Prof. Dr. Bardhosh Gaçe & MSc. Albert Habazaj/ Kultura fetare Bektashiane, në krahinën e Vlorës

674
Kultura fetare bektashiane, si doktrinë dhe praktikim i saj në disa krahina të vendit tonë është një syth për etnologjinë religjonale dhe antropologjinë fetare. Vlora, ashtu si vise të tjera të Shqipërisë, krahas ortodoksisë, myslimanizmit dhe katolicizmit është vatër e ndezur dhe e dashur e bektashizmit shqiptar. Dëshmitë më të hershme të doktrinës bektashiane flasin vetë dhe ato e kanë zanafillën në mesjetë, me teqenë bektashiane të Sinan Pashës në Kaninë, teqenë zëmadhe të Smokthinës, teqenë e Kuzum Babait, në kurorën e kalit mbi Sevaster e me vatra të tjera të gjalla.
Ismail Qemal Vlora
Udhëheqësi i kombit shqiptar, bektashiani Ismail Qemal Vlora, në kujtimet e tij të botuara në Londër, na mëson se urdhri bektashian fetar i bektashizmës, ka qenë i përhapur në trevën e Vlorës, qysh në shek. XV, ndër pinjollët paraardhës të tij. Teqeja, e themeluar në fshatin Kaninë nga Sinan Pasha, i biri i Gjergj Aranitit, katragjysh i Ismail bej Qemal Vlorës, ka qenë një nga qendrat e mëdha të kulturës fetare bektashiane. Fakti që në kohët e mëpastajme kjo teqe kishte rreth 7200 libra në shumë gjuhë të botës, tregon, se ajo ka lozur një rol të madh në jetën shpirtërore të banorëve të kësaj treve. Gjurmët e fillimeve të bektashizmit në Vlorë ndeshen edhe sot, sipas rrëfimeve, gojëdhënave e rrënojave të objekteve të kultit, si në Sevaster, Smokthinë, Brataj, Kuç, Kaninë, Drashovicë e gjetkë. Një nga faktorët e përhapjes së bektashizmit në rrethinat e Vlorës ka qenë, se në radhët e jeniçerëve, ku kryenin shërbimin ushtarak, banorët e këtij vendi kishte mjaft vlonjatë, të cilët kur ktheheshin nga ky shërbim, u bënë përhapës të bektashizmit dhe ngritjes së objekteve të kultit. Emri i ndritur i haxhi Bektash Veliut, në shekujt e mëpasëm, u bë mjaft i përhapur, me një lutje rituale që ende thuhet edhe sot ndër banorët e Labërisë: “Për haxhi Bektash, për atë diell e për atë dhè!”. Kulti shpirtëror i haxhi Bektashit është rrënjosur aq thellë saqë në malin e Çipinit (Këndrevicës), në pozicionin midis dy kreshtave ku lind dielli, në shekujt e kaluar, banorët shkonin dhe bënin kurbane çdo fillim të muajit gusht, duke iu drejtuar qiellit me fjalët brilante që thamë, si lutje rituale. Kulti i haxhi Bektash Veliut ka qenë i përhapur edhe në malin e Shashicës, sidomos në ritualin e shtimit të blegtorisë, pjellorisë së tokës e ruajtjes nga fatkeqësitë e natyrës. Sipas studiuesve të etnologjisë kulturore dhe fetare, blegtorët e Shashicës shpesh thoshin: “Bagëtia do të na vejë mirë me ndihmën e haxhi Bektash Veliut” ose “Kemi shpresë tek haxhi Bektash Veliu”.
