INTERVISTA/ Sokol Hazizaj: Gjithë drejtësia mbahet peng nga Ligji i Vetingut

726
(Vijon nga numri i kaluar)
Ne jemi jemi tani në kushtet e mos ekzistencës të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Jemi në kushtet e vështirësisë të veprimtarisë së gjykatave të Apelit. Sot, po krijohet pamundësia e funksionimit të 2 gjykatave të Apelit në Shqipëri. Jemi në kushtet e mosfunksionimit, ose të mbingarkesës që ka Gjykata e Apelit Administrativ
Sokol Hazizaj, kostitucionalist, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Telegraf” shpjegon se ligji i Vetingut mban peng gjithë sistemin e drejtësisë, sepse sot jemi në gjendjen e mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, do ketë probleme edhe me gjykata apeli, etj. Siç thotë zoti Hazizaj, kjo ndodh pasi KPK-ja punon me ritme të ngadalta, pasi edhe ligji i Vetingut parashikon periudhë 5 vjeçare për të kaluar 300 gjyqtarë dhe prokurorë. Zoti Hazizaj shpjegon se mazhoranca “niveli i urrejtjes ndaj pushtetit gjyqësor në Shqipëri ose dëshira për ta limatoluar atë, ishte më e madhe, sesa filozofia për të bërë drejtësi në Shqipëri”. 
– Zoti Hazizaj ju përmendët që janë shkelur të gjitha afatet kushtetuese për ngritjen e KLGJ, KLP etj. Kush e mban përgjegjësinë?
– Kam përshtypjen që sot, ndryshe nga ajo çka drejtësia mbart në vetvete, për funksionimin postulator, i cili lidhet me drejtësinë e vonuar, nëse deri dje, postulate i gjithëpranuar edhe sot, një drejtësi e vonuar nuk është zgjidhje, sot, si duket, ndryshe nga pranimi negativ, drejtësia e vonuar, quhet si zgjidhje për qytetarët, kur, në fund të fundit, vjen në kundërshtim me vetë parimin e gjyqësorit. Qytetarët nuk e kërkojnë këtë marrëdhënie, por shumë shpejt, veprimtaria e vonuar e KPK-së dhe nxitimi në ligjbërje, ndonëse themeli qëndron i drejtë, pastrimi i Gjyqësorit nga kalbësirat, do të japë frytet e vete në të drejtën. 

– Ju e gjykoni, që vetë procesi i Vetingut, siç u formulua, siç po zbatohet, është një eksperiment në Shqipëri?
– Unë e kam thënë me kohë, që ky proces nuk ka paradigmë, mbase e gjetën që këtu tek ne njerëzit nuk dalin për revoltë as një 1 maj. Kanë gjetur vendin e duhur për të eksperimentuar modele, të çilat nuk kanë model. Shpresoj, që të dalë ky model jo zhgënjyes.

– Kush mund të shpjegojë habinë e të të gjithëve, që në tërë këto muaj që Vetingu zbatohet, kanë kaluar gjyqtarë e prokurorë, që numërohen me gishtërinjtë e dorës?
– Ta shikojmë ndryshe. Ligji i Vetingut ka parashikuar që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është 5 vjeçar. Kështu, që nuk i nxiton askush ata, që brenda 5 viteve të verifikojë 300 gjyqtarë dhe prokurorë. Çështja është që …

– Ju na pohoni, se ligji thotë se 300 gjyqtarët dhe prokurorët kanë afat 5 vjet, që të rivlerësohen nga KPK-ja?
– Kështu gjithë drejtësia mbahet nën presionin e ligjit. 

– Ligji e pranon, që mund të duhen edhe 5 vite, që të ngrihen institucionet e reja të Gjyqësorit, kur kandidatët e këtyre institucioneve të kalojnë nga radha e Vetingut?
– Ne jemi jemi tani në kushtet e mosekzistencës të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Jemi në kushtet e vështirësisë të veprimtarisë së gjykatave të Apelit. Sot, po krijohet pamundësia e funksionimit të 2 gjykatave të Apelit në Shqipëri. Jemi në kushtet e mosfunksionimit, ose të mbingarkesës që ka Gjykata e Apelit Administrativ. Parashikohet, që në këto 5 vite, një pjesë e madhe e gjykatave të mos funksionojnë më, me ritmin që punon sot KPK-ja. Kur them që frenimi, ngadalësimi i veprimtarisë të pushtetit të së drejtës për 5 vjet lë plagë për 25 vite, përfytyroj, që ne për 30 vjet do të jemi në një sistem të tillë, ose për shkak të ndonjë nxitimi. Pushteti i së drejtës ka të bëjë me të drejtën absolute të njerëzve. Mendoni, që ligji t’i mohojë të drejtën një qytetari, mos shpreso, që nesër të rindreqet kjo e drejtë e mohuar. Nëse një të burgosuri, i mbaron dënimi sot, por drejtësia e vonuar e nxjerr nesër, në mënyrë klasike, ky gjyqësor i ka mohuar të drejtën e shoqërisë për të qenë i lirë. E drejta e një individi është përgjithësimi i së drejtës të gjithë shoqërisë. Dëmet që pëson drejtësia, për shkak të veprimtarisë joligjore të një organi, qoftë edhe të rastësishme, duhet kohë që të rigjenerohen për 20 vite. 

