Sali Bollati/ Frika nga e vërteta

785
Sigal

Kur ne, shqiptarët me krenari të madhe po festonim 100 vjetorin e ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar nga Ismail Bej Qemali në Vlorën Historike; ndoshta pa dashur ose i entuziazmuar nga ndjenja e lartë e Shqiptarizmës të shprehur anë e kënd, jo vetëm në trojet etnike shqiptare, por në botën mbarë, që nga Amerika deri në Australi, Kryeministri firmosi një pergamen (helbete, le të mbetemi edhe ne si faraonët e Egjiptit të lashtë?!). Në atë pergamen, veç të tjerave shkruajti edhe emrin e Prevezës, një nga qytetet më jugore të Trungut Shqiptar, të banuar prej mijëra vjetësh nga Shqiptarë Autoktonë. Nuk shtoi asnjë gjë më tepër, se sa i Nderuari At Gjergj Fishta, si dhe shumë intelektualë atdhetarë kanë kënduar para 100 vjetësh:

Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit,
Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivari në Manastir,
Edhe Flamuri Shqipnisë
Si flakë mnijet e Perëndisë
Do t’valvitet në Kaçanik!

Pra nuk përmendi asgjë më shumë sesa disa nga emrat e vendbanimeve mijëra vjeçare të shqiptarëve. Por, jo, për çudi, sa u dëgjua emri i Prevezës së Abedin Pashë Dino-Çamit, që më1879 me këmbënguljen atdhetare dhe njohuritë intelektuale i imponoi Kongresit të Berlinit të anulonte vendimin e mëparshëm dhe Krahinën Shqiptare të Çamërisë me kryeqendër Janinën e Ali Pashë Tepelenës të mos e ndante nga Trojet e tjera Shqiptare; atje në Athinë, ministrit të Jashtëm grek, i cili kishte miratuar vajtjen në Tiranë për këtë 100 vjetor, i hyri frika në palcë (si palikar i vërtetë grek) dhe anuloi vizitën zyrtare?! Kjo frikë e kishte ndjekur edhe Presidentin Grek më 2005, i cili megjithëse kishte hyrë pa u ndjerë në Shqipëri, i mirëpritur edhe nga Janullatosi, u tremb të takohej me Presidentin Shqiptar që e kishte ftuar, dhe ia mbathi vrapit për në Athinë. Atëherë nuk ishte përmendur asnjë emër, por meqenëse kishin dalë për mirëseardhje edhe shqiptarë të Çamërisë, pra edhe si qytetarë grekë të lindur atje, ai iu tremb edhe bashkëqytetarëve të vet, (megjithëse shprehen se kemi “marrëdhënie të shkëlqyera strategjike”) dhe duke shkelur edhe rregullat më elementare të protokolleve diplomatike, nuk pranoi të ulej në sofrën mikpritëse të shtruar nga Presidenti Shqiptar?! Çamëria Shqiptare nuk është fantazëm për të trembur palikarët grekë, aq më pak udhëheqësit e tyre. Ajo është një krahinë e banuar nga shqiptarë që nga para historia, e shkruar dhe e njohur si e tillë edhe nga historianët e lashtë grekë. Emri Çam-Çamëri është emri antik Thiamis, lumit të sotëm Kallama, trimat e saj Boçarenjtë, Pronjatët, Çaparenjtë e shumë të tjerë janë emrat e prijësave dhe heronjve të Kryengritjes Greke të 1821, me gjuhën e tyre “gluhën e Perëndisë”, për çudi të madhe edhe të mbretit që i sollën gjermanët Greqisë, ishte gjuhë e Parlamentit të parë në Greqi. Në atë kohë, gjithë Athina dhe fshatrat përqark dhe më shumë se gjysma e sipërfaqes së Greqisë së sotme banohej nga shqiptarë, Arvanitas dhe Çamë, që flisnin gjuhën shqipe dhe jo greke. Po të ndjekësh historianët e sotëm grekë, si ata të edukuar në Amerikë prof. Stavrianos, ose ata të Universitetit të Athinës ose të stacionit televiz SKAY po të Athinës, do të mësosh se grekët që banojnë në Greqinë e sotme nuk janë aspak pasardhës të grekëve të lashtësisë, bile ata krenoheshin me emrin Romei ashtu si edhe sot shqiptarët