Kreu i LSI-së: “Nuk po zbatohet marrëveshja 3+1 me PS-në për punësimet”

515
Sigal

Ilir Meta mbledh në Elbasan deputetët, drejtuesit e institucioneve dhe të degëve lokale PS dhe LSI

Ndryshe nga herët e tjera, takimi i radhës me deputetët, drejtuesit e institucioneve dhe të degëve lokale PS dhe LSI në Elbasan, ka pasur prezent kreun e Kuvendit Ilir Meta dhe disa prej ministrave të partisë tij. Takimi i përmuajshëm, lidhej me llogari-dhënien e përfaqësuesve të dy partive qeverisëse, raportet me bazën, punësimet dhe programet për muajt dhe vitin e ardhshëm. Në takim ka marrë pjesë edhe kreu i LSI zoti Ilir Meta, ministrat Haxhinasto deputetët e qarkut të Elbasanit, drejtues të degëve lokale, dhe detyrimisht edhe drejtorët e dy partive. Takimi ka nisur me tone të qeta dhe ka vazhduar duke zbuluar problematika për të cilat kreu i LSI është befasuar. Ai ka qenë tepër kritik me të vetët, por edhe me drejtuesit e PS dhe deputetët e pranishëm, duke u shprehur se “skema 3+1, pra tre të punësuar nga socialistët dhe një i punësuar nga lësëistët, duket se nuk ka funksionuar në shumicën e rasteve siç duhet, kemi nxitim nga drejtorët e LSI për të afruar dhe punësuar çdo njeri që troket pa e ditur se, kujt i përket, duke mos zbatuar madje edhe kriteret më elementare, por edhe largim të pakuptimtë dhe ftohje nga drejtuesit e emëruar nga PS-ja”. Sipas Metës kjo situate duhet të marrë fund pasi “në zgjedhjet e afërta lokale na duhet bashkimi dhe fitorja dhe jo ndarja dhe humbja”. Deputetët e pranishëm të PS dhe LSI në takim, kanë kërkuar të specifikuara rastet e punësimit nga drejtorët e thirrur, duke u kërkuar atyre “statistika të sakta dhe lista emërore, sa nga PS dhe sa nga LSI  janë  keni punësuar”. Mjaft prej deputetëve si Ulqini, Balla, apo edhe Kushi, kanë shfaqur pretendime ndaj disa drejtuesve për mënyrën, metodat dhe raportet e mbajtura dhe të ndërtuara deri sot duke mos realizuar 100 për qind marrëveshjet për punësimet. Sipas tyre “ka drejtues që kanë marrë lista nga ne qysh para 7-8 muajsh dhe kanë punësuar jo më shumë se 20 për qind të personave, duke na bërë të pakënaqur bazën e partisë, e cila pretendon se nga LSI ka dyndje dhe punësimet më masive, duke shkelur marrëveshjen e punësimit”. Fakti është se Elbasani aktualisht ka rreth 38 mijë të papunë, dhe mbi 90 për qind e tyre janë votuesit e PS dhe LSI, gjë e cila ka vënë në siklet të madh deputetët por në takimin e fundit në këtë qytet edhe vetë kreun e LSI Ilir Meta. Ai ka kërkuar nga deputetët  e tij në qarkun e Elbasanit bashkëpunim maksimal me kolegët e tyre të PS, por edhe raportim periodik për zbatimin e pikave të marrëveshjes për punësimin. “Elbasani ka dha fitore plebishitare, ndaj i detyrohemi këtij qyteti dhe duhet të bëjmë më shumë për ata që na votuan dhe presin të na votojnë në zgjedhjet e ardhshme për bashkitë dhe komunat”. Meta u ka kujtuar deputetëve të tij dhe drejtorëve të emëruar nga LSI se “pa një PS të fortë dhe solide, harrojeni fitoren në zgjedhjet lokale dhe zbatimin e marrëveshjeve tona të përbashkëta”. Kjo deklaratë u bë nga Meta pasi edhe ardhja e tij ishte e qëllimshme në Elbasan. Kjo pasi muajt e fundit mes dy partive lokale ka pasur ftohje dhe një “luftë të ftohtë” e cila lidhet me pretendimet për të marrë postet e 4 drejtorive, gjë, e cila është kundërshtuar ashpër nga blloku i deputetëve socialistë. Prej 1 viti mes tyre ka nisur gara e ashpër e pranimeve dhe punësimeve, duke mos pyetur dhe duke shkelur dukshëm marrëveshjen e pranuar nga dy liderët Rama-Meta.     

 Tefik  OSMANI