. 
– Shikojmë që qeveria e Rilindjes ndërmerr politika të atilla, për të cilat nuk i kishte në programin elektoral, ose janë krejtësisht në drejtimin e kundërt nga programi elektoral, siç janë dyfishimi i çmimit të dritave, taksat edhe për rrogat minimale, konçensionet në shërbimet shëndetësore publike, etj. Mund të jetë i pranueshëm politikisht, justifikimi, se gjendja që gjeti është aq e vështirë, sa e detyrojnë qeverinë në këto politika, ose e detyron FMN?
– Rama kërkoi me insistim dhe me çdo kusht të bëhej Kryeministër në 2013. Opinionisti “ideolog” i Sektit të Ramës për këtë qëllim hodhi tezën “të bashkohemi me të gjithë qelbësirat” për të “larguar Berishën dhe bërë Ramën kryeministër”. Rama u bë Kryeministër i mbështetur nga “koalicioni i qelbësirave” (gjë të cilën s’ja ka thënë as opozita dhe as ndonjë kundërshtar, por e kanë thënë me gojën e tyre “opinionistët, ideologët, analistët, blogistët” e paguar nga Rama) dhe programin e tij e mbështeti mbi themelet e Mashtrimit të madh që e pagëzoi me emërtimin Rilindja. Rilindja ishte një “paketë mashtrimesh” ku futen të gjithë ato që ju përmendi në pyetjen tuaj dhe shumë e shumë të tjera, që as mund të realizohen, as do të realizohen ndonjëherë dhe as që vetë Rama nuk beson se do t’i realizojë. Prandaj, s’bëhet fjalë as për “vështirësi” dhe as për “detyrime nga FMN”, sepse mashtrimet asnjëherë s’mund të zbatohen. Dhe do të shtoj vetëm diçka: Rama, si pervers, s’i beson as vetë mashtrimet e tij, madje tallet kur shikon ndonjë naiv që i beson mashtrimet e tij kaq të trasha, ndërkohë, që kënaqet, duke qeshur me navitetin e tyre. 
– Sa ligjimitet mund të ketë qeveria, kësisoj, kur zbaton politika, për të cilat nuk ka marrë votbesimin e elektoratit? Apo, (çdo) qeveri, pasi merr votbesimin, mund të zbatojë çfarëdo politikë që gjykon ajo të arësyeshme?
– Ju keni shumë të drejtë, qeverisja e Ramës është jo vetëm klienteliste, oligarkike, bandisteske, kriminale, e paaftë, mashtruese, perverse (mjaftiste e g-99-nëntëshe), autoritariste, pra ilegjitime. Qytetarët po ndërgjegjsohen çdo ditë e më shumë për këto cilësime, shpresoj që reagimi dhe përgjigja e merituar të vijë sa më shpejt, sepse që do të vijë një ditë kjo është e sigurtë. Madje mbani shënim: reagimi dhe veprimi qytetar ndaj kësaj qeverisjeje do të jetë shumë i ashpër. 
Analiza dhe debatet në PD në kontekstin e “humbjes” përballë ”fitores” së oligarkisë, banditizmit dhe blerjes së votave… 
-Zoti Islami, humbja e PD edhe në zgjedhjet e 21 qershorit, mund të shpjegohet me atë që elektorati nuk i besoi alternativës politike të së Djathtës?
– Problemet më të mëdha në zgjedhjet vendore të 2015 janë tre: 1) ndarja territoriale oligarkike dhe “salamandër” në favor të koalicionit qeverisës; 2) vazhdimi i përfshirjes nga Rama si kandidatë për kryetar të Bashkive e individëve me profile kriminale, apo “kukullave/sekserëve” të oligarkisë dhe klientelës dhe 3) përdorimi i parave të korrupsionit qeveritar, të oligarkisë dhe të krimit për blerjen e votave dhe kërcënimin e kundërshtarëve politikë. Shqipëria me këto zgjedhje tregoi se është në një udhëkryq, shqetësim që e kanë ngritur përfaqësuesit më të lartë të SHBA e BE, jo vetëm për Shqipërinë. Shqipëria, ose do të vijojë të ecë në rrugën drejt një demokracie liberale perëndimore, ose do të shkasë në drejtimin e një diktature oligarkike e iliberale. Këto zgjedhje e ndriçuan këtë udhëkryq, prandaj “fitorja” e koalicionit oligarkik dhe “humbja” e opozitës, duhet të lexohen, analizohen apo shpjegohen në këtë kontekst. Sfida më e madhe e opozitës është konceptimi dhe realizimi në bashkëpunim me partnerët strategjikë e një qasje që “çrrënjos oligarkinë, banditizmin dhe krimin” dhe ky do të përbënte të vetmen “fitore”, sepse çdo “fitore” tjetër në të njëjtin kontekst do të ishte katastrofike për të ardhmen e vëndit.
