Fondet në terr/ Transparenca zero, fshihen prej tre javësh transaksionet e thesarit, taksat e shqiptarëve në drejtim të paditur

56
Sigal

Prej tre javësh, nuk përditësohen të dhënat e pagesave buxhetore, duke shënuar një ndër rastet më të rënda të mungesës së transparencës

Transparenca zero, fshihen prej 3 javësh transaksionet e Thesarit

 

“Të dhënat u shërbejnë ekspertëve të ekonomisë, operatorëve ekonomikë, medias investigative dhe publikut të gjerë, për të kuptuar se si shpërndahen taksat e qytetarëve. Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Financave, duket se ka vendosur që të fshihet dhe të vështirësojë sa të mundet kontrollin publik mbi aktivitetin e saj”

Anëtarja e Kryesisë së PD-së zyrtare, Marinela Ziu, përmes një deklarate për media, është shprehur se që prej datës 19 mars, qytetarët e kanë të pamundur të monitorojnë shpenzimet e qeverisë, pasi Ministria e Financave nuk publikon transaksionet e thesarit. Fatkeqësisht, deklaron Ziu, transparenca është në ditët e saj më të errëta dhe se mungesa e saj në çdo rast është shoqëruar me një megaaferë korruptive që do t’i kushtojë miliardat e radhës xhepave të qytetarëve shqiptarë. Listës së kontratave koncesionare e prokurimeve publike që nuk publikohen e Ligjeve e Vendime të Këshillit të Ministrave që publikohen me vonesë në Fletore Zyrtare, mjegullnajës e territ të informacionit me lejet e ndërtimit, investimet strategjike, ankandet, subvencionet, qiratë e pronave shtetërore e çdo kontrate tjetër publike, tashmë prej javësh i shtohen edhe transaksionet e thesarit.

Ministria e Financave nuk përditëson të dhënat e pagesave buxhetore, duke shënuar një ndër rastet më të rënda të mungesës së transparencës. Publikimi i përditshëm i transaksioneve të Thesarit është një detyrim ligjor për ministrinë e drejtuar nga Ervin Mete. Të dhënat u shërbejnë ekspertëve të ekonomisë, operatorëve ekonomikë, medias investigative dhe publikut të gjerë, për të kuptuar se si shpërndahen taksat e qytetarëve. Nën praninë e ambasadorit të BE-së dhe përfaqësuesit të Bankës Botërore është prezantuar strategjia për menaxhimin e financave publike deri në 2030-ën. Ministri i Financave shprehu se forcimi i buxhetit do të fokusohet në disa drejtime duke filluar nga shtimi i monitorimit, tek përmirësimi i sistemeve tatimore e doganore dhe deri tek rritja e auditimeve për mënyrën e shpenzimit. Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Financave, duket se ka vendosur që të fshihet dhe të vështirësojë sa të mundet kontrollin publik mbi aktivitetin e saj. Në fillim të vitit 2024 ishte e njëjta situatë, kur të dhënat e transaksioneve të Thesarit nuk u përditësuan për disa javë. Në atë kohë, zyrtarë të Ministrisë së Financave u justifikuan me faktin që po ndryshohej faqja zyrtare e internetit dhe ekspertëve që po punonin u duhej disa ditë kohë për të transportuar të dhënat nga portali i vjetër në atë të ri. Por, tashmë që ai problem teknik është zhvilluar, pasi faqja e re e institucionit është e aksesueshme, rrëzohet pretendimi i mos-hedhjes së të dhënave të Thesarit për shkak të çështjeve të Teknologjisë së Informacionit. Vonesat e ekzagjeruara në përditësimin e transaksioneve publike nuk janë edhe aq rastësore. Në këtë mënyrë, qeveria, nëpërmjet Ministrisë, u vështirëson përpunimin e të dhënave dhe, rrjedhimisht edhe kërkesën e llogarisë për mënyrën se si shpërndahen fondet publike, grupeve të interesit dhe ato “watch-dog” që monitorojnë aktivitetin financiar.