Ku do investohen paratë e shqiptarëve? Ja masat e qeverisë për vonesat

748
Sigal

Projektbuxheti 2015, shpenzimet e qeverisë për sigurimet shoqërore dhe për grupet në nevojë

Në buxhetin e vitit 2015, investimet publike janë planifikuar 5.0 % e Produktit të Brendshëm Bruto ose 73 miliardë lekë (duke përfshirë dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal). Për vitin 2015 është parashikuar rritje e mëtejshme e financimit të Fondit të Zhvillimit Rajonal dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit me synimin e reduktimit të diferencave në zhvillim mes rajoneve (qarqeve) të ndryshme të vendit. Kjo përbën një risi dhe një instrument për realizimin e politikave të qeverisë për orientimin e investimeve dhe të shërbimeve publike te qytetarët dhe në funksion të përmirësimit të kushteve të jetesës së tyre. Në planifikimin e investimeve për vitin 2015 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm të trashëguara nga viti 2013 dhe më parë. Ashtu si në 2014-n, do të ketë përparësi shmangia e detyrimeve të reja dhe bartja e tyre në vitet e ardhshme, si dhe minimizimi i detyrimeve kontraktuale për projektet në proces zbatimi duke u fokusuar me përparësi në financimin e projekteve në vazhdim.

Për sa i takon shpërndarjes së investimeve sipas sektorëve, sipas relacionit të financave, ato do të jenë:

• Investimet e parashikuara për sektorin e transportit dhe ujësjellës kanalizimeve zënë 52% të investimeve gjithsej. Në raport me vitin 2014, kemi një rritje të peshës së financimit për këtë sektor me qëllim financimin e detyrimeve kontraktuale për projektet në vazhdim, si dhe prioritetet e qeverisë në sektorin e ujësjellësit.

• Sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale zënë rreth 8,3% të fondeve gjithsej. Në veçanti për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit investimet me financim të brendshëm janë rritur në 570 milionë lekë. Kjo duke pasur në konsideratë se detyrimet për projektet e kontraktuara gjatë vitit 2014 vlerësohen të jenë të larta. Në këtë nivel financimi, përveç detyrimeve kontraktuale, do të mbulohen edhe nevojat për investime në kuadër të zhvillimit rajonal si dhe lançimi i projekteve të reja. Investime në rritje janë planifikuar edhe për arsimin profesional, kjo për një përgjigje më të mirë ndaj nevojave të tregut për kualifikime profesionale.

• Përmes investimeve synohet rritja e sigurisë së qarkullimit rrugor, përmirësimi i komponentëve të sigurisë rrugore me sinjalistikë dhe përmirësimin e pikave të rrezikut, përmirësimi i sigurisë dhe sinjalistikës rrugore në superstradën Tiranë-Durrës dhe segmentin Kashar-Rinas, përmirësimi dhe rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare, menaxhimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve dhe operimit të tunelit të Thirrës dhe të Kërrabës. Parashikohet dhënia me koncesion e shërbimit të mirëmbajtjes së autostradës Milot-Rrëshen-Morinë, me gjatësi 115 km.

Po ashtu investimet e qeverisë synojnë vënien në eficiencë të rrugëve që lidhen me zonat turistike të vendit si rrugët lidhëse me bregdetin jugperëndimor, Qafë Thanë-Lin-Pogradec-Tushemisht, rrugës së Valbonës B.Curri-Margegaj-Dragobi-Valbonë, Gjinarit, Shishtavecit, etj. Ndërtimi i rrugëve që lidhen me zonat kufitare, si: vazhdimi i punimeve për ndërtimin e rrugës Librazhd-Q.Studë-Ura e Çerenecit, Ersekë-Leskovik etj. Ndër projektet e reja që parashikohet të zbatohen me financim të huaj në periudhën afatmesme planifikohen ndërtimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, By Pass-i Vlorë, Rrogozhinë, Tepelenë

MOSREALIZIMI NË KOHË I INVESTIMEVE PUBLIKE

Qeveria ka marrë një sërë masash për të siguruar realizimin në kohë të tyre, duke filluar nga përgatitjet paraprake gjatë vitit 2014, deri tek alokimi i tyre në ditët e para të vitit 2015. Për vitin 2015 do të ndërmerren masat e mëposhtme për kryerjen në kohë të investimeve publike:

• Sistem monitorimi (javor/mujor) i cili do të verifikojë problematikën dhe do të propozojë masat për zgjidhje;

• Monitorimi i veçantë i portofolit të investimeve publike me impakt të gjerë, duke veçuar këtu projektet me impakt të ndjeshëm buxhetor, të cilat do të monitorohen sipas ecurisë së tyre në bazë javore për të siguruar realizimin e tyre në terma financiar dhe rrjedhimisht në plotësimin e objektivave të vendosura nga institucionet e linjës;

• Monitorim i veçantë për investimet prioritare, të cilat janë kostuar dhe buxhetuar në bashkëpunim të ngushtë me zyrat e jetësimit të prioriteteve pranë MZhETS dhe Kryeministrisë;

• Rialokime të fondeve buxhetore nga projektet me performancë të ulët në projektet me performancë më të lartë, duke konsideruar gjithashtu dhe mundësinë e rishikimit të ligjit të buxhetit 2015 për këtë qëllim.

