Sejmen GJOKOLI/Metën e fituam.Të fitojmë njeri – tjetrin.

474
Sigal

Për të mos krijuar ndonjë keqkuptim më duhet të them qysh në krye radhë se e kam fituar ”bastin ”. Vëtëm para pak kohësh në shkrimin : “ Me apo LSI-në, dilema që shpejt do zgjidhur” kam trajtuar, parashikuar e kërkuar si një nga alternativat e pritshme këtë që në fakt, sot ka ndodhur.  Që LSI –ja të meritonte vendin mes simotrave të tjera në koalicionin rreth partisë socialiste duhej që një orë e më parë të hiqte dorë nga bashkë qeverisja me PD, në rast se kjo do ti kërkohej nga  PS. Dhe kjo ndodhi, madje  fare rrufeshëm e kaq pa pritur sa jo pak i zuri në befasi e ende su besohet. Sakaq diskutimet, komentet e hamendësimet janë në kulmin e tyre. Nuk bëj pjesë në ata që anatemojnë afrimin e Metës e të partisë së tij në koalicionin opozitar por, për të qënë korrekt, jam tërësisht në anën e atyre që i ha meraku për ngjizjen e këtij bashkimi dhe më konkretisht për modalitetet apo kushtet që do të shoqërojnë këtë akt. Kam ndarë gjithëmonë mendimin se LSI-ja me kalimin në krahun e opozitës do të rreshtohet në radhë me partitë e tjera të spektrit të majtë apo edhe të tjera parti të bashkuara në kampin opozitar . Kjo edhe si një autokritikë e hapur dhe si një ndjesë publike ndaj gjithshkaje që kjo forcë politike demostroi këto katër vite qeverisje në krahun e Berishës, si patericë.  Dhe ka plot arësye pse ka vend për ndjesë e pse kjo lypset të ndodhë.  Qysh nga momenti i hyrjes në qeveri për ti dhënë udhë e frymëmarrje Berishës  në kohën që votat i mori për ta nxjerrë atë në pension, qëndrimin për të vrarët e 21 Janarit, mishmashin në gjithfarë konçesionesh me pasuritë e nëntokës e mbi tokës etj. etj. Po dëgjojmë që mjaft  skeptikë të bashkimit  u bien daulleve të moralit. Unë bëj pjesë ndër ata që  duan të besojnë në moralin e ri të koalicionit. Kryetari  Rama duket se është në vlerësim të sensibiliteteve të krijuara nga vendimi i fundit dhe letra e hapur është një hap i domosdoshëm. Por kjo është e pamjaftueshme e që besoj do të shoqërohet nga një strategji e menjëherëshme  e forumeve duke shtuar kanalet e komunikimit me anëtarët e partisë dhe  qytetarët nga qendra në bazë. Përplasjet  katër vjeçare dhe besëprerja e ndodhur në të majtën shqiptare  me autore Lsi-në ,katër vite më parë, nuk mund të zbutet me një të rënë lapsi. As vetëm përmes komenteve apo statuset në rrjetet sociale. Opozita shqiptare dhe të gjithë ata që kanë vendosur të ndahen , më së fundi, njëhërë e përgjithmonë nga regjimi i Berishës janë të dënuar të gjejnë njeri tjetrin. Dhe është koha që të rreshtuar në formacione politike apo thjesht si qytetarë opozitarë të japim provën e madhe. Pse jo edhe duke kërkuar hapur që seicili të bëjë atë që duhet. Siç duhet ta bëjë edhe Ilir Meta e partia e tij ku e menjëherëshme mbetet heqia dorë nga kushtet parazgjedhore  ndaj kreut të opozitës së sotme e kryeministrit të nesërm të cilat për këtë të fundit nesër mund të  shndrohen në zgjedhë. Kujtdo do ti priteshin gjunjët për punë e sakrifikim nëse do të dinin që atij që kanë tetë vite që e aspirojnë për në krye të punëve të vendit ti jenë lidhur këmbë e duar qysh në ditën e parë të punës si kryeministër. Ja pse presim që nga Meta e partia e tij të priten kontribute për të rrëzuar qeverinë e berishës e jo kushte për të përfituar për vehte. Vetëm kështu, bashkë me Metën e me plot të tjerë, kemi mundësi të fitojmë edhe njeri tjetrin dhe të gjithë ata që besojnë te partia socialiste dhe Edi Rama. Vetëm kështu mbajmë e shtojmë përditë njeri –tjetrin dhe vetëm kështu Rilindja mbetet Rilindje.