Kuzum Babai
Një nga qendrat e mëdha të përhapjes së bektashizmit ka qenë Kuzum Babai, kjo fortesë natyrore e përrallore, që i rri Vlorës si kurorë mistike e mrekullueshme. Siç e përshkruajnë mjaft studiues të huaj si Evlia Çelebi (1611 – rreth 1684), rreth 400 vjet më parë, si dhe studiues të tjerë si william Martin Leake [Uiljam Martin Lik] (1777 – 1860), Sir Henry Holland, (1788 – 1873), François Charles Hugues Laurent Pouqueville [Pukvil] (1770 – 1838);etj., Kuzum Babai, ky vend i shenjtë, mbart mbi vete një legjendë të rrallë. Shenjtori, për të besuar se ishte i dërguari i haxhi Bektash Veliut, në vendin e quajtur Budak [Vlorë] preu kokën e tij dhe me të në dorë u ngrit në majën e një kodre, duke u thënë turmës që e ndiqte pas: “Ky vend është vendi im i shenjtëruar, që ju të besoni tek haxhi Bektash Veliu”. Teqeja mbi Vlorë e ka ushqimin e besimit shpirtëror nga Ballëm Babai (Sejid Ali Sulltan, është ky emër i Kuzum Babait (Quzum Baba). Teqeja e Kuzum Babait mendohet se daton rreth viteve 1600 dhe pati lulëzim sidomos në shek. XVII. Në dokumentetet e kohës thuhet se një nga paraardhësit e familjes Vlora, që kishte ndërtuar tyrben e Kaninës, investoi në këtë vend dhe ndërtoi godinat (teqetë e Kaninës) rreth viteve 1786, [frymën e parë e ka në vitin 1411 nga Sinan Pasha].
Konflikti me parimet e Perandorisë Osmane
Vlen ta theksojmë faktin se bektashizmi i Vlorës ka lozur një rol të madh në përhapjen e ndjenjës kombëtare. Konflikti me parimet e Perandorisë Osmane bëri që në vitin 1828 teqetë dhe bektashinjtë e Vlorës të mos pajtohen me reformat centralizuese të perandorisë së vjetër. Ky qëndrim shkaktoi prishjen e rreth 13 teqeve, dëbimin dhe internimet e bektashinjve, si dhe shfarosjen në masë të besimtarëve.
Në vijim të kësaj veprimtarie në shërbim të interesave kombëtare shqiptare, siç njoftojnë konsujt e Austrisë dhe Italisë në qytetin e Vlorës, në verën e vitit 1878, babai i teqesë së Kuzum Babait në Vlorë dha një lutje, në fjalët e së cilës thuhet se kishte parë një ëndërr, sikur një fat i bardhë fluturonte në qiellin e Shqipërisë, që shpëtimin e saj nga mizoritë e Portës së Lartë, e shikonte nga Austro – Hungaria dhe vendet e tjera të botës moderne. Kjo lutje tronditi Portën e Lartë, gjë që vërtetohet me disa raporte që nënshkruan këta konsuj, të cilët nënvizojnë fermanët e lëshuara nga sulltani, që kërkonte me çdo kusht shpjegime të mëtejshme. Është koha kur, sapo kishte shpërthyer Lidhja Shqiptare e Prizrenit (LSHP), kur fati i vilajeteve shqiptare diskutohej në Konferencën e Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878)dhe kështu fatthëna e babait të teqesë së Kuzum Babait të Vlorës, vuri në lëvizje qeveritarët e Stambollit. Ky mendim përforcohej edhe më qartë, kur në dokumentet e kohës mësojmë se disa nga bektashinjtë e teqeve në Vlorë, Tepelenë, Berat e gjetkë u përfshinë në veprimtarinë e LSHP. Në fillim të shek. XX, një veprimtari të gjerë ka lozur në Vlorë edhe baba Sali Beqiri i Tepelenës. Në historiografinë shqiptare ka ende monumente që duhet të ndriçohen edhe më mirë. P.sh., pas ngritjes së Flamurit dhe Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, ky flamur u bekua nga At Moçka (ortodoks), Haxhi Muhameti (mysliman), Dom Nikoll Kaçorri (katolik) si dhe nga babai i teqesë së Vlorë (bektashi).
