Niazi JAHO:Konsensusi në KQZ mundëson caktimin e numrit të mandateve

434
Sigal

INTERVISTA/Flet për “Telegraf”, konstitucionalisti Niazi Jaho

-Zoti Jaho, Sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së i ka drejtuar një letër Kuvendit që e njofton se KQZ-ja nuk arriti të zgjidhi çështjen e caktimit të mandateve. A është i ligjshëm ky veprim?

-Këtë e kemi marrë vesh nëpërmjet medias. Problemi i caktimit të mandateve është një çështje që e zgjidh (vendos) KQA-ja. KQZ-ja i propozon Kuvendit vendimin që ka marrë dhe ky i fundit përfundimisht vendos miratimin e caktimit të mandateve për çdo zonë zgjedhore. Në këtë drejtim raporti i komunikimit zyrtar është vendosur midis KQZ-së dhe kuvendit. Detyrat e sekretarit të Përgjithshëm të KQZ-së janë përcaktuar në nenin 25 të Kodit Zgjedhor. Midis tyre (siç përmendet në këtë dispozitë) është edhe ai i përgjegjësisë të drejtimit dhe organizimit të punës për zbatimin e vendimeve të KQZ-së apo urdhëresave të kryetarit të KQZ-së sipas nenit 20 të këtij kodi. Nuk di që KQZ-ja të ketë marrë ndonjë vendim për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Sipas nenit 24 të Kodit Zgjedhor nëse për caktimin e mandateve nuk votojnë pro të paktën 5 anëtarë të KQZ-së, vendimi nuk quhet i miratuar. Është e vërtetë se kryetari i KQZ-së në marrëdhënie me institucionet e tjera në bazë të vendimeve të KQZ-së, ka të drejtë të nxjerrë urdhra të brendshme (neni 20 pika 1 germa “a” dhe “b” të kodit). Por është gjithashtu e vërtetë se “kryetari ushtron kompetencat në bazë të shkronjës “a” së bashku me zëvendëskryetarin” se: “Të gjitha aktet e nxjerra në bazë të shkronjës “b” të pikës 1 të këtij neni nënshkruhen edhe nga zëvendëskryetari, përndryshe janë të pavlefshme “(shih nenin 20 pika 3”. Kam mendimin se meqenëse afati i fundit për përcaktimin e mandateve nga KQZ-ja llogaritet deri në 7 mars 2013, nuk do të kishte ndonjë pengesë ligjore që KQZ-ja t’i rikthehej përsëri çështjes së ndarjes së mandateve. Përkundrazi pa vazhduar përpjekjet për arritjen e konsensusit nuk do të ishte e drejtë dhe as do t’i shërbente mbarëvajtjes së procesit zgjedhor që menjëherë të njoftohej kuvendi se në KQZ nuk u arrit kuorumi i nevojshëm. Fakti që përfundimisht është kuvendi që do të miratojë caktimin e mandateve, KQZ-ja nuk duhet të nxitohet dhe ta konsiderojë çështjen të mbyllur. KQZ-ja është organi më i lartë i zgjedhjeve dhe mendoj se duhet shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i lejon ligji. Në këtë drejtim kërkohet durim, transparencë duke shmangur çdo lloj ndihme politike. Për KQZ-në autoriteti më i lartë është ligji. Zgjedhësit e ndjekin me interes veprimtarinë e KQZ-së dhe duan një KQZ të paanshme.

 -Ju më sipër thatë se, afati i fundit për caktimin e mandateve është 7 marsi 2013. Ku e bazoni këtë?

-Në nenin 76 të Kodit Zgjedhor të titulluar: “Procedura dhe periudha e përcaktimit të mandateve” dhe pikërisht në nenin 5 të tij thuhet: “Në çdo rast, numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit”. Kështu, 7 marsi është përllogaritja që bëhet duke ju referuar dispozitës së mësipërme të Kodit Zgjedhor.

 -Ka mendime se afati 7 mars 2013 i takon Kuvendit, ose ky është afati i fundit për Kuvendin. A është kështu?

-Jo nuk është kështu. Ligji nuk cakton ndonjë afat detyrues për kuvendin. Ky është afati i fundit për KQZ-në. Përsa i përket kuvendit në pikën 4 të nenit 76 thuhet se: “Kuvendi me procedurë të përshpejtuar miraton me vendim ndarjen e mandateve”.