e krishterë në Çamëri e quajnë vehten Romei; grekët e sotëm janë krijesa të shartimeve të shqiptarëve-arvanitasve, turqve, sllavo-maqedonasve, vllehëve dhe romëve. Kur Fuqitë Europiane vendosën të krijonin një shtet grek më1831, pavarësisht se përfshinë një pjesë shumë të madhe të Shqiptarëve-Arvanitas që banonin në fshatin Athinë të asaj kohe, në ishujt dhe Peloponez; por krahinën e pastër shqiptare të Çamërisë nuk mundën ta ndajnë nga trojet e tjera shqiptare. Bile edhe Kongresi i Berlinit, në sajë të kundërshtimeve, por edhe të luftës së shqiptarëve, anuloi vendimin e mëparshëm të tij, duke mos ia dhënë krahinën e Çamërisë. Por dihet që “megalidea” ose më mirë “megalomania greke” vazhdoi përpjekjet dhe me mbështetjen prapë të atyre fuqive europiane, më 1913 e pushtoi krahinën më jugore të Shqipërisë. Dhe për ta mbështetur edhe më tepër këtë pushtim vazhduan të zgjerojnë “megalidenë” duke krijuar të ashtuquajtur “Vorioepir”. Pra, sipas tyre, jo vetëm Çamëria nuk është shqiptare, por edhe pjesa tjetër e jugut shqiptar është greke?! Këtu duhen shikuar mirë perceptimet greke për kufijtë e saj verior:
1.Greqia nuk e ka nënshkruar protokollin e Firences që përcakton kufirin verior të saj me Shqipërinë.
2.Greqia mban ende ne fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë të 1940??
3.Jo vetëm organizata ekstreme, por edhe funksionarë grekë në Shqipëri deklarojnë me paturpësi se, pjesë ose krahina të tëra si Korça, Himara etj. qenkan greke?!
4.Deputetë kërkojnë nga Parlamenti Grek “pavarësinë” e të ashtuquajtur “VE”.
5.Me mbështetjen e qeverive të Tiranës, grekët kanë hapur shkolla edhe atje, ku nuk ka banuar asnjë grek.
6.Me uzurpimin e Kishës Autoqefale Shqiptare nga një Peshkop ose më qartë nga një Kryeambasador i Greqizimit të Shqipërisë, duke zhdukur me qëllim të gjitha gjurmët e shqiptarësisë (këtu e vlen për t’u nënvizuar, se atdhetarët e krishterë ortodoks shqiptarë e ngritën KAOSH-in me të vetmin qëllim që të vlerësohen SHQIPTARË dhe jo grekë).
7. Me varrezat e ushtarëve pushtues në gjithë Jugun e Shqipërisë. Dhe pa harruar tokat e bejlerëve shqiptarë të dhëna ish argatëve ardhacakë grekë, atëhere del më se i qartë pretendimi i shprehur nga deputetë neofashistë grekë, që asaj pakice greke të ushqyer me pensione mujore me të hollat e taksapaguesve europianë ti lindë “e drejta” e autonomisë?? Dhe të gjitha këto, në përputhje me kërkesat për integrimin e Shqipërisë në BE?!
Sepse sipas grekëve, megjithëse ata kanë mbetur “pa brekë” si lypsa të vërtetë, por edhe bukëshkalë, u lindka e drejta që ta rekomandojnë ose jo Shqipërinë për në BE??!. Këtu nuk mund të harrohet se ashtu siç ishte Shqipëria në kohën e komunizmit (pa brekë, por në të vërtetë jo lypëse!) “fener ndriçues për botën” sot na del Greqia e pocaqisur, që ka brenda saj, jo vetëm neofashista, por edhe komunistë të regjur, si rekomanduese?? Tamam, ashtu siç thotë me të drejtë populli ynë: “Dhi e zgjebosur, me bishtin përpjetë”.
