Zamira Çavo:“Autoritarizmi që e ka mbytur dhe atë pak demokraci që ekzistonte në vend”

472
Sigal

INTERVISTA/Zamira Çavo, analiste: “Fajtorë të dhunës në familje, është modeli ynë qeverisës  i anarkisë dhe situata politiko-sociale”

Krimi në familje  dhe dhuna kundër grave është bërë si leuçemia e gjakut për shoqërinë tonë, ndërsa politika zhurmon këmborët e korrupsionit familjar, duke mos guxuar dhe dashur kurrë që të prekë fajtorët. Mosreagimi tregon një paralizë të shoqërisë, thua se vetë kjo është në gjendje kome shoqërore. Analistja dhe aktivistja shoqërore Zamira Çavo, në intervistën për “Telegraf” duke, shpjeguar shkaqet e krimit e dhunës në familje dhe kundër grave, pohon se, “krimi nuk ka frikë nga ligji dhe shteti nuk ka frikë nga populli”. Zonja Çavo, duke bërë edhe skanimin e procesit zgjedhor, parashikon zgjedhje të zymta, pasi, autoritarizmi ka mbytur edhe atë pak demokraci që ekzistonte në vend.

Krimi nuk ka frikë nga ligji dhe shteti nuk ka frikë nga populli.

– Zonja Çavo, dhuna në familje, e për më tepër dhuna kundër gruas, po merr përmasa të mëdha, e megjithatë, nuk kemi reagim nga askush. Ç’do të thotë kjo, që nuk shqetësohemi nga dhuna, që nuk shqetësohemi nga mosreagimi?

– Dhuna ndaj gruas ka marrë përmasa gati të frikshme. Madje, duket si epidemi. Ju thoni se nuk reagon askush. Unë them të kundërtën, me qindra herë shoqëria civile ka ngritur zërin, ka protestuar, ka ndërmarrë dhe nisma ligjore, por sërish gjendja duket sikur agravohet. Unë mendoj se ka shumë faktorë që nxisin dhunën ndaj gruas në Shqipëri, por kryesorja mbetet gjithnjë situata jonë politiko-sociale. Modeli ynë qeverisës është modeli i anarkisë dhe jo i demokracisë. Krimi nuk ka frikë nga ligji dhe shteti nuk ka frikë nga populli. Ja pse jemi futur në një qerthull, nga i cili mund të na nxjerrë vetëm një Revolucion. Duhet të ngremë shtetin dhe të vendosim ligje, ndryshe dhuna do na përfshijë në çdo qelizë të jetës sonë. Ndryshe, dhuna ndaj grave do të jetë një pjesëz e dhunës që shoqëria do të përjetojë në të ardhmen.

– Si shoqëri, a jemi të interesuar të kërkojmë shkaqet e kësaj dhune?

– Pyetje e bukur. Nuk di të them me siguri. Shikoj që shumë njerëz preferojnë këtë model qeverisje. Dhe është ë kuptueshme sepse “ujku” kërkon mjergull. Kjo kategori është më së shumti kategoria që përdor shtetin për interesa të veta, që nuk do t’ja dijë për ligje. Ndaj preferon një gjendje të tillë kaotike, ku dhunuesi nuk dënohet dhe opinion orientohet të dënojë viktimën. Por është dhe një kategori tjetër, e cila nuk ka kulturën e nevojshme për të kuptuar realitetin në thelbin e vet. Më vjen keq që i them këto, por realiteti është i tillë.

Përse tregohemi indiferentë që ta parandalojmë dhunën në familje e dhunën ndaj gruas?

– Është e vështirë të parandalohet dhuna në familje, por nuk është aspak e vështirë që rastet e denoncuara të dënohen sipas ligjeve, të cilat, duke mos vepruar, thua  se nuk ekzistojnë. Por, duket se shoqëria jonë ende primitive, përsa i përket emancipimit të saj kulturor, nuk e vlerëson këtë formë dhune. Po t’i shtojmë kësaj dhe faktin që drejtësia shqiptare e ka zëvendësuar fjalën “Drejtësi” me fjalën “Para”,  përgjigja vjen vetë. Nuk mund të parandalohet dhuna në familje, nëse drejtësia nuk vepron, nëse nuk denoncohet kjo dhunë, nëse media nuk ngulmon në trajtimin e këtyre shfaqjeve, duke mbajtur qëndrim kritik jo ndaj viktimës, por ndaj dhunës. Mua më duket se kemi bërë hapa prapa në lidhje me trajtimin e gruas. Duket e pabesueshme,  por abortet selektive janë një shprehje e kësaj që them. Psikologjia jonë rurale është kthyer në kohërat e largëta,  kur gruaja shihej si pa vlerë. Dhe mos harroni, se kjo kategori rurale tashmë ka populluar dhe qytetet e mëdha, ndaj është dhe problem urban.

– Cili është progresi i arritur nga Shqipëria, në arritjen e standardeve demokratike, në kuadrin e plotësimit të prioriteteve që ishin kusht për marrjen e statusit kandidat?( pavarësisht nga mosvotimi i tre ligjeve)

– Standarde demokratike? Vështirë të gjesh standarde demokratike në këtë vend, ku mafia është shteti dhe ku populli nuk kupton se çfarë po bëhet. Unë e kam thënë dhe më parë për arsye gjeopolitike ne dhe mund ta marrin statusin, por ne jemi vite drite larg Europës në standarde demokratike. Dhe nuk është puna e 3 ligjeve.

– Nismën e intelektualëve, që i drejtojnë Edi Ramës thirrje të votohen 3 ligjet, ju e vlerësoni si reagimin e elitës shoqërore që është vërtet e shqetësuar për progresin e integrimit?

