Azem PARLLAKU/ Hartat ushtarake shqiptare janë kërkesë dhe sfidë e kohës

387

*(Retrospektivë)

Shumë herët Shqipëria kishte një hartë. Ndonëse me shkallë të vogël dhe pa hollësira, më të njohurat ishin ajo e Ptolemeut në antikitet, më vonë ajo e Strabonit si hartë romake rrugësh në të cilën paraqiten mjaft qendra banimi, kala, lumenj, rrugë e pyje. Në mesjetën e hershme trevat shqiptare janë paraqitur dhe në hartën e gjeografit arab Idriz, më 1154. Gjeografë të shumtë të mesjetës si Piri Reisit, Gastaldi, etj., u bënë pararendës të paraqitjes së vendbanimeve shqipfolëse, për gjeografët e mëvonshëm si, Kanteli, Zatta, e të tjerë. Në shekullin XIX erdhën gjeografë nga shtete të ndryshme të Europës, disa prej të cilëve botuan harta të vendit tonë, për të mbërritur tek një hartë dhe studim gjeodezik më i plotë i hartuar nga Instituti Gjeografik Ushtarak i Vjenës. Dhe në këtë rendje pas gjurmës nuk shmangemi dot as nga kontributet e shqiptarëve të tillë si Karl Gega, autori i tunelit të Semeringut dhe hekurudhës përkatëse, Hoxhë Tahsini kozmografi i parë shqiptar, që edhe pse me rason e klerikut islam maste yjet. Të ardhur nga koha e Mbretërisë, Filip Geci, Ndoc Luli, Qazim Sylja, etj, me kontributin e tyre do të ngacmojnë në memorien tonë si firmëtarë të fillimeve të shërbimit gjeodezik dhe topografik të Ushtrisë shqiptare. Mbartësit dhe protagonistët e historisë së kësaj fushe mbeten ajo pjesë gjeografësh, gjeologësh, topografësh, udhëtarësh, astronomësh, ushtarakësh, kontributi i të cilëve mbetet për t’u vlerësuar sa herë hedhim vështrimin mbi hartat varur, apo mbi imazhet virtuale të “Strehës tonë Tokë”. Rilindasi dhe burri i madh Sami Frashëri do të botonte Fjalorin e madh të Gjeografisë. Në vjeshtën e 1927-ës, haset grupi i parë gjeodezik shqiptar, i cili në bashkëpunim me Institutin e Gjeografisë Ushtarake të Firences nisën punimet për krijimin e hartës shqiptare të shkallës 1:50.000. Përdorimi i hartës jo pak do të fitonte terren gjatë Luftës për çlirimin e Shqipërisë. Më vonë përdorimi i hartës u kthye në modë për administratën e asaj kohe. Në Prill të 1946-ës, pranë Shtabit të Përgjithshëm nisi të funksionojë seksioni gjeodezik, për plotësimin e nevojave minimale të Ushtrisë me harta dhe koordinata. Modelimi territorial i Shqipërisë në tri përmasa i vlejti në këtë kohë zhvillimeve të ekonomisë dhe qëllimeve të mbrojtjes, ndërsa mbeti si një kujtim monumental dhe artistik. Në vitin 1953 sipas një marrëveshje me rusët, u përpiluan dhe u botuan në gjuhën ruse të gjitha emërtimet dhe shkallët e hartave që mbulonin vendin tonë. Detashmenti topogjeodezik dhe reparti i hartografisë, respektivisht përkojnë me vitet 1956 dhe 1961. Siç ndodhi rëndom me zhvillimet e shtetit shqiptar të kësaj periudhe, nuk u shmang gjithsesi as marrëveshja me kinezët, e cila synonte përgatitjen për botim dhe botimin nëpërmjet riprodhimit të hartave të shkallëve të ndryshme të vendit tonë. Nisur nga nevojat në rritje për koordinimin e bashkëveprimin e shërbimeve ushtarake, krijohet Instituti Topografik Ushtarak i Shqipërisë.

