Shqipëria, ja si po largohet nga SHBA

502
Votimi në OKB, si Shqipëria po largohet nga SHBA
Misioni amerikan në Nju-Jork analizon qëndrimin e 193 shteteve. Bie mbështetja e Tiranës për qëndrimet e Uashingtonit
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara shfaqën hapur diferencat e tyre në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhjetorin e shkuar kur Tirana nuk mbështeti kërkesën e Uashingtonit për të rrëzuar një rezolutë kundër Izraelit. Reagimi i Shtëpisë së Bardhë ishte i ashpër për vendet që e kundërshtuan, duke deklaruar edhe akte “hakmarrëse” ndaj aleatëve. Megjithatë, votimi i dhjetorit duket se nuk ka qenë i vetmi ku Shqipëria dhe SHBA kanë ndarë mendime të ndryshme. Një raport i Misionit amerikan pranë OKB-së, i drejtuar nga diplomatja e njohur, Niki Halej, ka zbuluar se në vitin 2017 ka rënë mbështetja e Shqipërisë ndaj qëndrimit amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Brenda një viti, pozicioni i Shqipërisë në OKB ka pësuar ndryshim të shpejtë dhe vendi ynë nuk është më ndër aleatët më besnikë të amerikanëve. Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Niki Halej, ka dorëzuar raportin në Departamentin e Shtetit, një praktikë kjo e përvitshme, për mënyrën se si shtetet kanë votuar në Asamblenë e Përgjithshme për rezoluta të ndryshme. Në raport është krahasuar vota e secilit shtet me votën e SHBA, çka e bën shumë të lehtë identifikimin e aleatëve të amerikanëve në OKB. Sipas raportit, nëse në vitin 2016, votat e Shqipërisë dhe SHBA-së përputheshin në masën 75.3%, një vit më pas rënia është e ndjeshme. Gjatë vitit 2017 përqindja e përputhjes së votimeve ka qenë 52. Për vitin 2017, raporti i ambasadores Halej ka numëruar 93 votime në Asamblenë e Përgjithshme dhe vetëm në gjysmën e tyre Tirana dhe Uashingtoni kanë qenë në një linjë. Gjithashtu, sipas të dhënave të raportit, ka një rritje të konsiderueshme të votimeve të Shqipërisë që kanë qenë në linjë të kundërt me SHBA-në, si dhe momentet kur vendi ynë ka abstenuar dhe nuk ka dhënë një votë të qartë. Më këto vota, Shqipëria renditet në vend të 17-të sa i përket qëndrimeve të njëjta me SHBA-në. Megjithatë, Shqipëria ka arritur të ruajë së bashku me Kroacinë, vendin e parë në Ballkan për mbështetjen amerikane, ku Serbia ndodhet në vendin e fundit.
Pas votimit të dhjetorit 2017 për çështjen e Jeruzalemit, presidenti amerikan Donald Trump dhe kryediplomatja e tij në Nju-Jork, Niki Halej, theksuan se qeveria amerikane do të rishikojë ndihmat që jep për ato shtete që nuk e mbështesin në vendimet që merren në OKB.
Metodologjia
Metologjia për të mbërritur në matjen e “koincidencës së votimit” është një krahasim mes votës së SHBA dhe shteteve të ndryshme. Votat janë vendosur në 4 kategori: E njëjtë me SHBA, kundër SHBA, pjesërisht dhe abstenim. Kolona e parë “E njëjtë me SHBA” (same) është totali i herëve kur SHBA dhe vendi përkatës kanë votuar njësoj. “Kundër SHBA” (opposite) është totali i herëve kur SHBA dhe vendi përkatës kanë votuar kundër njëri-tjetrit. “Pjesërisht” (partial) është numri i herëve kur SHBA dhe vendi përkatës kanë qenë pjesërisht të bashkuar, pra njëri nga vendet ka abstenuar. “Abstenim” (absent) është numri i herëve kur vendi përkatës nuk ka votuar.
Ndëshkimi, Shqipëria nuk u ftua në festën e SHBA
Ambasadorja shqiptare në OKB, Besiana Kadare, nuk është e ftuar në festën e homologes së saj amerikane, Niki Halej, më datë 3 janar 2018, vetëm 10 ditë pas votimit për Jeruzalemi. Në festë morën pjesë vetëm ata diplomatë, që me votën kundër rezolutës, abstenimin apo mospjesëmarrjen në votim mbështetën Shtetet e Bashkuara. Shqipëria votoi pro dokumentit, i cili ndër të tjera thotë se “Rezoluta pohon se çdo veprim dhe aksion që synon ndryshime në statusin e qytetit të Shenjtë të Jerusalemit nuk ka asnjë efekt ligjor, është i pavlefshëm dhe duhet të shfuqizohet në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Prandaj, kjo u kërkon shteteve të përmbahen nga vendosja e misioneve diplomatike në qytetin e Shenjtë të Jeruzalemit”. 
Halej: Nuk e harrojmë votimin për Jerusalemin
Përpara votimit për Jeruzalemin, ambasadorja amerikane, Niki Halej, bëri të qartë qëndrimin amerikan. “Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, organizmi më i madh në botë. Do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, deklaroi ambasadorja Halej. Rezoluta kundër njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-të u votua me një shumicë prej 128 votash pro, 9 kundër dhe 35 abstenim. Gjithashtu, presidenti Trump përsëriti një qëndrim të fortë kundër vendeve që e kundërshtuan SHBA, ndërsa u deklarua edhe një pakësim fondesh për OKB-në.
Bugajski: Justifikimi nuk bind, Shqipëria mund të abstenonte
Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Janush Bugajski, u shpreh se Shqipëria mund të abstenonte në OKB. Lidhur me argumentin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, se Shqipëria votoi në linjat e Bashkimit Evropian, Bugajski tha se ky argument nuk është dhe aq bindës, sepse nuk ekziston një qëndrim i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe në fakt disa vende të BE-së abstenuan: Polonia, Hungaria, Rumania e të tjera. Pavarësisht nga qëndrimi i BE-së, tha eksperti, ky ishte një votim më tepër simbolik. “Megjithatë, – tha ai, – SHBA vëzhgojnë se cilët vende e mbështesin në kohë të vështira, prandaj, qëndrimi më i mirë për Shqipërinë do të kishte qenë që ajo të kishte abstenuar”.
Aleatët më të fortë të SHBA-së:
Izraeli 94%
Mikronezia 72%
Kanadaja 69%
Australia 60%
Mbretëria e Bashkuar 60%
Franca 58%
Palau 56%
Çekia 54%
Hungaria 54%
Polonia 54%
Ukraina 54%


Sigal