Nuk është e lehtë të marrësh për dore Antigonën!

169

Zhuljeta Grabocka Çina

“Antigona” e Jean Anouilh (1910 -1987) ka kohë që vazhdon të luhet në skenën e Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Pjesa është një përshtatje e tragjedisë së Sofokliut me të njëjtin titull. E përkthyer nga Ekrem Basha, me skenografi të Beqo Nanaj dhe luajtur nga aktorët Laura Nezha, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Xhino Musollari, Xhulia Musagalliu, Adriana Tolka, Endri Çela, Klejdi Metaj. Vetë vepra e Sofokliut mbështetet në fatin e paracaktuar të individit, në atë rrokullimë që do ta vuajnë gjithë pasardhësit e mitit të Edipit.

Por rimarrja e mitit në kohët moderne nuk e shmang trajtimin eseistik të veprës teatrale nga një autor që ka prekur majat e artit, si dramaturgu francez, Jean Anouilh. Forca argumentuese e bën autorin të mos ndalet tek dhimbja e motrës dhe kontrasti përplasës, që ajo krijon me Kreontin në veprën e Sofokliut.

Tharmi i tragjedisë i ka shërbyer autorit për të zbërthyer dramën ekzistencialiste të njeriut në raport me veten në kohët moderne. Vepra është shkruar më 1944, në kohën e Luftës së dytë botërore. Parabola është e qartë. Përkohshmëria e qenies dhe fataliteti, sfumohen përpara vullnetit për të qenë vetvetja. Mostjertërsimi i njeriut në një shoqëri, ku vaniteti, servilizmi e hipokrizia kanë kapur çdo ind të saj, e bëjnë Antigonën viktimë edhe në ditët e sotme. Autorit i duhet të sjellë një simotër Antigonë të ngjashme me pafajësinë e Ofelisë! Fryma debatuese e veprës sofokliane në simbolikën e Antigonës, vjen nën frymën e dhimbjes motër vëlla përmes linjës së gjakut.

Si motër, ajo nuk mund të mos e vërë në jetë drejtësinë hyjnore të qetësisë shpirtërore, të ruajë të panjollosur përjetësinë e shpirtit, të vëllait edhe por dhe të saj. Dramës së J. Anouilh nuk i mungon substrati i përbashkët i të dy veprave. Regjia kishte shumë mundësi për të shprehur më mirë këtë nëntekst. Ajo e zhvendosi duke e kaluar në një konflikt të zbetë përballjen midis epokave dhe absurdin e katrahurës së luftërave. Jean, dhe regjia nëpërmjet prezantuesit të veprës shtroi disa herë çështje teorike – estetike mbi kuptimin e tragjedisë, si katarsis. Ky detaj të kujtonte rolin e trefishtë të korit në tragjedinë antike.

Më shumë për të bërë një trajtesë me idetë e tij, si një shpjegim njohës, si vetërrëfim e dakordësi me lexuesin, dhe nuk u ndje e njëjta gjë në lojën e aktorëve, në kompleksitetin e karakterit që përfaqësonin. Në shumë momente Kreonti e justifikonte veten, por ambienti për rreth i kishte rrëshqitur krejtësisht nga duart. Skenografia ishte e varfër e shumë skolareske, kur dihen efektet mbresëlënëse teknologjike të kohës. Ato të japin dorë për mundësi të shumta.

Kujto Kreontin me pultin e komandimit në dorë edhe rojtarët që luajnë me letra…apo detaje të tjera. Marrëdhënia me murin e katërt, dhe lëvizja e aktorit nga plateja e spektatorëve për tek skena nuk e krijonte suspansin e t’u ndjerit një me skenën. Çamarokja, e vogla Antigonë me letrën e saj para ekzekutimit të urdhrit, të kujton shkrimin e imail në një status të zakonshëm. Dhe jo një thirrje apo ndërgjegjësimi epokal siç e ka lenë Sofokliu në breza.

Ndoshta kjo ishte risia. Rimarrja tematike e veprave klasike, aktualizimi i mesazheve është mundësisht i lehtë, por ta bësh veprën të hyjë në histori me forcën e duhur, duhet menduar dyfish, së pari spektatori e njeh mirë, jo vetëm veprën por e ka përjetuar shumë herë vënie të saj në skenë, e dyta kuptimi i ri i trajtimit tematik nuk duhet të zbehë të parin! 
Nuk është e lehtë të marrësh për dore Antigonën! Të voglën! Edhe atëherë kur drama është shkruar bukur nga një mjeshtër! Vënia në skenë është sprovë e shumëfishtë këndvështrimi.