Harmonia fetare
Një nga meritat e mëdha në Vlorë është dëshmia e harmonisë fetare, bashkëpunimi e mirëkuptimi midis feve dhe besimtarëve, që i praktikojnë këto doktrina e besime. Po përmend disa shembuj të ngjarë: Kur at Moli erdhi në Vlorë, në vitin 1912 nga Amerika, në kishën e Shën Todrit të këtij qyteti, u bë një pritje e madhe, ku fjalën e parë përshëndetëse e mbajti i pari i teqesë së Kuzum Babait. Në ndërtimin e kishës së Shën Todrit, krahas tregtarëve dhe dashamirësve të tjerë, teqeja e Kuzum Babait dha 25 franga për ndërtimin e saj, po ashtu edhe mjaft besimtarë bektashinj sipas mundësive. Një shembull i gjallë në kujtimin e njerëzve është edhe drama e muhaxhirëve në ullishtet e Vlorës në vitet 1914 – 1915. Teqeja e Kuzum Babait strehoi 1260 muhaxhirë, të cilët ishin përzënë nga vatrat e tyre prej shovenë grekë me zjarr e hekur në viset jugore të vendit; mjekoi e ushqeu dhe 1500 të tjerë. Në epopenë termopiliane të Njëzetës luftuan të tërë bashkë: myslimanë, ortodoksë e katolikë, burra e gra për çlirimin e Vlorës dhe të krahinave shqiptare të pushtuara nga Perandoria e Re Apenine. Vlen të dimë se më 17 Janar 1921 bektashinjtë shqiptarë organizuan në Teqenë e Prishtës (Skrapar) Kongresin i Bektashian, ku varf Ali Prishta shpalli autoqefalinë e Klerit Bektashian Shqiptar (pavarësinë fetare nga Ankaraja) dhe shkëputi varësinë prej Kryetarit Suprem të Ankarasë. Toleranca fetare ka qenë një nga shembujt e gjallë, e cila është manifestuar edhe në gjithë jetën shoqërore të qytetit. Për Kongresin e Dytë Bektashian, që u zhvillua në Teqenë Hajdarie të Gjirokastrës, më 9 korrik 1924 na kanë rënë në dorë dokumente arkivore me vlerë. Këtu në Vlorë, në arkivin e Ibrahim Shytit gjendet një dokument i nënshkruar nga baba Ali Tomorri. Ky dokument është nën titullin: “Kuvendi i bektashinjve” dhe në të shkruhet: “Kuvendi i bektashinjve u mbodh në Gjirokastër, mori fund me vendime që të bëhen reforma në dogmën bektashiane. Reformat do të bëhen si do koha e sotme përparimtare, si e do interesi kombëtar dhe e lejon feja muhamedane, e cila në themel e në parim është një fe njerëzore…”. Në këtë letër që baba Ali Tomorri e ka shkruar nga Tepelena, më 12 korrik 1924, vë në dukje se ky kuvend zgjeroi statusin e tij. Delegat i Vlorës në kuvendin e bektashinjve shqiptarë, veç babait të teqesë së Kuzum Babait, ishte edhe intelektuali Ibrahim Xhindi. Kongresi i Dytë Bektashian vendosi që predikimi fetar të bëhej në gjuhën shqipe, në gjuhën e Bilbilave, me gjuhën e Naimit. Kongresi hartoi e miratoi Statutin, ku u përcaktuan parimet themelore dhe drejtimet kryesore të veprimtarisë dhe të organizimit të bashkësisë bektashiane në Shqipëri. Statuti u botua këtu, në Vlorë me titull “Statuti i Komunitetit Bektashian”. Autoqefalia, përdorimi i gjuhës shqipe në ritet fetare dhe në veprimtarinë e besimtarëve të këtij sekti, e forcuan Bashkësinë Bektashiane në Shqipëri, shëndoshën edukimin shpirtëror, moral e mbi të gjitha atdhetar të besimtarëve sipas devizës: “PA ATDHE NUK KA FE”, ku rol të fuqishëm patën veprat e Naimit të Madh. Për Vlorën tonë, vlen të kujtojmë se, në vitin 1930, një kontribut të rëndësishëm për kulturën e fesë bektashiane dhanë poeti kombëtar Ali Asllani (1884 – 1964) si dhe Murat Vlora, të cilët përkthyen disa nga pjesët e literaturës bektashiane më në zë. Krahas copëzave për jetën e haxhi Bektash Veliut përkthyer nga Murat Vlora, Ali Asllani përktheu dhe përhapi vjershërimin e poetit të madh Jonuz Emre. Këtë gjë e kishte bërë më parë edhe poeti i madh popullor Mato Hasani nga Brati, që rrojti një shekull me këngë e me luftë për liri (1866 – 1966) e që këndonte shpesh këngët e poetit kombëtar të Turqisë Jonuz Emre [Yunus Emre (1240? – 1320)], i cili kishte shumë popullaritet për kohën. Në krijimtarinë e tij, Xha Matua pati ndikim nga ky poeti madh i kohës, por asnjë varg për këngë nuk kopjoi nga ai. Në këto tradita bektashiane, veproi edhe dede Ahmet Myftar Dede (dede Ahmet Myftari, 1916 – 1980), i cili, që në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, gjallëroi edhe më shumë teqenë e Kuzum Babait dhe gjithë vatrat e bektashizmit në Vlorë. Ai ishte në ballë të besimtarëve në ndërtimin e rrugëve, shtëpive e shkollave të djegura e të shkatërruara nga lufta e përbindshme.