Sot për herë të parë, në mes të Tiranës, Z.Ditmir Bushati, si Ministër i Punëve të Jashtme, me qartësi e dinjitet të plotë, por edhe si trashëgimtar i Pashallarëve të Bushatllinjve (ndoshta nuk e di, por në gjak e ka; para 200 vjetësh Bushatllinjtë kishin ftuar për mësues dhe edukator të fëmijëve të tyre Rilindasin e madh Hasan Tahsinin nga Çamëria!); midis të tjerave i tregon Venizelosit: Pyetja që shtrohet është paksa e tejkaluar, për faktin se sa na përket ne, ajo që njihet si Çështja Çame është pjesë e dosjes tonë me diplomacinë dhe sot, sipas pikëpamjes tonë, është momenti që realiteti të shihet në sy. Të tejkalohen pengesat historike një nga një, sepse duam të pasurojmë gamën e bashkëpunimit rajonal Ndërsa, duke harruar frikën e nëntorit të kaluar, me fytyrë të shëmtuar e të ngërdheshur, tamam greke, zv/kryeministri e Ministër i Jashtëm grek z.Venizelos, si dishepull i denjë i antishqiptarizmit, bërtet me zë të lartë se nuk e njeh Problemin Çam?! More malakas (siç i thoni vehtes ju), nuk janë shqiptarë vetëm myslimanët e Çamërisë që masakruat dhe dëbuat me dhunë, por edhe vëllezërit e tyre të krishterë shqiptarë Çamë janë dhe Shqip flasin mes tyre dhe fëmijëve, ata e ndjejnë veten shumë të përmallur, kur takohen dhe flasin shqip me neve (them me neve Shqiptaro Çamë të Amerikës), se juve megjithëse nuk e njihkeni Çamërinë, si e shpjegon, o Venizelos, që nuk i lejon Çamët e dëbuar që sot jetojnë në Shqipëri të shkojnë e të vizitojnë vendet ku kane lindur??! Dhe e quani veten “demokrat” dhe Greqinë “djep demokracie”?? Më fal, por dua të kujtoj të hapesh dosjet e ministrisë që përfaqëson dhe të shikosh vizitën e të ngarkuarit të asaj ministrie me Ambasadorin Shqiptar z.Lik Seiti në Krahinën e Çamërisë më 5-9 qershor 1972. Këtu kryetari i Bashkisë së Gumenicës fliste Shqip dhe deklaroi se shumë fshatra flasin shqip, aty mund të takosh plaka që flasin vetëm shqip, se nuk dinë greqisht. Në prefekturën e Prevezës kishte mbi 40 fshatra që flisnin Shqip!! Pra si u zhdukën ata mijëra vetë Shqiptarë-Çamë dhe ju pohoni se nuk ka Çështje Çame??! Ndërkombëtarët, jo se nuk e kuptojnë, por duhet t’i flasin qartë Greqisë “europiane” që të merret me punët e veta dhe në përputhje me të gjitha të drejtat e njohura nga legjislacionet ndërkombëtare, të pranojnë genocidin e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë, duke i njohur të drejtat e pronësisë shekullore dhe atë të identifikimit me shkolla dhe administratë ne gjuhën amtare shqip. Këto kërkesa më se të drejta, të përfshira në Rezolutën Çame paraqitur parlamentit Shqiptar, nuk kanë asgjë të përbashkët me nacionalizmin e përmendur, ato janë të drejta legjitime që i kanë njohur vetë Fuqitë Europiane. Dhe kur këto të drejta të pamohueshme neglizhohen, t’u kërkohen autoriteteve greke t’i zbatojnë. Në rast se jo, Greqia e krijuar dhe e mbështetur gabimisht prej këtyre fuqive europiane të largohet nga BE si edhe nga NATO. Pra, nuk është Greqia ajo që nevojitet të na rekomandojë Shqipërinë për në BE, ose Maqedoninë për në NATO, por duhet që ajo të dëbohet prej tyre si grindavece, dembele, lypse dhe bukëshkalë e Europës. Këtë duhet ta kenë shumë të qartë edhe deputetët e Parlamentit Shqiptar. Ata në rast se e ndjejnë veten si përfaqësues të popullit shqiptar, duhet ta ndjejnë edhe krenarinë e të qenit Shqiptar. Dinjiteti Shqiptar vendoset kur kërkohen të Drejtat e shqiptarëve kudo ku i ka vendosur Zoti si në Kosovë, Mal të Zi, Çamëri, Dibër, Preshevë e Diasporë. Dhe ta kenë shumë të qartë se Shqiptarët janë të zgjuar, punëtorë të palodhur, nuk kanë qenë asnjëherë lypsa si fqinjët shovinista, jemi trima dhe krenarë si Shqiptarë. Këto cilësi, megjithëse me vonesë (jo për faj të popullit), po i tregojmë sot kudo ku na shpërndau padrejtësisht komunizmi enverian, me punën, veprat dhe dinjitetin tonë.

*New York