– Ju ku do ti vinit pikat mbi “I” të humbjes të PD, në personazhet politike, apo mungesë vizioni politik?
– E thashë pak më sipër, se çdo të thotë “humbje” e njërës, apo “fitore” e tjetrës; opozita nuk mund ta mundë oligarkinë e banditizmin përmes një “ballafaqimi klasik demokratik”. Kjo e thënë s’përjashton aspak një analizë e debat të hapur e demokratik brënda forumeve e strukturave të PD, kryesisht për të konceptuar qasjen e çrrënjosjes së këtij rregjimi” dhe veprimet përkatëse për realizimin e saj. Jam i bindur se kjo do të ndodhë dhe natyrisht në momentin e vendin e duhur, seicili, përfshi dhe mua, do të japë mendimin e tij. Tani për tani nuk mund të them më shumë se kaq, përderisa askush deritani nuk më ka penguar të them mendimet e mia brënda struturave të PD. 
– Disa kanë hedhur edhe tezat që PD duhet të gjejë lidership të ri. Cili është mendimi juaj për këtë?
– Nuk e kam dëgjuar asnjëherë dhe në asnjë mbledhje të forumeve, apo strukturave të PD një “spekullim” të tillë, (po e cilësoj si spekullim, sepse më duket një sajesë e opinionistëve e analistëve diversionistë të paguar nga Rama). 
– Sipas jush, cili duhet të jetë roli i Sali Berishës në PD dhe në të Djathtën?
– Unë kam vërejtur se Berisha me konsensus të gjërë konsiderohet si ‘lideri historik” i së djathtës. Një lider “karizmatik”. Një drejtues me kontributin më të madh në PD dhe në të djathtën. Memorja e PD. I respektuar dhe vlerësuar maksimalisht brënda PD dhe së djathtës. I dëgjuar me vëmëndje nga interlokutorët ndërkombëtarë, sidomos ata partnerialë strategjikë. Dhe i “frikshëm” për kundërshtarët që kërkojnë me inisistim largimin, apo edhe heshtjen e tij. Aktualisht ai është praktikisht një opozitar i fuqishëm në parlament, media dhe rrjetet sociale. Zorr se do të gjëndej ndonjë individ i arsyeshëm që do të mund të përcaktonte se çfare roli duhet të kishte një personazh i tillë, Sali Berisha, sepse me eksperiencën e tij, me aftësitë, kontributin e vlerat e tij, me energjitë e karizmën e tij, Berisha s’do të lejonte askënd t’i përcaktonte se çfarë vendi e roli do të duhet të kishte në politikë. 
Aleancat politike: Në momentin e duhur do të merren vendimet
-Janë hedhur mbi tavolinë edhe tezat për aleanca të ndryshme të PD me PS ose LSI. Nëse pranojmë që në politikë asgjë nuk mund të përjashtosh, ju mendoni se aleanca të tilla, të PD kanë qasje të mundshme politike? Përse jo? Ose, përse po?
– Pyetjet me “nëqoftëse” janë për gazetarët dhe analistët. Politikanët marrin vendime dhe japin zgjidhje për çdo situatë konkrete. Unë jam politikan dhe në momentin e duhur do të jap mendimin tij, në vendin e duhur për vendimin që do të duhet te merret. Për më tepër Kryetari Basha ka mbajtur një qëndrim të qartë publik, përsa i përket koalicioneve të PD me LSI apo PS. Kaq për momentin. 
Sigal