Ditari i Togerit Italian: Ja si i kamë njohur udhëheqësit e Lanç

1261
Sigal

TOGER BELODI: Si i kam njohur E. Hoxhën, M. Shehun, Drita Kosturin, Hysni Kapon, Nako Spirun, Koçi Xoxen, Gogo Nushin, Beqir Ballukun, Manush Myftiun, Liri Belishovën

Ushtarakët italianë që iu bashkuan luftës partizane pas kapitullimit të Italisë

Nga: Agron MEMA

Deri sot historiografia shqiptare ka parë vetëm njërën anë të fakteve të rrëfyera nga fitimtarët, por jo anën tjetër, atë të humbësve. Ata kanë rrëfyer kujtimet e tyre dhe duhet që lexuesi të njihet me to dhe të dalë e vërteta në dritë. Një libër i tillë është edhe “ Lufta ime më e gjatë-Shqipëri 1943-1948”. Shkruar nga mjeku italian që shërbeu pranë batalionit “Peruxhia” dhe vuajti edhe persekucionet dhe burgjet komuniste deri në riatdhesim, Franko Benanti.

Le të themi dy fjalë për të siç e përshkruan përkthyesi:

“ Autori( 1913-1987), librin e tij në fjalë e ka botuar dhe ribotuar disa herë në vendin e tij, Itali, por në gjuhën shqipe publikohet për herë të parë( 2012). Autori është një prej dëshmitarëve të pakët të Luftës së Dytë Botërore dhe të pasluftës në Shqipëri, që kanë shkruar për ç’ka kanë parë e shikuar gjatë atyre viteve të vështira në Shqipëri. Duke qenë mjek i mobilizuar në ushtrinë fashiste, Benanti erdhi me mision të përkohshëm në Shqipëri për herë të parë në vitin 1941, ndërsa nga gushti i vitit 1943 deri në qershorin e vitit 1948 ai do të bëhej pjesë e kalvarit që pësoi ushtria e Musolinit. Pas shpartallimit të ushtrisë italiane Benanti shërbeu si mjek në ushtrinë partizane e më pas në regjimin e ri si “ plaçkë lufte”. Pikërisht për shkak të profesionit,duke bredhur nëpër spitalet ambulante të luftës në jug të vendit, ai do të njihte “pas perdes”, nga afër, disa prej protagonistëve të LANÇ-it dhe pushtetit komunist, duke filluar me E. Hoxhën, M. Shehun, Drita Kosturin, Hysni Kapon, Nako Spirun, Koçi Xoxen, Gogo Nushin, Beqir Ballukun, Manush Myftiun, Liri Belishovën, Ibrahim Dervishin, Liri Gegën, Islam Radovickën, Riza Kodhelin, dr. Polenën, Sherif Klosin etj.” Pra, siç shikohet nga protagonistët e njohur nga autori, jepen informacione interesante për aspekte dhe informacione të tjera të panjohura deri tani; shpartallimi i ushtrisë fashiste, kontributi ushtarëve italian dhe zhgënjimi i M. Shehut me batalionet italiane të instaluara në LANÇ, por edhe ndikimi i politikës jugosllave pranë PKSH dhe politikës shqiptare në përgjithësi të asaj paslufte, jepen të dhëna rreth politikës ateiste që po fillonte të instalohej në Shqipëri. Po përcjellim një shkrim nga toger Belodi, komandant i këmbësorisë së regjimentit 343 të divizionit “Areco”. “Në marrëveshje të plotë me Shtabin e Përgjithshëm të Armatës Shqiptare dhe me krerët e misioneve ushtarake britanike, ishin krijuar komanda italiane përkrah komandave shqiptare në zonat Dibër, Pezë, Elbasan, Dajt, ,nën nivelin e një batalioni, përjashtuar atë të Pezës që arrinte në dy batalione. Qenë krijuar gjithashtu katër bateri artilerie të lëvizshme me kafshë, disa toga autonome mortajash 81 e 45 mm, mitralozash, disa shërbime të ndryshme prapavije etj. Përsa i përket kompanisë së regjimentit të 343-të të Këmbësorisë të divizionit “Areco” e të komanduar nga togeri Karlo Belodi, dëshiroj të sjell këtu tregimin e gjallë që ky oficer trim ka redaktuar nga përvojat partizane.( F.B.)” TREGIMI I KARLO BELODI “ Më 8 shtator 1943 gjermanët zunë garnizonin e Korçës, repartet e dislokuara në Pogradec, në Leskovik e afër kufirit greko-shqiptar. Në Korçë gjermanët pushkatuan shumë oficer , midis të cilëve edhe mikun tim, nëntogerin Bonafedi nga Roma. Gjithashtu, 17 ushtarë dhe rreshteri Karli nga Koparo u shkuan në grykën e pushkës, sepse nuk kishin dashur t’i bindeshin urdhrit të dorëzimit. Unë, së bashku me togerin Piponci nga Pietragala e rreshterin Italo Rizi nga Rosçino, si dhe 37 ushtarë të armatosur deri në dhëmbë, lamë fshatin e Mborjes, fare afër Korçës, ku kishim qenë deri atëherë dhe u bashkuam me partizanët. Pasi kishim përshkuar fushën e Korçës, në afërsi të Boboshticës, u ngjitëm në malet në drejtimin e kundërt dhe mbërritëm në Voskopojë.

