Komisioni i Kthimit të Pronave shkel ligjin për banesat e ndërtuara me kontribut vullnetar

644
Sigal

Prefektura dhe Bashkia e Durrësit, kërkesë për zgjidhje problemi. Flet sekretari i Shoqatës së Qiramarrësve, Gjikë Pastërma

Prefektura e Durrësit ka mbështetur banorët e kateve shtesë, të ndërtuara me kontribut vullnetar në vitet e sistemit monist, të cilëve u është komunikuar lirimi i këtyre banesave në favor të ish-pronarëve të sekuestruar nga qeveria komuniste në mesin e viteve ‘40 të shekullit të kaluar. Në qytetin e Durrësit janë rreth 900 familje që janë lajmëruar që në bazë të aktit normativ, duhet që të lirojnë banesat. Madje Përmbarimi i mbështetur dhe nga policia ka nxjerrë deri tani në rrugë të madhe mbi 20 familje. Krahas kësaj kategorie, janë edhe 100 banesa që janë ndërtuar me kontribut vullnetar dhe që kanë kaluar sipas komisioneve të ngritura në favor të ish-pronarëve. Sekretari i Shoqatës së Qiramarrësve të Banesave Shtetërore, ish-pronë Private, Gjikë Pastërma me një grup prej këtyre banoreve ka shkuar disa herë në prefekturë për të bërë ankesa, pasi sipas tyre, banesat e reja shtesa katesh, ku ata banojnë janë të ndërtuara sipas të gjitha rregullave urbanistike të kohës. Ata janë të ndërtuara me fondet e shtetit të asaj periudhe dhe me kontributin e punës së tyre jashtë orarit të punës, ose siç quhej me punë vullnetare. Siç dihet pasi mbushej një kuotë e caktuar me këto orë pune në banesa, ata pajiseshin me hyrjet nga komisionet e strehimit të ndërmarrjeve, ku punonin.  Lidhur me këto faktorë, të strehuarit në këto banesa kanë dërguar letra në Prefekturë në adresë të Genc Alizotit, duke i kërkuar që lidhurit me këtë kontingjent banesash të njoftonte Kryeministrin Berisha dhe Ministrin Olldashi, duke kërkuar që ata të ndikonin që 100 apartamentet 2+1 të ndërtuara nga shteti të mos u falet pronarëve, por të privatizohen nga banoret që jetojnë në to.

Prefektura përcjell shqetësimin e banoreve të pastrehë

Prefekti i Qarkut të Durrësit, Genc Alizoti me shkresën nr 36 të protokollit, datë 15 janar 2013, ka vënë në dijeni Kryeministrin Berisha si dhe Ministrin Olldashi lidhur me këtë kërkesë të banorëve. Ai ka bërë me dije me anë të kësaj letre se pranë institucionit të tij janë paraqitur disa përfaqësues të Shoqatës së Qiramarrësve të Banesave shtetërore të ish-pronave private të degës së Durrësit dhe gjatë takimit me prefektin kanë shprehur shqetësimin për sa i përket 100 familjeve që banojnë në shtëpitë e ndërtuara me fondet e shtetit dhe me kontribut vullnetar para viteve 1990, mbi ndërtesat e ish-pronarëve të ligjshëm. Alizoti thekson në korrespondencën e tij se këta përfaqësues kërkojnë që 100 apartamentet  2+1, të ndërtuara nga shteti në shtesa katesh mbi banesat private të kthyera ish- pronarëve, të mos u falen pronareve, pasi edhe Komisioni i Kthimit të Pronave ka shkelur ligjet. Si dhe kërkojnë që banesat të privatizohen në favor të familjeve që jetojnë aty.

Kryebashkiaku Dako shpreh shqetësim për 100 familjet

Po ndërsa Prefektura ka marrë përsipër përcjelljen e shqetësimit të banoreve tashmë “të shpronësuar” edhe ata nga banesat, për të cilat kanë punuar vetë për t’i ndërtuar, kreu i Bashkisë Dako në shkresën e datës 24.01.2013, jo vetëm ka përcjellë shqetësimin e tyre, por edhe ka afruar gatishmërinë për të bërë gjithçka në favor të procedurave të përshpejtuara për privatizimin e tyre. Dako ka vënë në dijeni ashtu sikurse Alizoti, se në qytetin e Durrësit janë mbi 100 familje që banojnë në shtëpi të ndërtuara me fondet e shtetit si dhe me kontribut vullnetar të qytetarëve në shtesa kati ndërtuar mbi ndërtesat e ish-pronareve para vitit 1990. Dako thekson në letrën drejtuar Kryeministrit Berisha dhe Olldashit se: “Bashkia e Durrësit në bazë të kritereve dhe udhëzimeve përkatëse është disponibël për të kryer të gjitha procedurat e privatizimit të këtyre banesave në favor të qiramarrësve, duke zgjidhur në këtë mënyrë problemin e strehimit të këtyre familjeve”.

BANORËT AKUZOJNË KOMISIONIN SI “KOMISION RRUGËSH”

Banorët që jetojnë në këtë kontingjent prej 100 banesash, kanë ngritur si problem të specifikuara me emra, se të gjithë komisionarët “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave” në qytetin e Durrësit ishin në konflikt interesi, pa arsimin e lartë siç kërkohet për juristë dhe jashtë profileve të punës, pa stazhet përkatëse. Të pastrehët, sipas sekretarit Gjikë Pastërmës ngrenë si problem se edhe pasi u sekuestruan banesat, ish-pronarëve rreth 95 % prej tyre tashmë kanë qenë të strehuar me banesa të reja nga shteti komunist dhe që i kanë privatizuar me çmime simbolike prej 50-100 mijë lekë të vjetra. Ata thonë se me këto kthime, ish-pronarët janë bërë me tre palë banesa, ndërsa ata që i kanë ndërtuar vetë këto shtëpi dhe që për 50 vite kanë kontribuar dhe paguar qiratë, janë të detyruar të dalin pa shtëpi, në moshë kritike për jetën. Ata akuzojnë komisionin si të paaftë dhe të ngritur në kundërshtim me ligjet dhe porositë e dhëna. Të gjithë komisionarët, theksojnë ata, janë marrë nga rruga dhe në konflikt interesi. Sikurse janë pa arsimin e lartë, pa eksperiencë pune dhe pa jurist në komision. Ata i akuzojnë ata se kanë rikthyer edhe ato banesa që janë sekuestruar nga shteti për mospagim tatimesh në vitet 1940-1944, pa vendim gjykate, duke shkelur ligjin e sekuestrimeve të vitit 1945, udhëzimin e dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë datë  22.09.1993 nr. Prot. 5/1 si dhe vendimin e formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese.