Engjëll Musai: Mitingjet, patriotizmi dhe streha e maskarenjve

217

Engjëll Musai

Drejtori i gazetës “Telegraf”

Rreth dy shekuj e gjysmë më parë shkrimtari i shquar anglez, Samuel Johnson pikërisht në 1775 deklaronte se: “Patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve”!!!! Duket sikur ky postulat i Jonsonit është aktual edhe sot në Shqipëri dhe, me siguri, shkrimtari anglez e ka lënë si amanet edhe për “lidero-globalin” Edi Rama i cili u “përpoq” të marrë për sipër e të “sjellë paqen” në Ballkan që njihet edhe si marrëveshja Vuçiç-Thaçi- Rama. Por z.Rama harroi që përpara se të merret me hallet e botës duhej në radhë të parë të merrej me shtëpinë e tij. Përpara se të kërkonte paqe me falje kufijsh, pronë e shqiptarëve duhej të ofronte paqe mes shqiptarëve brenda kufijve dhe trojeve tona.

Dhe Edi Rama që vetëm socialist nuk mund të quhet do të kishte bërë mirë që të dëgjonte thënien e Shënjtores shqiptare Nënë Tereza, e cila thoshte: Nëse do të ndryshosh botën, shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde. Sigurisht që nuk po merremi sot dhe t’i futemi me shumë themel kësaj thënieje për personazhin në fjalë, por po i qëndrojmë besnik asaj çka ka dashur të thotë humanistja shqiptare. Pra të bëjmë Shqipërinë, të mendojmë për kombin e përçarë që jeton në 4 shtete, falë padrejtësive të historisë dhe duke qenë të bashkuar ne do të jemi të pamposhtur dhe faktor i rëndësishëm Ballkanik dhe Botëror. Ashtu sikurse na mësonte Heroi i vërtetë i Kombit Shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbe, i cili duke bashkuar shqiptarët i bëri të pamposhtur ndaj sulltanëve otomanëve Turq. Dhe në këtë këndvështrim ndihesh i trishtuar kur sheh që “rilindësi” apo ‘Skënderbeu i Elisës” zhvillon mitingje për karrigen e tij me Flamurin Kuq e Zi, simbolin e Kombit shqiptar në shekuj. Rasti skandaloz në disa rrethe, por sidomos në Shkodër, ku pas mitingut flamuri në vend që të qëndronte në duart e çdo qytetari pjesëmarrës në takimin elektoral, u hodh, u shkel, u përdhos dhe u shpërfytyrua nga një grupim që nuk kanë as ndjenja kombëtare, por vetëm shtiren sa për sy e faqe para ekraneve.

Por shqiptarët nuk kanë nevojë për slogane, sepse shqiptarët historikisht kanë derdhur gjakun për lirinë e vatanit dhe demokracinë, madje edhe në 1990-n kur Rama me shokë shëtisnin brigjeve të Greqisë. Po pse ndodhi kjo përdhosje e Simbolit të Kombit? Kjo ndodhi jo rastësisht, por qëllimisht që shqiptarët të merren me të drejtë me këtë fyerje dhe të harrojnë skandalet e “Bild”, përgjimet, pafytyrësinë e atyre që na drejtojnë dhe na poshtërojnë çdo ditë. Por Rama hesht dhe i ikën zëri para këtyre skandaleve dhe qindra mijëra të tjerave që do të dalin, pasi ai dhe “oktapodi” i qeverisjes së tij të largohet nga pushtet-zaptimi. Po ç’lidhje ka nacionalizmi dhe patriotizmi, kur vartësit e Ramës me parimin “shiko rrushi-rrushin dhe piqet fiku”, venë dhe zaptojnë Kishat dhe institucionet e kulteve. A nuk janë vartësit e Ramës që urdhërojnë futjen e forcave policore apo përgjuesit me kamera në xhaminë e Tiranës dhe nga minaret e saj përdorimin e gazit dhe mjeteve të tjera të sofistikuara?

Po ku e gjeni të drejtën ju more Z.Rama që bashkëjetesën paqësore, dhe respektin e ndërsjellë të besimeve fetare, të trashëguara brez pas brezi,ta përdhosni dhe fyeni në këtë mënyrë?! Turp t’ju vijë! Feja është e ndarë nga politika dhe askush nuk mundet të rikthejë të kaluarën komuniste, e cila i prishi kisha–xhami-tyrbe. Jo vetëm i prishi por klerikët i vrau, dhunoi, burgosi dhe syrgjynosi. Dhe sot pasardhësit e atyre që në 1945-n nisën reprezaljet dhe i dhanë fund në 1967-n kur rrafshuan dhe ndaluan me ligj besimin fetar, po pushtojnë objektet e kultit për qëllimet politike. Tepelena, Përmeti dhe mbarë Shqipëria ka nevojë për bukë, për ujë dhe zemër në dorë. Qytetarët nuk duan as drogë, as hashash, as kurbetin, as papunësinë. Shqiptarët duan të respektohen heronjtë e kombit dhe jo të rehabilitohen kolaboracionistët dhe tradhtarët e LANÇ. Ndoshta ju z.Rama do kishit bërë mirë, meqë ishit në Përmet, të shkonit e të vendosnit një kurorë me lule tek lapidari simbol i 24 Majit. Por atje nuk shkuat, sepse ai lapidari është amaneti i gjallë i mos rehabilitimit të tradhtarit Mithat Frashëri. Ju do kishit bërë mirë të shkonit dhe nderonit Vëllezërit Frashëri, por tek ata nuk shkon se të mërzitet ‘vëllai” juaj Erdogan. Do kishit bërë mirë të shkonit dhe nderonit Odise Paskalin apo të jepni fonde për Pallatin e Kulturës, që po tentojnë ta marrin shovinistët. Por edhe këtë nuk e bëni, se paratë po i bëni rrush e kumbulla për koncesionedhe tenderë. Si ai koncesioni më famëkeq i shëndetësisë së mjeruar. E ke mbushur qeverinë me anonimë që nuk kanë asnjë lidhje me partinë e socialistëve. Ia ndërrove logot, motivin, humanizmin.

Ne shqiptarët, nëse duam dikë ta rëndojmë e ta mallkojmë i themi “të humbtë boja”. Ti i humbe ngjyrën e bukur të gjakut partizan që simbolizonte Partia Socialiste. Ngjyrat e partisë, të njerëzve të thjeshtë, të intelektualëve dhe Dritëro Agollit, i zëvendësove fillimisht me “ylberin” dhe po e mbyll me “mavinë”. E ke mbushur qeverinë dhe administratën me figura të konsumuara. Ndaj kombi shqiptar është “i mbetur në klasë” gjatë gjithë historisë, sepse është përfaqësuar nga mediokriteti dhe interesa pragmatiste dhe lavdie individuale. Shikoni kuvendet e dy vendeve, dy kohëve, shtretër te hajnive, moralistëve, kriminelë e xhepistë, pa kulture e përgjegjësi. Gjynah andej nga vijmë, fatkeq ku po shkojmë! Shqipëria është vendi me burimet më të pasura hidrike dhe energjetike por njerëzit e zonës vero-lindore jam më të varfër se kurrë dhe shqiptarët po paguajnë çmimin më të lartë të ujit dhe korrentit në rajon dhe Evropë.

Vendi ynë ka miniera dhe jemi të tretët në Evropë për rezervat e kromit, por banorët e atyre zonave po luftojnë me varfërinë, mjerimin dhe arratisjen jashtë vendit. Kemi më shumë naftë se çdo vend në Ballkan dhe për numër popullsie ndër të parët në Evropë, por jemi të varfër dhe me çmimet më të shtrenjta në botë. Tre milionë ton naftë janë nxjerrë në tre vitet e fundit me një vlerë mesatare të qarkullimit prej 3 miliardë dollarësh. Por çuditërisht oligarkët e qeverisë nuk paguajnë asnjë qindarkë në shtet.

Kemi një bregdet të begatë, por të ndotur dhe të zaptuar nga banditët e kryebashkiakëve lokalë që ndajnë paratë së bashku me krimin. Kemi një administratë nepotike dhe klienteliste me miq, krushqi, fëmijët e oligarkëve, deputetëve dhe dashnoret e tyre. Le të bëhen publik emrat dhe do të shohim kush i ka zaptuar pikat kyçe të shtetit. Po tenderët me dhe pa prokurim, po koncesionet, po gjobat e Strasburgut, po parkimet, po palmat, po sheshet, po kullat e shumë e shumë të tjera kush po i ndërton. Po Shqipërinë me hashash kush e mbolli? Po fabrikat e drogës kush po i ngre? Për një riparim çatie futet në burg qytetari i thjeshtë. Kurse kriminelët marrin nga 20 milionë euro tenderë me dokumente të falsifikuara dhe nuk i hyn një gjemb në këmbë.

Mbi 500 të burgosur për 1 muaj, pse protestuan kundër zgjedhjeve të radhës, ndërsa prej atyre që i vodhën, e u përgjuan për pazare dhe blerje votash nuk është shoqëruar apo të pyetet në prokurori. Ndaj dhe Rama ka frikë të largohet sikurse ndodh në Evropën që ne ëndërrojmë, e që na I ka plasur derën në fytyrë prej kësaj qeverisjeje. Dhe jo vetëm që na i ka mbyllur dyert të futemi, por ka filluar edhe të diskutohet heqja e vizave duke na kthyer në dyert e ambasadave, ku shqiptarët pas viteve 1990 paguanin nga 2 mijë dollarë për një vizë. Këtë duan prapë këta ambasadorë,sepse kështu pasurohen edhe më shumë.

 

A jemi dakord me gjendjen ekonomike ku jetojmë sot?

Po me çmimet e rritura të biletave të autobusëve, avionëve, dritave, ujit?

Po me çmimin e naftës, ndër më të lartët në Evropë?

A jeni dakord që parqet, lulishtet dhe teatri të prishen për kullat e oligarkëve të Ramës?

A jeni dakord që fëmija juaj të ikë refugjat, se nuk ka punë apo të të punojë në arat e kanabisit me kokë në trastë nga pazaret e banditëve?

A jeni dakord me 0 km rrugë në këto 6 vite apo me 18 milionë euro për km?

A jeni dakord për heqjen e ndihmës ekonomike, se ke frigorifer në shtëpi dhe gomar në fshat?

A po ju shijon shëndetësia falas? Po spitali ushtarak dhe SHQUP-i që do u rikthehej në origjinë?

A jeni dakord me Edin e Vilmën për 120 milionë eurot e check-up?

Po me emigrantin me 1 punëtor që ka bar-kafe dhe merr tender 80 milionë euro për sterilizim?

A e bëtë legalizimin dhe hipotekimin falas?

A dini gjë ku shkojnë taksat dhe borxhi 1.6 miliardë euro, i marrë nga qeveria, sepse rrogat dhe pensionet nuk po rriten?

 

Ndaj Rama bredh qoshe më qoshe e kazan më kazan për t’u mbushur mendjen qytetarëve për mrekullitë e Shqipërisë, të cilën sipas tij e ka kthyer në fushë me lule. Por shqiptarët e shohin dhe po i heqin në kurriz prapësitë e kësaj qeverisje që vetëm sociale nuk është. Për Edi Ramën më për shtat do t’i shkonte një fjalë e urtë e publicistit Andrea G. Pinketts: “Në varreza sado lule të ketë, nuk ka kurrë pranverë”.