Atje takuam partizanët.

U vumë në dispozicion të gjithë me armatimet individuale e për më tepër edhe disa kaseta me predha mortajash 81 mm. Partizanët nuk bënë asnjë përpjekje për të na çarmatosur. Qemë strehuar pranë kazermave dhe barakave që më parë u përkisnin karabinierëve. Takova aty disa oficerë, tashmë në shërbim pranë Gjykatës Ushtarake të Korçës, togerët Falko, Celi e Karfanja. Kishte mjaft ushtarakë, të cilëve u drejtohej në mënyrë të veçantë propaganda e agjitatorëve komunistë shqiptarë. Pata rastin të shkoj edhe në Punëmirë, një fshat i vogël pak kilometra larg nga Voskopoja, vendndodhja e një kampi të punës së detyrueshme për italianët endacakë. Atje ishin përqendruar italianë të shumtë, të mbetur të izoluar pas 8 shtatorit dhe një repart i tërë, që pasi ishte çarmatosur nga gjermanët pranë liqenit të Prespës, kishte mundur të largohej nga ajo zonë me pikësynimin për të shkuar në brigjet e detit. Grupi, si kishte kaluar Qafën e Thanës, kishte zbritur në rrafshultën e Korçës. Në afërsi të Pojanit qe sulmuar nga partizanët. Gjithë këta ushtarë të çarmatosur e të pambrojtur, të sfilitur nga marshimi i gjatë dhe nga uria, qenë zhveshur nga teshat e nga këpucët, qenë bërë robër të partizanëve dhe qenë përqendruar në kampin e Punëmirës. Ishin nja 400 vetë. Oficerë e ushtarë jetuan e vdiqën aty së bashku, të lidhur nga i njëjti fat. Kampi, që varej nga komanda partizane e Voskopojës, drejtohej nga një komisar, një kriminel sadist, që ushtronte ndaj robërve të njëjtat tortura si ato të nazistëve në lagerat gjermane. Gjatë dimrit 1943-1944 ushtarët dhe oficerët italianë, gjysmë lakuriq ose të veshur me leckurina, qenë vendosur në ca baraka pa dyer, pa kashtë për shtrojë, rreth 1500 metra mbi nivelin e detit, në kushtet e një temperature që gjatë ditës vërtitej tek zero gradë dhe natën zbriste në minus 15 gradë. Ushqeheshin me rreth 300 gramë misërnike në ditë dhe asgjë tjetër. Por shqiptarët kishin zbuluar se edhe në këto kushte italianët mundoheshin të punonin gjithë ditën, pa ndërprerje.. ishin të shtrënguar të prisnin e të rrëzonin pemë, të çanin dru, të transportonin përditë mbi supe pesha të rënda, nga Voskopoja në Punëmirë. E gjithë kjo nën kërcënimin e reprezaljeve të egra që ushtroheshin sipas gjykimit të pa apelueshëm të komisarit. Kush arrinte me vonesë nga Voskopoja nuk merrte racionin e tij të bukës. Shumë robër vuanin nga goditjet e etheve të malarjes, nga enjtje të këmbëve, nga plagë të hapura në këmbë dhe krahë, pa marrë asnjë lloj kurimi. Disa vdiqën nga dizanteria e stërlodhja e përgjithshme. Për ata që kishin rendiment të ulët pune , përdoreshin dënime të rënda fizike. Më vonë, në kuadrin e një spastrimi gjerman që i bëri partizanët t’ia mbathnin, të mbijetuarit nga Punëmira që ishin bërë sa nuk njiheshin nga distrofia, rifituan lirinë e , megjithë kushtet e dobësisë fizike ku ata qenë katandisur, nisën një marshim të gjatë raskapitës për tu afruar në brigjet e detit, me mirazhin për të gjetur mundësi imbarkimi për në Itali. Fare pak prej tyre mundën të zënë buzëdetin, gjithë të tjerët vdiqën gjatë rrugës ose u drejtuan nga fshatarët, të cilët i ngarkonin me punë të rënda bujqësie në këmbim të një cope buke. Ndërkohë që gjendesha akoma në Voskopojë, një ditë erdhi krejt i famshëm partizan Riza Kodheli, i cili më propozoi që, bashkë me togerin Di Falko e rreshterin Rizi, si dhe me gjithë kompaninë, ti bashkoheshim batalionit partizan “Tomorri” që komandohej prej tij. Riza Kodheli më pyeti nëse dija të përdorja mortajat dhe, si mori prej meje përgjigje pohuese, më besoi të vetmen mortajë 81mm që dispononte batalioni, si dhe një skuadër partizane për mbrojtjen nga afër të armës. Bashkëpunonin me mua edhe oficerë e ushtarë italianë që përmenda më sipër, pas pranimit për t’u rekrutuar në radhët e batalionit “Tomorri”. Municionet e disponueshme për mortajën ishin ato që kishim sjellë neve me vete. Kodheli ishte një komandant guerriljesh i lindur, për të cilin kjo lloj lufte ishte çështje jete. Nisi kështu aventura ime e gjatë me partizanët shqiptarë. Batalioni “Tomorri” me grupin e artilerisë ( siç e quante Kodheli mortajën e tij të vetme) , filloi ekskursionet e shpeshta në rajonin e Korçës e të Kolonjës. Aksioni i parë që ndërmorëm ishte në afërsi të fshatit Polenë, ku u sulmuam nga një formacion patrullimi gjerman. Gjatë luftimit komandanti më urdhëroi të qëlloja me mortajë, ndërsa batalioni po mundohej ti ndalonte gjermanët me një zjarr të dendur pushkatar. Sheshova mortajën në një pozicion që zotëronte luginën ku kishte zënë vend armiku dhe nisa të jap disa goditje me mortajë. Rezultati ishte shumë më i madh nga sa pritej, sidomos për efektin psikologjik që patën goditjet e mia në moralin e partizanëve. Armiku u tërhoq. Nga ana e jonë nuk pati humbje, ndërsa gjermanët lanë në fushën e luftimit disa të vdekur. Për më tepër partizanët zunë katër robër, të cilët me urdhër të komandantit u pushkatuan menjëherë dhe u zhveshën nga rrobat. Pas këtij suksesi Riza Kodheli dhe gjithë partizanët e batalionit shprehën admirimin e tyre në drejtimin tim me terma entuziaste, të tilla që vetëm njerëz të pagdhendur mund ti shprehin. Konsiderata e lartë për mua u rrit jashtë mase ndonjë javë më vonë, kur me disa goditje të matura mirë, i rashë në kokë një fshat i të vogël në afërsi të Ersekës të zënë nga ballistët, armiq të Riza Kodhelit, duke i shtrënguar ata t’ia mbathnin nga sytë këmbët.

