Xherdan Shaqiri: Pse nuk e kisha flamurin shqiptar

641
Sigal

 Mesfushori kosovar i Bajernit: “Ma ndaloi UEFA, duke më lejuar të mbaja vetëm atë të Kosovës”

  Mesfushori kosovar i Bajernit, Xherdan Shaqiri, fitues i Ligës së Kampioneve për vitin 2013, është shqiptari i parë që arrin të fitojë të fitojë trofeun më prestigjioz për klube në Europë, ëndrra e çdo lojtari. Xherdani, i cili luan për Kombëtaren e Zvicrës, madje na shënoi një gol në humbjen 2-0 në Gjenevë, festoi në “Uembli” të Londrës me dy flamurë njëherësh, atë të Zvicrës dhe Kosovës, duke mos e pasur pranë atë shqiptar. Në fakt, pamjet e transmetuara nga të gjithë televizionet më të rëndësishme në të gjithë botën – finalja midis Borusias së Dortmundit dhe Bajernit të Munihut, u ndoq nga disa miliona shqiptarë kudo në botë, prodhoi polemika, se përse Shaqiri nuk e kishte dhe flamurin kuqezi. Për të shuar të gjitha polemikat, Shaqiri u prononcua vetë përmes faqes zyrtare në rrjetin social “Facebook”:  “Me shumë dëshirë kam dashur të marr edhe flamurin KUQ E ZI por kam pasur pengesë nga UEFA. Ata nuk më lejonin me flamurin kuq e zi të festoj. Se më thojshin je me prejardhje nga KOSOVA, jo nga SHQIPËRIA. Por sidoqoftë siç ju premtova që do e marr me veti flamurin”. Gjesti i tij ka qetësuar të gjithë dashamirësit, por dhe ka pasur komente të ndryshme ndaj Xherdan Shaqirit, që arrinin deri dhe në fyerje.

“Përmbusha një ëndërr!”

Mediat zvicerane shkruanin se, me Xherdan Shaqirin u bënë tre lojtarë helvetikë që e kanë fituar Ligën e Kampioneve. Në fakt, kosovari 21-vjeçar qëndroi në bankinë në sfidën e “Uemblit”, por gëzimi i tij në fund të ndeshjes ishte i madh. Zvicerani i parë që, e ka fituar Ligën e Kampioneve është Shtefan Shapuiza. Ai fitoi me Borusian e Dortmundit në vitin 1977, pikërisht në fitoren 3-1 kundër Juventusit të Torinos. Shapuiza hyri në lojë në minutën e 70-të. Katër vjet më pas, ishte Çiraiko Sforca ai që e fitoi titullin me Bajernin, në ndeshjen e fituar me penallti (4-3) kundër Valencias, në vitin 2001, por ai nuk luajti në atë takim, njëlloj si Xherdan Shaqiri në Londër. “Ne e merituam fitoren. Për mua është një ëndërr e përmbushur”, – tha Shaqiri për mediat zvicerane. Bajerni i ka të gjithë mundësitë të fitojë tre trofetë e mundshëm të këtij sezoni. Bavarezët kanë fituar kampionatin gjerman dhe Ligën e Kampioneve dhe janë në finalen e Kupës së Gjermanisë kundër Shtutgartit. “Ne dëshirojmë patjetër ta fitojmë titullin e tretë”, – tha Shaqiri, duke theksuar se do të arrijnë fitoren. Në fushatën e Ligës së Kampioneve 2012-2013, Shaqiri luajti në 6 nga 11 ndeshjet e mundshme, ndërkohë që ai shënoi një gol në fazën e grupeve kundër BATE BORISOVIT.

Nëna Fatime: “Xherdani ‘vdes’ për gjellë shqiptare”