 -A mundet që brenda afatit ligjor partitë politike që kanë përfaqësuesit e tyre në KQZ, meqë vendimi për caktimin e mandateve nuk u miratua nga KQZ-ja t’i drejtoheshin Kolegjit Zgjedhor?

-Jo. Nëse do të ndodhte kjo, mendoj se Kolegji Zgjedhor do të vendoste nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit të tij, sepse kjo çështje i takon KQZ-së dhe kuvendit. Veç kësaj në këtë rast Kolegji Zgjedhor nuk mund ta detyronte KQZ-në të merrte vendim. Por le të pranojmë për një çast se Kolegji do ta shqyrtonte çështjen në themel dhe do të caktonte mandatet për çdo zonë zgjedhore, çfarë i mbetej kuvendit? Mos vallë ai duhej të mos i hynte fare kësaj çështje sepse “atë” e zgjidhi një organ gjyqësor?!

 -A mundet KQZ-ja në pamundësi për të arritur konsensusin (5 vota pro) të caktojë ose të propozojë të njëjtin numër mandatesh të miratuar për zgjedhjet e Kuvendit të vitit 2009?

-Mundet në rast se do të vepronte në kundërshtim me nenin 76 pika 3 të Kodit Zgjedhor ku thuhet se: “Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk rishikohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme”. Nuk besoj që Drejtoria e Përgjithshme e gjendjes civile t’i ketë dërguar KQZ-së të njëjtat të dhëna që i ka dërguar në vitin 2009. Si rrjedhim duhen patur parasysh të dhënat e ndryshuara gjatë këtyre 4 vjetëve dhe duhen zbatuar kriteret e parashikuara në kod për ndarjen e mandateve. Kur themi se afati i fundit është 7 marsi. Kjo nuk do të thotë se “është brenda” edhe nëse e jep vendimin në datën 7 mars 2013. Është e vërtetë se në ligj thuhet kuvendi vepron procedurë të shpejtuar, por  procedura e shpejtuar nuk do të thotë as veprim formal dhe as veprim “rrufe”. Deri në datën 7 mars 2012 mbeten edhe një muaj dhe 18 ditë. Koha mendoj se, është e mjaftueshme për t’ju rikthyer kësaj çështje, për t’i afruar pozicionimet gjithmonë në përputhje me ligjin, por pa paragjykime.

 -Pakica e anëtarëve të KQZ-së kur është diskutuar ky problem ka kontestuar të dhënat e dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e gjendjes civile lidhur me Qarkun e Kukësit. Kjo çështje nuk është sqaruar as në bazë të kërkesës për të dhëna të tjera nga i njëjti institucion. Në këto kushte a mund të thuhet se përpjekjet për konsensus nuk do të kenë sukses?

-Nëpërmjet medias diçka kam mësuar për këtë konflikt. Megjithëkëtë them se ai nuk është i pakapërcyeshëm. Do të sugjeroja që diskutimi për këtë çështje të rihapej pa komplekse dhe jashtë çdo lloj ndikimi. Reflektimi është gjithmonë i dobishëm. E rëndësishme është që nëpërmjet debatit konstruktiv të krijohet besimi. Është mungesa e besimit, dyshimi për manipulim ai që ndikon negativisht në mosarritjen  e konsensusit ose në politizimin e problemit. Rihapja e kësaj çështjeje në KQZ mendoj se do të ndodhë kushte më të favorshme.

 -Cilat janë kushtet më të favorshme?

-KQZ-ja në zbatim të nenit 61 të Kodit Zgjedhor ka miratuar auditet teknicieni. Ky nen titullohet “mbikëqyrje e hartimit të listave të zgjedhësve nga KQZ-ja”. Në pikën 4 të këtij neni thuhet: “Auditet tekniciene kontrollojnë përputhshmërinë e veprimeve të kryera nga zyrat e gjendjes civile, me rregullat e përcaktuara nga ky kod, ligji për gjendjen civile dhe aktet e nxjerra në zbatim të tyre nga KQZ-ja dhe ministri që mbulon shërbimin e gjendjes civile”. Këto audite i paraqesin raportet përkatëse KQZ-së. Këto raporte mund të ndihmojnë në sqarimin e kësaj apo asaj çështjeje që mund të ketë kundërshtime.