Mario Xhavella:Sot mungon kritika e mirëfilltë, ndaj merr penelin dhe pikturon kushdo

710
Sigal

INTERVISTA/ Flet piktori Mario Xhavella: S’e marr mundimin të bëj portrete politikanësh, ata janë të përkohshëm

Ai është një piktor i një lloji të veçantë. Konkretisht ai këmbëngul në pikturën eksperimentale. Nuk është mohues, por shumë realist. Nuk mohon çdo gjë në pikturën e realizmit socialist. Ekspozitën e fundit e ka titulluar “Post Red: d.m.th pas të kuqes, ku përqendrohet në pikturat e viteve të para pas përmbysjes së regjimit komunist. Sipas tij të jetosh me art s’është e pamundur, por nuk është as luks. Me pikturë sot mund të bësh një jetë normale.

 Ekspozita juaj e fundit titullohet “Post Red” . Përse ky titull paksa i veçantë?

 Nga vetë titulli do të thotë pas të kuqes. Ky titull përmbledh shumë gjera përbrenda dhe konkretisht të gjithë brezin para 1990 dhe pas viteve 1990. Ose më mirë do të them, pas komunizmit, ku piktura mori një hov të madh, ku pati shumë zhvillime të reja, hapësirë, liri, eksperiencë, bashkëpunime, etj…Komunizmi i kishte mbyllur dyert për piktorët. Ne ishim të detyruar ta njehnim pikturën e huaj vetëm nëpërmjet librave, madje, as me anë të televizionit. Në Europë ka shumë Galeri Artesh, ku mund të shohësh vepra madhështore dhe të befasohesh. Ne s’i kishim këto mundësi, ato na u krijuan pas vitit 1990.

 Kjo ekspozitë vjen pas disa ekspozitash të tjera në disa vende të Evropës?

Po. Kjo është ekspozita e  gjashtë, të cilën e kam përgatitur në mënyrë specifike. Është një ekspozitë, ku ka një tjetër këndvështrim në raport me të parat.

 Sa piktura keni në këtë ekspozitë?

 Në këtë ekspozitë janë 23 piktura. Bëhen prezent për herë të parë para publikut dhe mund të them se interesi ka qenë jo i pakët.

 Ku bazohesh në këtë ekspozitë, portretin, kompozimin, abstraksionin apo peizazhin?

Në përgjithësi pikturat e kësaj ekspozite bazohen mbi kompozimin. Është mënyra ime e të bërit të pikturës. Abstraksioni është pjesë e kompozimit, por piktura ime është më shumë eksperimentale.

 A ka kritikë të mirëfilltë në pikturën shqiptare?

 Vitet e fundit sikur nuk po shoh një kritikë të tillë profesionale. Më shumë shihen vetëm fjalë të përgjithshme, jo profesionale që zbërthejnë veprën. Kritika ka tjetër natyrë.

 A ke ngjyrë të veçantë në pikturë?

 Jo! Është një lidhje ndërmjet ferrit dhe parajsës, ku ngjyra luan rolin e purgatorit. Kjo është në themel të punëve të mia.

 A ke menduar ndonjëherë që me penelin tënd të bësh portrete politikanësh, p.sh sot Berishën apo Ramën?

 Asnjëherë. Politikanët janë shumë të përkohshëm. As jam munduar që të njoh të gjithë krerët e partive. Artisti është me dimensione më të gjera, sheh më larg pasi vepra është e përjetshme.

 A jetohet sot me pikturë. Apo më mirë ju jetoni vetëm me pikturë?

Arti është mënyrë jetese. Pra, gjithkush që është artist mundohet që të jetoj me atë profesion, piktori me pikturë, skulptori me skulpturë, këngëtari me këngë, etj…Kështu duhet të shikohet. D.m.th artisti jeton me art dhe e bën jetën art, e trajton jetën si art. Nëse dhe politikanët do ta shihnin dhe trajtonin kështu jetën, atëherë jeta do ishte shumë më e bukur.

 Por aktualisht në Shqipëri ka shumë piktorë që mezi mbijetojnë?

E vërtetë. Kjo ka arsyet e veta. Shqipëria është vend i vogël ku dhe edhe tregu, edhe lëvizjet, edhe kultura për të blerë piktura është e vogël. Ndaj ekzistojnë këto kufizime. Mua më pëlqen jeta endacake. Më pëlqen jeta në lëvizje ndaj hap ekspozita në vende të ndryshme. Pastaj varet se çfarë qëllimi i vë vetes për të jetuar me pikturë. Me pikturë s’mund të marrsh një fuoristradë moderne, por mund të marrësh një makinë të vogël. S’mund të marrësh një shtëpi luksoze, por mund të jetosh në një shtëpi të thjeshtë, etj… Pra nëse do të jetosh si artist bë një jetë të thjeshtë.

 Cili është mendimi juaj për pikturën e realizmit socialist?

 Ka qenë një pikturë e mbështetur në vlera artistike, e bazuar mbi realizmin e kohës dhe kishte ato të veçantat e saj. N.q.s në Europë atëherë bëhej një tjetër pikturë, tek ne tjetër. Dhe unë mundohem që në komente të ruaj njëfarë balance, si puna e atij që ecën mbi tel, që mundohet të mos bjerë në asnjë krah, pasi po të bjer do bjer o majtas o djathtas. Pra çdo periudhë ka të mirat e saj dhe të këqijat e saj. Edhe ajo periudhë ka vlerat e saj nis nuk do ta politizojmë.