  Familja e Xherdan Shaqirit nuk mund të mungonte ne Londër, atje ku u luajt finalja e madhe midis Bajernit dhe Dortmundit. Babai Hysen, nëna Fatime, dy vëllezërit më të mëdhenj, Arianiti (25 vjeç) dhe Erdini (23 vjeç) si dhe e motra, Medina (13 vjeç) ishin në “Uembli”, ku e uruan mesfushorit të Bajernit. Familja e ngushtë e Xherdan Shaqirit, e ka uruar dhe mburret me suksesin e fundit të tij, respektivisht triumfin në Ligën e Kampionëve me Bayern Munichun. Secili nga familjarët e 21- vjeçarit kanë folur për jetën e tij për portalin e madh zviceran “Blick.ch”, Familja Shaqiri mbërrit në Zvicër nga Zhegra e Kosovës për një jetë më të mirë. Babai i tij, Hyseni thotë: “Kemi kaluar nëpër kohë të vështira gjatë jetës sonë, si të pasur dhe të varfër. Djemtë i kam përkrahur përherë në futboll. Fëmijët e mi nuk kanë lindur me lugë të argjendta dhe Xherdani e di këtë, kjo na ka bërë më të fortë. Por, ai ka një inat në lojë, për fat të mirë. Kjo e bën atë të posaçëm”. Nëna Fatime tregon të tjera detaje: “Xherdani përherë e pëlqen ushqimin tim. Ka pak gjëra që nuk i dëshiron në jetë, atij i pëlqejnë posaçërisht specialitetet e kuzhinës shqiptare. Tani nuk mund të bëj shumë ushqim për të, për shkak se jeton në Munih. Ai gëzohet shumë kur e vizitojmë dhe kërkon ushqim të përgatitur nga unë. Pas çdo ndeshje ai thërret në telefon të shtëpisë. Për mua, pasi që lajmërohet, nuk është shumë me rëndësi nëse fiton, me rëndësi është që gjërat të shkojnë mirë”. Vëllai i tij, Arianiti jeton me Xherdanin në Munih (studion për gjuhën gjermane) dhe e ndihmon atë. “Si vëllai më i madh, përherë e kam dërguar Xherdanin të luajë futboll dhe në gara tjera. Ai ishte më i vogli, më i riu, por mësoi shumë herët të garonte me më të vjetrit. Ai kurrë nuk e ka pasur problem përballjen me emra të mëdhenj. Këtë po e tregon edhe tani në Bayern”, tha ai për “Blick”. Erdini, është vëllai tjetër 23 vjeçar, i cili është këshilltari i Xherdanit dhe punon si menaxher. “Xherdani përherë kishte një angazhim maksimal. Ai është kështu edhe sot, pa marrë parasysh nëse është fjala për futboll apo pingpong. Por, për shkak të kapacitetit të tij, ai ka arritur ku është sot. Ai përherë dëshiron të fitojë çdo gjë. Paraqitjet e tij me Bajernin janë shpërblim. Ai si 21 vjeçar i ka 25 ndeshje për Zvicrën, më shumë se sa kishte për të gjitha kategoritë e reja të përfaqësueses”, – tha vëllai i tij i mesëm.

 Motra Medina: “Jam një fanse e madhe e tij”

  Medina është motra 13-vjeçare e Xherdan Shaqirit, dhe një nga pikat më të dobëta të mesfushorit të Bajernit të Munihut. “Jam më e vogla në familje dhe i dua të tre vëllezërit shumë. Më vjen keq që nuk e shoh shpesh Xherdanin, por unë jam tifozja e tij më e madhe dhe shpresoj se ai do të arrijë edhe më shumë në karrierë. Ne jemi shumë krenar për ty”, – tha Medina për faqen e madhe zvicerane “Blick.ch”.

Tërbohen mediat serbe: “Shaqiri bëri skandal!”

  Mediat serbe janë tërbuar ndaj gjestit të Xherdan Shaqirit, kur futbollisti i Bajernit festoi me flamurin e Kosovës, përkrah atij të Zvicrës, pas përfundimit të ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve ndërmjet Bajernit të Munihut dhe Borusias  së Dortmundit, që përfundoi 2:1. Mesfushori kosovar e kishte bërë një kombinim në mes të dy flamujve, duke mos e harruar origjinën prej nga vjen dhe vendin tek i cili është rritur dhe të cilin e përfaqëson në botë. Ky gjest i 21 vjeçarit nuk u ka pëlqyer aspak komshinjve, të cilët e kanë konsideruar si një provokim dhe një skandal. “Skandal: Futbollisti i Bajernit, Xherdan Shaqiri festoi me flamurin e Thaçit”, është titulli i versionit online të gazetës “Kurir”. “Skandal në Londër. Futbollisti i Bayern Munichut e ka fituar titullin, duke u mbështjellë me flamurin e një shteti që nuk është i njohur si Kosova”, ka shkruar një tjetër medium serb, smedia.rs. Sipas “Express”, Shaqiri i bëri të mburren të gjithë shqiptarët që janë bashkëkombës të tij.

 Bajerni arkëton 10.5 milionë euro

 Fitimi i Ligës së Kampioneve i dha Bajernit edhe 10.5 milionë euro të tjera. Në total Bajerni mund të fitojë këtë sezon 70 milionë euro. Roben & Co do të fitojnë nga 200 mijë euro premio të vendosur nga klubi.