Infermierët në QSUT protestojnë kundër parkingut

884
Sigal

Dje dhjetëra infermierë protestuan para QSUT-së, kundër vjeljes së parave që u bën koncesionari që ka marrë parkingun e gjithë mjedisit të brendshëm të QSUT-së. Siç pohuan vetë infermierët, ata detyrohen nga koncesionari, që të paguajnë çdo ditë para për të parkuar makinat e tyre në mjediset e punës së tyre. Ky është një rast i paparë, i padëgjuar, një skandal i paprecedentë. Ku është parë e dëgjuar, që infermierët, mjekët dhe personeli i spitalit të paguajnë çdo ditë para për të parkuar. Nëse sjellim shembuj, në spitalet publike të Greqisë, edhe brenda në Athinë, spitalet e mëdha kanë parking falas, edhe për personelin e tyre, por edhe për pacientët dhe shoqëruesit e tyre. Në rastin e QSUT-së, siç bënë me dije infermierët dje në protesta, koncesionari ishte zotuar që dot ë pajiste me kartë elektronike të gjithë infermierët dhe mjekët që punojnë në QSUT dhe ata nuk do të paguajnë asnjë lekë. Mirëpo, koncesionari, nuk e ka zbatuar këtë kontratë që ka nënshkruar, ndërkohë, që edhe ministri i mëparshëm i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, por edhe ministrja e tanishme e Shëndetësisë, Manastirliu, nuk kanë reaguar, edhe pse infermierët janë ankuar e kanë protestuar disa herë kundër zhvatjes që u bën koncesionari i parkingut. Ndoshta heshtja e ministres së Shëndetësisë ndaj vjedhjes që u bën koncesionari mjekëve dhe infermierëve, të cilët i detyron çdo ditë të paguajnë për parking, ka të bëjë, ndoshta edhe me shërbesë të interesave të ndërsjella. Prokuroria duhet të hetojë kontratën, dhe nëse koncesionari i parkingut ka shkelur kontratën dhe padrejtësisht i zhvat infermierët dhe mjekët, atëherë, ai duhet të përgjigjet penalisht për vjedhje, abuzim dhe t’i ndërpritet edhe kontrata e koncesionit.