Bashkëpunëtorët me pushtuesit në luftë u vetëdamkosën, s’mund të rehabilitohen

868
Sigal

Veteranët e Cakranit: Bektash Cakrani bashkëpunoi me fashistët, arrestoi e internoi 22 luftëtarë bashkëfshatarë

Kryesia e veteranëve të Cakranit, referuar dëshmive të kohës e dokumenteve, reagojnë kundër tendencës nga persona apo faktorë të caktuar që sot, pas 70 vitesh, përpiqen që në një formë apo në një tjetër, të rehabilitojnë figura kuislingësh, që gjatë luftës Nacionalçlirimtare, bashkëpunuan hapur me fashizmin. Në mos rehabilitim, të paktën të përpiqen të fshijnë ditka nga ‘njolla e zezë’ që u vuri historia në kohën kur luftohej për çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët vendas që i lyen duart me gjakun e djemve dhe vajzave të pafajshme. Veteranët e luftës në Cakran, në letrën e dërguar në redaksinë e “Telegraf”, reagojnë duke tregua aktivitetin e Begtash Cakranit si bashkëpunëtor i pushtuesve gjatë luftës…

Redaksisë së gazetës “Telegraf” Tiranë!

Të dashur pjesëtarë të redaksisë së gazetës “Telegraf”!

Në datën 14 korrik është botuar në gazetën tuaj një artikull për Bektash Cakranin, autor i të cilit është Kastriot Bimo:

Në këtë artikull autori shkruan midis të tjerash edhe për pjesëmarrjen e Bektash Cakranit në Luftën e dytë Botërore, gjë për të cilën mbetëm të befasuar për arsyet si më poshtë:

1. Bektash Cakrani u zgjodh kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Mallakastrës në muajin dhjetor të viti 1942 dhe në datën 17 shkurt 1943 e ndërpreu aktivitetin e tij pasi bëri marrëveshje me komandën italiane të Fierit, kolonel Cunglis Enriko dhe komandant KKMM Fier, Pere Pierol dhe vendosi bashkë me ta, duke u dhënë fjalën e nderit që:

a)-Mos me i dhënë përkrahje dhe ndihmë në asnjë mënyrë veprimeve të rebelëve (është fjala për partizanët).

b)-Me marrë armët nëse do të sulmohemi prej rebelëve.

c-Me shpartallu rebelët me grupe të vogla pa pasur nevojë të kërkojë ndihmën e ushtrisë.

ç)-Me qëndrue kundër me armë kundër grupeve të mëdha rebele dhe duke vënë në dijeni më të shpejtë autoritetin ushtarak të Fierit që të mund të na japë ndihmë.

d)-Me arrestue e kallzue shpejt rebelët që eventualisht të izoluar vijnë në cilindo fshat e shtëpi në Mallakastër.

dh)-Me mbledh pa përjashtim e me i dhënë autoritetit ushtarak e nëpërmjet kësaj komandantit të sektorit të Fierit çdo lajm, çdo lëvizje të rebelëve që ka ardhur në dijeni të tyre.

e) Me qenë gjithmonë gati në çdo rrethanë të bashkëpunojmë dhe me i dhënë ndihmë ushtrisë në rast nevoje.

ë)-Me largimin brenda 15 ditëve, duke filluar qysh nesër më 18 vazhduesi katundet që eventualisht nuk do të punojnë tu binden obligimeve.

f)-Autoriteti ushtarak do të ketë duart e lira për këtë me bashkëpunimin e kryetarëve të katundeve.

Ky akt mban datën 17 shkurt 1943 dhe është firmosur nga Bektash Cakrani, Eqerem Peshkopiu, Idriz Dzizari, Qazim Lelfo, Shaban Klosi, N/prefekti i Ballshit idajet Lekdusht. Komandanti i sektorit të Fierit colonel Cungli Enriko, komandanti i KKMM Fier Pepe Pierol.