Për pasojë të gjithë institucionet buxhetore kanë përgatitur paraprakisht listën e nevojave të tyre sa u përket investimeve prioritare në muajt e parë të vitit 2015, me synim për të arritur plotësimin e plotë të kushteve dhe afateve për zbatimin në kohë të këtyre investimeve dhe për faktorizimin e tyre në ekonomi.

 

box

Shpenzimet e fondeve speciale

Këtu përfshihen shpenzimet totale për fondet e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, të cilat kapin një vlerë prej 143.7 miliardë LEK.

Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2015, parashikohet në masën 106 miliardë LEK ose 7.1% e PBB, me një rritje në masën 5.2 miliardë LEK, krahasuar me buxhetin fillestar 2014.

Për politikën e rritjes së pensioneve është parashikuar një fond prej 1.2 miliardë LEK, që mbulon rritjen e parashikuar të të gjitha pensioneve, në përputhje me reformën e re të këtij sektori, e cila starton zbatimin e saj në 1 janar 2015.

Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2015 janë parashikuar në masën 35 miliardë LEK ose 2.3% e PBB, me një rritje në masën 2.1 miliardë LEK krahasuar me vitin 2014.

Së fundi, shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të ish-Pronarëve, parashikohet në total në masën prej 1.4 miliardë LEK ose 0.1% e PBB, i njëjti nivel si në buxhetin fillestar 2014.

Shpenzime të tjera sociale

Këtu përfshihen fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.

• Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në të njëjtin nivel sikurse dhe vitet e kaluara, në masën 1 miliardë LEK.

• Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 19.9 miliardë LEK. Ndërkohë që, gjatë vitit 2015 e gjithë skema e ndihmës ekonomike dhe e pagesës së paaftësisë do t’i nënshtrohet një procesi rrënjësor rivlerësimi, duke rishikuar si procedurat e përfitimit të një statusi të tillë, ashtu edhe instrumentet dhe mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të saj, me qëllim eliminimin e abuzivitetit në skemë dhe uljen e barrës financiare në buxhetin e shtetit.

• Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 2 miliardë LEK ose 0.1% e PBB, me një rritje në masën 200 milionë LEK krahasuar me buxhetin fillestar 2014.

• Së fundi, është parashikuar edhe fondi prej 1.6 miliardë LEK, si kompensim për shtresat në nevojë, në mbështetje të politikave të reja në sektorin e energjisë. Ky fond paraqitet me një rritje në masën 500 milionë LEK krahasuar me vitin 2014.

  Hiqet akciza për pijet energjike. Ja arsyet

 Në projektligjin, “Për disa ndryshime në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, vjen propozimi për heqjen e akcizës së pijeve energjike.sipas relacionit të qeverisë kjo akcizë ka pasur një efekt negativ tek operatorët ekonomikë dhe në deklasifikimin e produkteve energjike. Në bazë të nenit 76, të ligjit për akcizat, pijet energjike janë pije që kanë në përmbajtje të tyre sasi kafeine të barabartë ose më shumë se 0,03 % të volumit ose përbërësit taurinë, guaranë ose ginsenk. Në përcaktimin e pijeve energjike ka shumë elemente teknike, për të cilat administrata doganore ka pasur vështirësi në klasifikimin e tyre. Më konkretisht, linjat e prodhimit të cilat shërbejnë për prodhimin e produktit “pije energjike”, shërbejnë njëkohësisht edhe për prodhimin e pijeve freskuese, çka sjell vështirësi në verifikime dhe mbajtje nën kontroll të prodhimit. Elementet përbërëse të produktit “pije energjike”, përqindja e të cilëve përcakton nëse produkti është apo jo pije energjike, aktualisht nuk mund të analizohen në laboratorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave apo në ndonjë laborator tjetër në Shqipëri.

Përpos kësaj, operatorët ekonomikë kanë ndryshuar klasifikimin e pijeve energjike për të mos u konsideruar si produkte me akcizë, sidomos në import. Kjo ka rezultuar në dëmtim të prodhimit vendas, kostoja e të cilit është më e lartë se prodhimi i importit.

Aplikimi i taksës së akcizës prej 50 lekë/litër për pijet energjike ka sjellë rritje direkte të kostos prej 12.5 lekë/kanaçe 250 ml. Një kanaçe pije energjike prodhim vendas shitet me 80 lekë/copë, dhe një rritje në kosto prej 12.5 lekë/copë, ka ndikuar ndjeshëm në rënien e shitjeve deri në ndërprerje të prodhimit. Ndërsa një kanaçe pije energjike importi shitet mesatarisht 150 lekë/kanaçe 250 ml, dhe një rritje prej 12.5 lekë/copë nuk ka patur ndikim në rënie të shitjeve të këtij produkti nga importi.