Plaku kërcente përpjetë nga gëzimi.

Pasi hyri në fshat dhe dogji disa shtëpi të kundërshtarëve të vet, ai më ftoi ua dhe italianët e tjerë të hanim me të. Menjëherë pas kësaj u nisëm për në Shtëmnicë. Ishte një pasdite e qartë me diell. Ishim duke përshkuar një lëndinë që shëmbëllente me një kopësht japonez, kur u sulmuam nga një formacion gjerman. Ushtari Xhuzepe Mileti, që ishte në pararojë u gjen i pari nën breshërinë e plumbave të një patrulle armike. Hapi zjarr menjëherë, vrau dy gjermanë të patrullës, por mbeti për vete edhe i vrarë duke marrë një plumb në ballë. I gjithë batalioni u angazhua në një aksion luftarak të ashpër në të cilën morra pjesë edhe unë me mortajën time. Armiku u detyrua të braktisë fushën e betejës. Trupi i heroit Mileti, pasi ju bënë nderimet ushtarake, u transportua me mushkë në Çermenikë, fshati i lindjes së Riza Kodhelit dhe u varros në qafën e Martës. Pas disa ditë pushimi në Çermenikë, u drejtuam nga veriu dhe, duke kaluar lumin Devoll, arritëm në zonën e Mokrës. Batalioni thuajse u rrethua nga gjermanët. Shpëtuam me mundim duke u kthyer mbrapa e duke kaluar sërish Devollin. Gjatë kthimit togeri Di Falko u ngatërrua e mbeti mënjanë. U kap rob nga gjermanët, por siç mora vesh më vonë, nuk u pushkatua, duke mos u njohur nga askush si oficer. Arriti të arratisej dhe të bashkohej sërish me partizanët në Voskopojë, por gjatë spastrimit tjetër armik mbeti i plagosur rëndë. Të pa qarta më mbetën edhe lajmet për fatin e mëtejshëm të tij. Unë nuk e ripashë më. Duke i shpëtuar rrethimit të gjermanëve, batalioni “Tomorri” përshkoi gjerë e gjatë zonat e Skraparit e të Tomoricës dhe zhvilloi beteja të ashpra kundër forcave balliste. Në afërsi të Mirasit, një goditje e mortajës sime nxori jashtë luftimit shtatë ballistë, duke nxitur entuziazmin e Kodhelit. Ky aksion provokoi një spastrim të ri, të ekzekutuar bashkërisht nga partizanët dhe ballistët në vijim të të cilit u zhvendosëm sërish në n zonën e Korçës dhe, prej aty, deri në afërsi të Përmetit. Vazhduam të endeshim nëpër male me ditë e me javë, të ndjekur nga gjermanët, të cilët ndërkohë kishin filluar “Operacionin e Dimrit” të shtrirë në të gjitha rajonet e Shqipërisë” Ky ishte tregimi i toger Belodi, përfshirë në librin “ Lufta ime më e gjatë, Shqipëri 1943-1948” të Franko Benanti. Më pas toger Belodi vijoi të japë ndihmesën e vet duke u inkuadruar në rreshtat e Brigadës së dytë të LANÇ-it. FUND.