Instituti i Gjeografisë Ushtarake, ai dhe Agjenci Hartografike Kombëtare

“Ushtarakët e gjeoinformacionit”, përndryshe hartografët e sotëm, njohin e vlerësojnë kontributet e pararendësve të tillë si: Dhimo Dhaskali, Myfit Guxholli, Gafer Shyti, Fiqiri Belishova, Flamur Gagani, Stavri Mile, Mërtiko Tata, Xhemil Rama, Limoz Alimuçi, Vait Tartari, Myslim Haxhia, Mulla Mullai, Filip Margaj, Agim Mezini, Myslym Pashaj, ky i fundit një zë ndryshe në lidhje me marrëveshjen detare me Greqinë, etj. Sipas Ligjit Nr.8907, datë 06.06.2002, Instituti Gjeografik Ushtarak i Shqipërisë, funksionon dhe si Agjenci Hartografike Kombëtare. Aktualisht Instituti Gjeografik Ushtarak, është institucion shkencor dhe prodhues, agjenci hartografike kombëtare për gjeodezinë dhe hartografinë shqiptare. Përgjegjësia e hartografimit masiv tokësor, detar dhe ajror i Republikës së Shqipërisë i jep autoritetin dhe vlerën IGJU. Krahas kësaj dhe autorësinë e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrjetit gjeodezik shtetëror për nevoja të mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Topografët ushtarakë tashmë projektojnë, matin, nxjerrin të dhënat e fushës së gjeodezisë duke bashkëpunuar ngushtësisht me Akademinë e Shkencave, Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mjedisit Qendrën Gjeologjike, Universitetin e Tiranës, Institutin e Studimit të Tokave, ZRPP, etj. Ky bashkëpunim, që gjithsesi nuk duhet të mbetet në letër, e qas dukshëm mbështetjen që, Forcat e Armatosura i japin shtetit dhe shoqërisë. Shndërrimi i IGJU si distributor i gjeoinformacionit shtetëror duhet të fitojë terren, po kaq dhe të mirëmenaxhohet, pasi nevoja dhe kërkesa për të dhëna gjeografike është gjithnjë e në rritje. Veprimtaria e IGJU më së shumti duhet fokusuar në përmbushjen e standardeve, veçanërisht në studimin, grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave për krijimin dhe prodhimin e hartave topografike për interesa të Forcave të Armatosura dhe institucioneve të tjera shtetërore. Bashkëpunimi me IGJU të Firences, me Shërbimin Gjeografik Ushtarak të Mbretërisë së Bashkuar, ka synuar përcaktimin e parametrave të transformimit të koordinatave nga sistemi kombëtar ALB 87 në atë global ETRS 89. E gjithë kjo kryhet në interes të krijimit të bazës matematikore të hartave të shkallëve të ndryshme sipas standardeve të NATO-s, si dhe unifikimit të materialeve hartografike midis agjencive dhe institucioneve brenda vendit. Forcat e Armatosura tashmë të promovuara si instrumenti më sinjifikativ në menaxhimin e Emergjencave Civile, e kanë të domosdoshme efiçencën e Institutit Gjeografik. E në fakt roli i IGJU në këto operacione është domosdoshmëri. Shfrytëzimi i gjeoinformacionit nga strukturat që i menaxhojnë Emergjencat Civile, duhet t’a thërrasin në rol këtë Institut shumë më parë se Emergjencat të ndodhin, në fakt kjo mund të ketë ndodhur rrallë ose aspak. Sfida e plotësimit të standardeve, krahas të tjerave kërkon fleksibilitet në menaxhimin e gjeoinformacionit në të gjitha fazat e realizimit të produkteve gjeohartografike për vendin. Nëpërmjet këtij fleksibiliteti, jo vetëm testohen këto standarde, por fiton terren dhe bashkëpunimi i frytshëm në rrafshin ndërinstuticional. Ritmi dhe dinamika e ndryshimeve social ekonomike brenda vendit, gjithnjë e më shpesh po kërkon asistencën dhe kontributet e IGJU. Për të kënaqur këtë kërkesë vlen të theksojmë se Forcat e Armatosura në vijimësi do të kenë nevojën për “oficerët e gjeoinformacionit”. Nisur nga kjo nevojë trajnimi i këtij personeli, mbetet të jetë prioritet e gjithsesi duhet njehsuar me institutet homologë të NATO-s. Prodhimi i materialeve gjeohartografike, kërkon që projektet e zhvillimit dhe modernizimit të IGJU të mos mbeten në letër, por të shndërrohen në realitete të prekshme.

