Kritikat e FMN për PPP-të janë të vonuara, 500 milionë euro janë ndarë

543
“Konfindustria”, duke i mbështetur parimisht, vlerëson se kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për projektin e ashtuquajtura “1 miliard euro”, të shpallur nga ekzekutivi shqiptar, janë të vonuara në kohë. Qeveria shqiptare, me miratimin e 2 projekteve të para me vlerë afërsisht 500 milionë euro, që do të financohen me skemën e Partneritetit Publik-Privat (PPP), i ka vënë institucionet ndërkombëtare përballë “faktit të kryer”. “Konfindustria” vlerëson, se ndërhyrja e FMN-së në rolin e saj zyrtar si këshillues zyrtar i qeverisë për qëndrueshmërinë e treguesve makroekonomikë të vendit në afatgjatë, duhet të ishte shprehur në mënyrë shumë më të qartë dhe pikërisht në kohën e shpalljes së strategjisë “1 miliard euro” pothuaj 1 vit më parë. “Vonesa në kohë e ndërhyrjes së FMN-së në rastin në fjalë mund të krahasohet vetëm me rolin e saj në ngjarjet tragjike të piramidave financiare të viteve ’90-të të shekullit të kaluar”, theksoi organizata e biznesit. “Konfindustria” ka shprehur në mënyrë të përsëritur, se mungesat në strategjinë “1 miliard euro” të procedurave të qarta ligjore të përzgjedhjes së projekteve të përfshira në skemën PPP sipas parimit kosto-përfitim; të paracaktimit të kompanive fituese me parimin e propozimit të “pakërkuar”; të garancive të burimeve financiare të kompanive fituese; kontrollit cilësor të zbatimit të projekteve, etj. mbartin rrezikun e efektivitetit të ulët financiar, subjektivizmit dhe korrupsionit. “Projektet e mësipërme mund të sigurojnë një rritje ekonomike të përkohshme dhe të paqëndrueshme, që rrezikojnë të prodhojnë pasoja në afatmesëm dhe afatgjatë për biznesin e ndershëm, buxhetin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve”, theksoi “Konfindustria”. Deri më tani qeveria ka miratuar dy projekte me skemën e PPP-ve, ato të ndërtimit të Rrugës së Arbrit dhe segmentit Thumanë-Kashar, me një kosto në total mbi 500 milionë euro.
Sigal