Fatmir TOÇI/ Bypass-i i Vlorës, ratifikohet kontrata financiare në komisionin kuvendor

803
Sigal

Është miratuar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ratifikimi i kontratës financiare për 18 milion eurot e para për Bypass-in e Vlorës, 29 km i gjatë, i cili do të lidhë autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale Vlorë-Sarandë në dalje te Orikumit. I gjithë projekti do të kushtoje 53 milionë euro. Ky projekt ka si qëllim rritjen e shpejtësisë të lëvizjes, çlirimin e trafikut gjatë sezonit turistik rritjen e sigurisë në rrugë dhe përmirësimin e mjedisit në zonën e Vlorës dhe rreth saj. Nga ana tjetër rëndësia e këtij investimi lidhet me zhvillimin në tërësi të Shqiperise Jugore, industrisë, turizmit, bujqësisë dhe transportit të prodhimeve vendase. Bypass-I, fillon te Pusi i Mezinit në hyrje të Vlorës dhe kalon pranë Bunavisë, midis dy Babicave, pranë Xhyherines e Sherishtes, nën fshatin Kaninë, ngjitet lart në Shashicë, kalon nga pas Radhimës-Fshat, në Tragjas, Orikum dhe përfundon në kufirin midis Orikumit dhe Dukatit-Fushë. Duke qenë edhe relator i këtij ligji në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, kërkova nga qeveria së pari: të zgjidhet që në fillim problemi i shpronësimeve të pronarëve të tokave ku kalon rruga Së dyti, që bypass-i i Vlorës të ketë më shumë dalje drejt Vlorës dhe qendrave të banuara në mënyrë që të shërbejë si shfryrje e trafikut që krijohen në rrugën ekzistuese të bregut në Gjirin e Vlorës dhe që lidh Vlorën me Orikumin. Se treti, është rasti më oportun që të zgjidhen edhe dy ngërçe që lidhen apo kryqëzohen me këtë bypass, duke ditur paraprakisht se nga 53 milionë eurot e parashikuara, fituesi i tenderit e ka zbritur këtë shumë deri në rreth 35 milionë euro:

a) Lidhja e autostrades Levan-Vlorë në dalje të saj me rrugën Transballkanike, 1.2 km e gjatë, e cila, për arsye absurde mban peng hyrjen më të shëmtuar të mundshme në Vlorë dhe i bën test nervave dhe durimit të çdo udhëtari që është i detyruar të hyjë apo të dalë nga ky qytet.

b) Rikonstruksionin e 5.4 km rrugë të degraduar tërësisht, që nis nga ky bypass në lindje të Babices së Madhe deri te Ura e Peshkepisë, ku më pas degëzohet në disa drejtime drejt zonave të banuara mund të quhet si një grykë shisheje, nga detyrimisht kalon trafiku i rreth 70 fshatrave të Lumit të Vlorës. Rikonstruksioni i këtij aksi, sipas një projekt-studimi paraprak, nuk do të kushtonte më shumë se 1.2 – 1.5 milionë euro me një impakt të jashtëzakonshëm për më shumë se 50.000 banorë të Lumit.

Në mbledhjen e Komisionit për Veprimtaritë prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit miratuam katër marrëveshje të rëndësishme.

• Marrëveshja e parë që lidhet ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale Gjermane ka të bëjë me projektin “Programi i mbrojtjes mjedisore të liqenit të Shkodrës”.

• Miratimi i kontratës financiare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, siguron bashkëfinancimin e nevojshëm për ndërtimin e bypass-it të Vlorës.

• Projektligji “Për projektin e zhvillimit të rrugëve bashkiake të Tiranës”. Ndërtimi i qendrës së Kontrollit të Trafikut në Bashkinë e Tiranës paraqet specifika teknike, e ndaj ecuria e projektit është shoqëruar me vonesa në zbatim.

• Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për mbikëqyrjen e projektit të rrugëve dytësore dhe lokale në Shqipëri” Qëllimi i lidhjes së kësaj marrëveshje është akordimi i grantit, në shumën 1.500.000 euro, që do të shërbejë për mbështetjen teknike, në formën e financimit të shërbimeve të mbikëqyrjes së punimeve civile.