– Ju, dini ndonjë shembull, që kur është pretenduar se do të pastrojnë sistemin e drejtësisë të pezullojnë, të ngrijnë Gjykatën Kushtetuese në një ndërkohë pa afat, siç ndodh në Shqipëri tani?
– Për shembull, në Republikën Popullore të Shqipërisë, në 1945, kur u hoq ligji i avokatisë dhe në vendet ku drejtësia zëvendësohet me me direktivë politike. Unë mendoj, që, nëse ligjbërësi do të ishte më i matur, mund ta zgjidhte ndryshe këtë ngërç të Gjykatës Kushtetuese.

– Si?
– Ka pasur një ide nga institucionet ndërkombëtare, që Gjykata Kushtetuese të shkrihej e të bëhej Kolegji Kushtetues pranë Gjykatës së Lartë. Por, si duket, niveli i urrejtjes ndaj pushtetit gjyqësor në Shqipëri, ose dëshira për ta limatoluar atë, ishte më e madhe, sesa filozofia për të bërë drejtësi në Shqipëri. 

– A parashikohet në Ligjin e Vetingut, rasti, kur një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese rrëzohet, të zëvendësohet sa më parë, që të mos ketë kohëzgjatjeje vakuum në Gjykatën Kushtetuese?
– E di pse? Kuptoj që politika e mazhorancës në Shqipëri e ka paragjykuar drejtësinë. Nuk është çështje e reformës kjo. Reforma do bëhej e gjithëpranuar. Asnjë nuk shprehet kundër reformës. Kur fillon të hartohen detajet e reformës, atëherë kupton ku fshihet djalli. Edhe në financa, pretendohet reformë. Edhe në mjedis pretendohet reformë. Por, kur konturohet ligji, atëherë e kuptojmë se çfarë është kjo reformë, apo antireformë. Çështja e mungesës së mirëkuptimit, ose e neglizhencës, apo e urrejtjes, që ka mazhoranca e sotme ndaj pushtetit të drejtësisë, ku në thelb qëndron dëshira për të vendosur pushtetin e vet mbi drejtësinë, siç edhe mazhoranca e kaluar, drejtësia është e të gjitha pushteteve të deritanishme. Duke e shfrytëzuar meskinitetin, injorancën, mungesën e profesionalizmit, të çilat te gjyqtarët dhe prokurorët duhet thënë e vërteta. Ne kemi 5 vjet që në në 2 Parlamentet, në 2013-2017 e në këtë të tanishmin, nuk është një emërim i gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Kjo, është reformë? Atëherë, unë e mirëkuptoj edhe tërë veprimtarinë e deritanishme të KPK-së. Jemi në kushtet që të na përgjigjen: Pse në këto 6 vjet nuk është zëvendësuar, ose emëruar 1 anëtar i Gjykatës së Lartë, ose i Gjykatës Kushtetuese?

– Zoti Hazizaj, ju keni qenë edhe zyrtar i lartë i Ministrisë së Drejtësisë. Si mendoni, mekanizmi i tërë i ri i Drejtësisë, a i jep sërish mundësi ekzekutivit, që të kontrollojë mekanizmat e vendimmarrjes së Gjyqësorit?
– Unë shpresoj dhe dëshiroj të jem optimist që procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndonëse në ligj është i parashikuar normalisht, 10 vjet, sepse 6 vjet kanë kaluar, të japë efektet e veta mbi politikën. Uroj dhe shpresoj, që ato gjë që nuk e kanë bërë gjyqtarët e prokurorët, por e kanë kthyer kokën si luledielli nga ekzekutivi, të vijë një ditë, që të bëjnë rikualifikimin e atyre që distancohen nga politika. 

– Një prokuror e gjyqtar, a do të mund të marrë një vendimmarrje që të mos ketë frikë nga politika për karrierën e vet?
– Varet se çfarë modeli do vijë më vonë. Me ketë model gjyqtari dhe prokurori do të jetë i lirë nga politika. Çështja është se modelet në Shqipëri ndryshojnë nga çdo mazhorancë që vjen. Këtu çështja nuk është e gjetjes, e identifikimit të njerëzve në Gjyqësor. Çështja është e frymës të zbatimit të ligjeve. 
Sigal