Frank Shkreli*: Miratohen anëtarët e Autoritetit për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar

92

Miratohen anëtarët e Autoritetit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të
shtetit shqiptar. Në portalin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë njoftohet
se të enjten, Komisioni  për Çështjet
Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi dhe miratoi
kandidaturat e propozuara nga deputetët dhe anëtarët e Autoritetit për
Informimin me dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit.
Parlamenti shqiptar votoi
autoritetin për informim me dosjet e ish Sigurimit të Shtetit.  Sipas burimeve nga Tirana, ky Autoritet
përbëhet nga 5 persona të caktuar sipas ligjit: një e ka propozuar Shoqata e
ish të përndjekurve politikë, një nga Shoqëria civile e të drejtave të njeriut,
një qeveria dhe dy janë emëruar nga parlamenti.  Komisionit të ligjeve iu paraqiten 11 persona,
dy prej te cilëve u skualifikuan nga komisioni. 
Shoqëria civile e të drejtave të njeriut propozoi ish të përndjekurin,
Z. Simon Mirakaj dhe drejtoreshën ekzekutive zj. Ballauri dhe Drejtorin e
ekzekutiv të qendrës së reabilitimit për shkak të torturës, z. Adrian Kati, ndërsa
Daut Gumeni, ish i burgosuri intelektual u propozua nga ish të përndjekurit
politikë. Kryetare e Komisionit është caktuar Gentiana
Sula, e propozuar nga qeveria.  Katër
anëtarët e tjerë janë Altin Hoxha, Mariglen Kasmi, Daut Gumeni dhe Simon
Mirakaj.
Shqyrtimi  i
kandidaturave për këtë komision ishte në rendin e parë të ditës, ndërkohë
që  u njoftua se partitë politike
parlamentare kishin dhënë mbështetjen e tyre për kandidaturat e paraqitura për
anëtarë të Autoritetit për Informimin, me dokumentet e ish-Sigurimit të
Shtetit. Relatorja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, njoftoi se tre partitë
kryesore  politike,
 Konkretisht Grupi
parlamentar i Partisë Socialiste, i Partisë Demokratike dhe i Lëvizjes
Socialiste për Integrim kanë mbështetur me 28 deputetë, kandidaturat dhe i kanë
propozuar Kuvendit të Shqipërisë emrat e kandidatëve për këtë komision. Ajo
bëri të ditur se në bazë të nenit 8, kandidaturat që propozohen janë: dy
kandidatura nga Kuvendi i Shqipërisë, një përfaqësues propozohet nga shoqata e
të përndjekurve politikë dhe mbështetet nga jo më pak se 28 deputetë, ndërsa
një përfaqësues propozohet nga shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut
dhe kandidatura mbështetet nga jo më pak se 28 deputetë dhe një anëtar
propozohet nga Këshilli i Ministrave, informoi znj. Hysi. Ajo informoi
deputetët se kandidaturat që u propozuan nga Shoqata e të Përndjekurve, nga
Shoqata e të Drejtave të Njeriut dhe që u mbështetën nga 28 deputetë janë
kandidatura e z. Daut Gumeni, kandidatura e vetme e propozuar nga shoqatat e të
përndjekurve politikë dhe është mbështetur nga 28 deputetë të Grupit
parlamentar të PS.  Kandidatura e dytë
është z. Simon Miraka,  që është kandidatura e vetme e propozuar
nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe e cila njëherazi është
mbështetur nga 28 deputetë të grupit parlamentar të PD.  Z. Simon Mirakaj rrjedhë nga njëra prej
familjeve më të përndjekura anti-komuniste, jo vetëm në veriun e Shqipërisë,
por në mbarë vendin.  Pra këta kandidatë,
kandidojnë dhe mbështeten për pozicione që konkretisht i kanë të përcaktuara në
ligj, shtoi relatorja e Kuvendit shqiptar. Kandidaturat që propozohen dhe
zgjidhen nga Kuvendi janë tre. I pari është z. Altin Hoxha, është kandidaturë e
propozuar nga Grupi parlamentar i LSI dhe ka marrë mbështetjen nga 28 deputet,
thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë. 
Z. Maringlen Kasmi, është kandidatura e propozuar nga grupi parlamentar
i Partisë Socialiste, kandidaturë e cila propozohet dhe zgjidhet nga Kuvendi
dhe është mbështetur me 28 deputetë. Dhe kandidatura e tretë është z. Selami
Zalli, kandidaturë e propozuar nga Grupi parlamentar i PD-së, ndërkohë që edhe
kjo kandidaturë votohet nga Kuvendi i mbështetur nga 28 deputetë”,- shpjegoi
znj. Vasilika Hysi. Është ky një hap tepër megjithëse i vonuar, por i
mirëpritur nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Por, siç thonë, më mirë vonë se
kurrë. Uroj që anëtarët e ri ta marrin punën me seriozitetin më të madh.  Hapja e dosjeve e Sigurimit të Shtetit
shqiptar është kërkuar gjatë 25-viteve post-komunizëm, jo vetëm nga ish-të
përndjekurit politikë të cilët e kanë pësuar keq me familje dhe farefis nga
Sigurimi i Shtetit të regjimit të Enver Hoxhës, por edhe  Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Europës kanë
presion për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, ashtu siç kanë bërë
shumica e vendeve ish-komuniste në Europë. 
Mbetet për tu parë nëse Kuvendi i Shqipërisë e mbështetë me financimin e
nevojshëm dhe me fuqinë e ligjit të Kuvendit Autoritetin e ri për hapjen e Dosjeve
të Sigurimit, a po do të jetë edhe ky një angazhim me fjalë boshe për qëllime
propagandistike të radhës, si deri tani: një ushtrim sa për sy e faqe, i pa
kurrfarë vlere, duke u hedhur pluhur syve ish të përndjekurve të shkretë.