Meta: Vota e emigrantëve, e drejtë bazike

49
Pas një takimi me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Itali, ku dhe u firmos një marrëveshje bashkëpunimi, kreu i Kuvendit Ilir Meta tha se vota e emigrantëve është e drejtë bazike për tu shprehur për të ardhmen e vendit.
“Vullnetin tim për të drejtën e votës së emigrantëve kudo ku jetojnë që të kenë të drejtë bazike për t’u shprehur për të ardhmen e vendit të tyre, po njëkohësisht edhe për të mbështetur krijimin e gjithë institucioneve që do ta forcojnë më tej dialogun mes vendit tonë dhe gjithë qytetarëve tanë kudo ku janë, që do të rrisë kujdesin tonë ndaj tyre në të gjitha aspektet, sepse mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim dhe ne jemi një vend që ka një emigracion të lartë dhe kemi nevojë për ta mbështetur akoma më shumë ketë potencial”, tha  Meta.
Ai tha se lidhur me marrëveshjet e përmendura do të informohet edhe Kuvendi për të parë nëse ka nevojë për fuqizimin e institucioneve të shtetit që kujdesen për emigrantët dhe diasporën.
Larg vëmendjes së kryetarit të Kuvendit nuk ka qëndruar as situata problematike e krijuar ditët e fundit në disa zona të vendit, për shkak të reshjeve të dendura. Meta tha se euforia e kualifikimit të merituar të kombëtares, nuk duhet të zbehë vëmendjen ndaj një problemi real
“Unë kam qënë në ndjekje të situatës vazhdimisht me ministrin e Bujqësisë zotin Panariti dhe të Transportit, Haxhinasto. Situata është shqetësuese dhe pritet ditën e ardhshme të ketë mot të vështirë, shpresoj që gëzimi i këtij kualifikimi të merituar të mos çojë në zbehjen e vëmendjes ndaj një problemi real dhe mjaft shqetësues që ndeshin qytetarët tanë. Shpresoj që po merren të gjitha masat e nevojshme”, tha Meta.