Edhe sot e kësaj dite, banorët e Vlorës thonë se pylli i bukur i bregdetit (te ish “Soda”), Ura e Drashovicës, rruga e Llakatundit etj., i përkushtohen atij. Në kohët e sotme, këtë traditë donte të vazhdonte edhe baba Bajrami, i cili edhe pse s’është me ne fizikisht, rron në shpirtin dhe zemrat e besimtarëve. Veprimtaria e gjyshatës bektashiane të Vlorës, me qendër në teqenë e Kuzum Baba Sulltanit, këto vitet e fundit njeh një përparim dhe përhapje të gjerë. Janë vite që mund të quhen me plot gojën si vite të rimëkëmbjes, të ringritjes së institucioneve fetare, të organizimit të komunitetit bektashian, deri në njësinë më të vogël; janë vite që pranë institucioneve fetare grupohen jo vetëm myhibët e moshatarët, por edhe shumë të rinj e të reja si dhe shumë intelektualë të fushave të ndryshme të ekonomisë. Kështu që këto institucione bektashiane rikthyen shpresën dhe besimin e dhunuar në kohën e diktaturës. Po ç’duhet të dimë për bektashizmin më tepër, jo thjesht për kulturë fetare, por sidomos për vlerat humanitare që shpërndan në komunitet kjo doktrinë me pamje dhe lëndë demokratike? Bektashizmi është urdhër i rëndësishëm sufist i fesë islame, i përhapur gjerësisht në Anadoll e në Ballkan të Europës Juglindore, veçanërisht ndër Shqiptarët. Emrin e ka marrë nga themeluesi Haxhi Bektash Aliu, lindur në Persi (Irani i sotëm) më 1249 dhe vdekur në Turqi më 1344. Bektashianët e moderuan fenë mëmë konservatore dhe risia e tyre u pranua, u përhap dhe u praktikua sidomos në rajonin e Europës Juglindore. Ata u shfaqën si panteistë, u shquan për respektimin dhe përdorimin e parimeve të tilla humane dhe liberale si tolerance, mirëkuptimi, dashuria dhe vëllazëria midis njerëzve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Themeluesi i tyre, Haxhi Bektashi paraqitej si pasardhës i Aliut, dhëndrit të Muhametit, prandaj dhe ndjekësit e tij e adhurojnë në të njëjtën masë si Muhametin, ashtu edhe Aliun. Kryegjyshata, e cila qysh nga viti 1937 e ka selinë në Tiranë (Shqipëri), vepron me 6 gjyshata: e Krujës me qendër Teqenë e Shememi Babait në Fushë Krujë; e Elbasanit me qendër Teqenë e Baba Xhemalit; e Korçës me qendër Teqenë e Turanit; e Beratit me qendër Teqenë e Tahir Babait (në Prishtë, Skrapar); e Gjirokastrës me qendër Teqenë e Zallit dhe e Vlorës me qendër teqenë e Kuzum Baba Sulltanit.Duke vlerësuar teqenë e Kuzum Baba Sulltanit si qendër kryesore për krahinat e Vlorës, Mallakastrës e Fierit, u arrit edhe ngritja e tyrbes Kuzum Baba (prill 1998), si një objekt kulti i një rëndësie të veçantë. Pas realizimit të ndërtimit të teqesë, sipas kërkesave, u vunë në veprimtari të plotë organizmat e gjyshatës me synimin për ringritjen, restaurimin e tyrbes dhe teqeve që mbulon Gjyshata e Vlorës, siç kemi shembujt e ringritjes së tyrbeve në Vlorë, në Drizar, Kapaj, Hambaraj, në Kurorën e Malit Sevaster, etj. Traditën më të ndritur të besimtarëve bektashianë e mban të ndezur me dritë kulture, me zjarr kombëtar, me uratën e dashurisë njerëzore dhe me mirësi hyjnore Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore, baba Mondi, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, udhëheqës shqiptar fetar dhe udhëheqës botëror (Kryegjysh) i bektashizmit. Baba Mondi pastë jetë të gjatë e të ndritshme, besimtarët e dashamirësit uratën e tij të bardhë!
Sigal