Protesta madhështore e opozitës/ Nesër zbresin në shesh edhe të zhgënjyerit e Rilindjes. Protestuesit do qëndrojnë deri në largimin e qeverisë

414
Sigal

Kryemadhi: Në protestat kundër qeverisë edhe socialistë. Rilindja e Edi Ramës ka kapur të gjitha institucionet

Nesër  shqiptarët në protestën më të madhe të postkomunizmit, deri në largimin e kryeministrit

Jakup B. GJOÇA

Nesër në Tiranë do të organizohet protesta më e madhe e opozitës, që nga 1991-shi. Është karakteristikë, se çdo protestë e radhës, tashmë është më e madhe se e mëparshmja. Kjo shpjegohet se shqiptarët e kanë vrarë frikën, por në këto protesta nuk janë vetëm militantët e opozitës PD – LSI, por në protesta marrin pjesë të gjithë: Qytetarë pa parti por të pashpresë, të papunë, të rinjtë e diplomuar dhe të kualifikuar, profesionistë por nuk kanë të ardhme në Shqipëri, studentët të cilët u mashtruan nga kryeministri Rama me të ashtuquajturin “Pakt për Universitetin” dhe që në protestat e dhjetorit 2018 u kërcënuan nga pushtetarët, bisnezmenët, të cilët po rrënohen dhe përditë po i vënë drynin bizneseve, ngaqë nuk durojnë dot barrën e taksave, kontrollet selektive të taksidarëve partiakë dhe të korruptuar, pensionistët, të cilët nuk kanë më asnjë mundësi të blejnë sot as ilaçet, fermerët, të cilët e punojnë tokën me parmendë dhe nuk kanë ku të shesin produktet, intelektualët e injoruar dhe të shpërfillur. Protesta tashmë është e të gjithë shqiptarëve kundër qeverisë më të korruptuar dhe të inkriminuar.

Protesta në vazhdimësi në të gjithë Shqipërisë

Një tjetër karakteristikë e strategjisë së Opozitës së Bashkuar pas 25 majit do të jetë që protestat do të jenë në vazhdimësi të përditshme, do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë deri në largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Protestat do të vazhdojnë të përditshme deri në 30 qershor, për të mos lejuar në asnjë mënyrë zhvillimin e zgjedhjeve vendore pa opozitën.

Kryemadhi: Edhe socialistët protestojnë kundër Rilindjes

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi gjatë takimit me strukturat e LSI-së në njësinë nr 8 në Tiranë, deklaroi se edhe socialistët marrin pjesë në protestat kundër qeverisë Rama, pasi ata vuajnë njësoj tasat e ngritura, mungesën e vendeve të punës, mungesën e sigurisë dhe mungesën e barazisë në drejtësi, arsim dhe shëndetësi. Kryetarja e LSI-së tha se është pikërisht Edi Rama kumbari i këtyre fenomeneve të cilat çdo ditë e më shumë po rëndojnë jetesën e familjeve shqiptare. “Dua të them që komunikimi ynë me njerëzit nuk është thjesht komunikim proteste dhe për të dalë e për të thënë që shqiptarët përkrahin opozitën. Jo! Komunikimi ynë është përfundimtar me shqiptarët për të thënë që të gjithë partitë politike, sepse sot me qytetarët janë të gjitha partitë politike. Është vetëm Rilindja e Edi Ramës ajo që ka kapur qeverinë, Parlamentin, Prokurorinë, gjykatat, të gjitha institucionet. Është vetëm një grup i vogël njerëzish, sepse pjesa më e madhe e socialistëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë janë në protestë. Diku janë në protestat e opozitës, diku janë në protestat e falimentimeve, qepenave të dyqaneve që ulen, sepse taksat nuk duan ta dinë je socialist, je demokrat, apo je lësëist. Njerëzit i paguajnë taksat dhe taksat të cilat u kanë rënduar mbi shpatullat e tyre dhe e kanë falimentuar biznesin. Janë me qindra mijëra shqiptarë që kanë ikur për shkak të mungesës së punës në Shqipëri. Taksat e larta, mungesa e punës, ekonomia e trazuar, mungesa e sigurisë, diskriminimi, mungesa e barazisë në shërbime, në drejtësi, në arsim, në shëndetësi e kudo janë të gjitha fenomene që po shtohen çdo ditë e më shumë. Dhe në fakt këto fenomene kanë një kumbar, i cili është Edi Rama. Është ai që ka prodhuar këtë situatë ekonomike skandaloze, është ai që ka prodhuar këtë situatë në arsimin shqiptar, është ai që ka prodhuar këtë situatë në shëndetësinë që u premtoi shqiptarëve me të madhe që do bënte shëndetësinë falas, por në fakt kemi shëndetësinë më të shtrenjtë në rajon”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.