2. Nuk është e vërtetë që Bektash Cakranini ka marrë pjesë në Kuvendin e popullit të Mallakastrës në Poçem në korrik të vitit 1943, për arsye se në maj 1943 është shkarkuar si kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Mallakastrës në fshatin Kash të kësaj krahine, si rrjedhojë të tradhëtisë që bëri.

3. Nuk është e vërtetë që është burgosur nga Italia fashiste, po është shumë e vërtetë që është burgosur nga organet e pushtetit popullor në nëntor të viti 1944 kohë në të cilën është arrestuar në Shkodër për arsye se ka dashur të arratiset për në Itali. Në vitin 1945 është dënuar nga gjyqet e popullit me pushkatim.

4. Është shkaktar i arrestimit në mënyrë të befasishme të 22 burrave cakranjot nga nazistët gjermanë më 20 tetor të vitit 1943, duke i internuar në kampin famëkeq, shfarosës, gjerman të të Zeminit në ish-Jugosllavi.

5. Nuk është e vërtetë se ka bërë dorëheqje si kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Mallakastrës për shkak moshe po është e vërtetë se iu provua tradhëtia e cila u vërtetua më së miri nga aktivitetit i më vonshëm në favor të organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar, si eksponent  kryesor i saj në shkallë vendi.

Nga këshilli zonal i organizatës së veteranëve të zonës së Cakranit.

Cakran. Më 17 korrik 2014

HISTORIA DHE BESËLIDHJA E POÇEMIT

 Poçemi është një vend historik i Mallakastrës midis Klosit dhe Drizarit. Në këtë vend u mblodh Kuvendi i Mallakastrës në vitin 1847 nga Rrapo Hekali. Po këtu u nisën për në luftën e Vlorës në vitin 1920 luftëtarët e Mallakastrës. Në këtë gjendje kur trupat pushtuese arritën të ndanin më dysh forcat partizane, komanda e tyre vendosi braktisjen e pozicioneve në Mallakastrën e Poshtme dhe grupimin e tyre në Mallakastrën e Sipërme. Pasi morën udhëzimet përkatëse forcat partizane filluan menjëherë tërheqjen e tyre me anë të manovrimeve të shpejta të ndihmuara nga thyeshmëria e terrenit larg rrugëve kryesore. Duke ndjekur forcat partizane trupat italiane të operacionit iu drejtuan Ballshit, Aranitasit dhe Gjerbësit për të bërë një spastrim të hollësishëm. Në 20 korrik filloi faza finale e operacionit me sulmet që italianët zhvilluan në katër drejtime të tjera si: Gjerbës – Kapaj, Greshicë – Symizë, Greshicë – Kremenar dhe Hekal – Klos – Drizar. Nga ky sulm i ri forcat partizane u vunë në gjendje tepër kritike. Për ti shpëtuar asgjësimit, ato u zhvendosen në mesnatën e datës 21 korrik për në krahinën e Vlorës duke kaluar lumin e Vjosës. Në Mallakastrën e Sipërme mbeten vetëm disa njësite të veçuara partizane, që të favorizuara nga terreni, mbetën të fshehura duke pritur kalimin e valës se operacionit. Ushtria italiane e ndërpreu operacionin në 25 korrik, duke arritur të kontrollonte gjithë Mallakastrën, por pa realizuar një nga objektivat kryesore te tij, siç ishte eleminimi i forcave partizane. Këto të fundit u rikthyen përsëri në bazat e tyre në Mallakastrën e Sipërme pas tërheqjes së trupave italiane, si rezultat i ndryshimit të situatës ndërkombëtare. Megjithatë pasojat e këtij operacioni renduan mbi popullsine civile. Përveç masakrave të bëra në Ballsh, Gorishovë, Lapulec, Panahor, etj. ushtria italiane dogji, në bashkëpunim dhe me tradhtarë vendas,  pothuajse 40 fshatra, duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë ekonomike.