Përfitues, pse jo përgjegjës për sistemin ALBPOS

IGJU, ZRPP, Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, janë përfitues të projektit ALBPOS (Sistemi Shqiptar i Pozicionimit). ALBPOS është rrjeti kombëtar i përhershëm i stacioneve referuese për kryerjen e matjeve me GPS. Qëllimi i rrjetit është sigurimi i të dhënave nga satelitët GPS për shumë aplikacione të ndryshme si; përcaktim vendndodhje në çdo kohë dhe me saktësi, navigacion, grumbullim dhe selektim të dhënash gjeografike, studim me saktësi milimetrike i sipërfaqes së tokës, etj. Të dhënat e këtij sistemi jepen dhe sigurohen për post-procesim nëpërmjet FTP server. Kjo mundëson paraqitjen dhe përfitimin e të dhënave të marra nga vrojtimet në terren (koordinatat X,Y,Z) në skedarët RINEX në website ALBPOS. Projektimi, regjistrimi i punës dhe shpërndarja e të dhënave, janë të ngjashme me sistemet që janë krijuar në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian. Projekti tashmë në fazën e implementimit gjen zbatim në fusha të tilla si; kërkime shkencore, punë kadastrale, monitorim të deformimeve, regjistrim të pasurive të paluajtshme, planifikim rrugor dhe infrastrukturor, pozicionim dhe navigim, krijim hartash në shkallë të ndryshme, zhvillim dhe përdorim të GIS, hyrje në rrjetin rajonal dhe ndërkombëtar të pozicionimit, etj. Aktualisht rrjeti përbëhet nga 16 stacione referimi të përhershme dhe nga Qendra e Kontrollit e cila është në Institutin Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë. Funksionimi i rrjetit RTK bazohet në transmetimin e observimeve satelitore nga stacionet e referimit për tek serveri qendror (Qendra e Kontrollit në IGJU). Nga kjo Qendër Kontrolli merren të dhënat online nga operatorët, duke mundësuar përcaktimin e shpejtë të koordinimit, sigurohet konsistencë në tre dimensione në përputhje me sistemet ndërkombëtare, pa qenë të nevojshme matjet gjeodezike në mënyrë direkte. Ndërtimi i sistemit ALBPOS është financim i Komunitetit Europian nëpërmjet programit CARDS 2005, me vlerë 1,7 milion euro. Ministria e Mbrojtjes ka investuar 6,2 milion lekë për implementimin e stacioneve të përhershme dhe Qendrës së Kontrollit me sisteme të rregullimit të energjisë. Nëpërmjet stacionet të përhershme është realizuar një rrjet dinamik që mbulon në mënyrë homogjene gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Teksa jemi ndalur më lart në trajtim të rolit unik dhe të çmueshëm të Institutit të Gjeografisë Ushtarake, nuk kemi pse të hezitojmë për t’i dhënë përgjegjësinë e administrimit të sistemit ALBPOS këtij Instituti. Ndërveprueshmëria me përfituesit e tjerë të këtij sistemi, sigurisht do të sillte impakte pozitive për Forcat e Armatosura, si zotëruese e këtij aksesi të gjeoinformacionit. Natyrshëm që kur projekte të tilla implementohen ambicia e përfituesve, orientohet kah dëshirat për ta zotëruar e menaxhuar këtë sistem. Pavarësisht zërave pro dhe kundër, kush më mirë se Instituti i Gjeografisë Ushtarake do ta menaxhonte sistemin në fjalë. Përderisa Qendra e Kontrollit është e vendosur këtu, po kështu dhe konsiderata në lidhje me personelin që po e administron këtë sistem e kuotojnë dukshëm Institutin e Gjeografisë Ushtarake jo vetëm si përfitues, por dhe si përgjegjës i sistemit ALBPOS.