– Nëse ky grup njerëzish, që ju e quani elitë shoqërore, do të kishte vepruar me vullnetin e vet, do ta kishte bërë më parë këtë peticion. Tashmë, është vetëm një thirrje mjerane për të “zënë” një vrimëz të vogël të anijes shtetërore, që ka futur ujë nga të gjitha anët. Për rrjedhojë, jo vetëm që nuk ka vlerë, por kam frikë se ka ndikuar negativisht dhe për reputacionin e tyre. Këtë e them me bindje se, nëse një njeri e quan veten intelektual, nuk arrin të kuptojë se jo me 3, por as me 33 ligje te tjera Shqipëria nuk i afrohet Europës, nuk ka se si të quhet elitë…

– Mosmarrja e statusit kandidat, edhe për herë të tretë, u trajtua nga politika si ngjarje e rëndomtë, madje, shërbeu nga palët fajtore, edhe si themele të zotimeve elektorale. Sipas jush, përse një sjellje e tillë?

– Kjo është e kuptueshme. Ka 22 vjet që politika shqiptare luan si macja me miun jo mes vetit, por me ne. Por doja t’ju sillja në vëmendje thirrjet e z.Berisha në fushatën e fundit elektorale: Unë ju siguroj ju se askush nuk mund të ndalojë marrjen e statusit të vendit kandidat…” Ja që siguria e z.Berisha doli një bllof. Kështu do të vazhdojnë të dalin bllok dhe deklaratat që sapo kanë filluar. Puna është se njerëzit kanë filluar të besojnë gënjeshtrat, sepse nuk arrijnë dot të kuptojnë realitetin.

– Rotacioni politik që shtrohet si nevojë e zgjedhjeve të 2013-s, është i mjaftueshëm vetëm me ndryshimin e palëve politike në qeverisje?

– Së pari, të biem dakord që rotacioni është domosdoshmëri në një demokraci. Në të kundërtën, nuk ka më demokraci. Pra, kjo maxhorancë duhet domosdoshmërisht ta lërë pushtetin. Duhet ta linte, edhe nëse kishte një model qeverisje të shkëlqyer. Por jam dakord me ju, nuk mjafton ndryshimi i krahëve. Ky vend ka nevojë për ndryshim radikal në mënyrën se si funksionon shteti. Ka nevojë për ligje dhe zbatimin e tyre. Duhet ta dijë kushdo, dhe ai që pretendon kryeministrin, se mbi Ligjin nuk del dot ASKUSH!

– PS-ja duket e pafuqishme që të organizojë një front opozitar me ato forca opozitare që janë sot kundër qeverisjes Berisha. Ju, do ta trajtonit si paaftësi politike të liderit të saj, Edi Ramës, apo PS-ja është e bindur se shumatoren qeverisëse do ta fitojë në aleancë me elektoratin?

– Partia Socialiste ka strategjinë e saj, që ndoshta e çon në fitore. Ajo i bën llogaritë e saj vetë. Por ama fronti opozitar, kundër këtij modeli qeverisës, me apo pa aleanca me PS-n do të ngrihet patjetër!

– PS-ja, në mënyrë të përsëritshme, i drejton ftesë LSI-së që të shkëputet nga bashkëqeverisja e të bashkohet me opozitën. Kjo për PS-në, sipas jush, është pjesë e strategjisë, që pushteti fitohet me çdo çmim, apo LSI-ja do të kontribuojë, për të mirë, në një bashkëqeverisje të majtë?

– LSI me siguri do të bëjë llogaritë e veta për të qëndruar në pushtet edhe në katër vitet e ardhshme. Prandaj, ajo ngurron të shprehet për aleanca që tani, pa kuptuar se si vjen “fryma” e zgjedhjeve. Sa për PS-në, nuk kam parë ndonjë ftesë zyrtare ndaj LSI-së. Duket se marrëdhëniet e dyshimit, mes këtyre dy forcave politike, do të kushtëzojnë marrëdhëniet e tyre edhe në të ardhmen.

– Duke politizuar që në fillim të procesit zgjedhor, vendimet e KQZ-së, sa mund të pretendojmë që në Shqipëri palët politike kontribuojnë në ndërtimin e një kulture demokratike?

– Jo vetëm kaq. Por mund të them se prognoza për zgjedhje të vërteta demokratike është mjaft e zymtë. Dhe ka një përgjigje për këtë: autoritarizmi që e ka mbytur dhe atë pak demokraci që ekzistonte në vend.

– A nuk është pikëpyetje e madhe qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, këtu në Tiranë por edhe në SHBA e BE, të cilët edhe pse konstatojnë, shmangien nga normaliteti ligjor i procesit zgjedhor, edhe pse bëjnë apel, por në fund të fundit, pajtohen me çdo produkti rezultativ të atij procesi zgjedhor që (sikurse edhe tani) kritikojnë?

 – Unë po i përgjigjem duke ndarë më ju atë çka njerëzit thonë me zë të lartë: përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë, janë “infektuar” në përgjithësi nga politika qeverisëse por në fund të fundit i  qëndrojnë idesë se demokraci do të thotë popull në fuqi. Pra ,nëse del një fitues( pavarësisht rrugës) ai është partneri i tyre i ardhshëm. Por besoj dhe ata e dinë mirë se nga zgjedhjet, madje dhe nga ato më të lira, mund të dalë në krye diktatori më i keq. A nuk ishte dhe Hitleri një pjellë e tillë e demokracisë?

– Faleminderit!