Fshesë e madhe në Albtelekom, hidhen në rrugë 300 punonjës

656
Albtelecom, kompania më e madhe e telefonisë fikse në vendin tonë pritet të vazhdojë shkurtimet në administratë dhe në strukturat e saj. Burime të brendshme nga kjo kompani thanë për “Telegraf” se në ditët në vijim do vazhdojnë shkurtimet e ndjeshme të administratës. Numri i punonjësve që pritet të shkurtohen janë rreth 300, pra gati 1/3 e gjithë personelit. Albtelekom është kompania më e madhe e telefonise fikse dhe shërbimeve të internetit në vend. Disa javë më parë nga kjo kompani u larguan rreth 200 punonjës, por të gjithë me marrëveshje nëpërmjet stafit drejtues dhe secilit punonjës të larguar. Punonjësit përfituan paga dhe shpërblime për largimin nga postet e tyre në nivele të ndryshme drejtuese. 
Ashtu si radhën e parë këtë herë pritet të ketë edhe 300 largime të tjera. Të njëjtat burime theksuan se kompania prej disa kohësh ka ndryshuar Drejtorin Ekzekutiv i cili është edhe personi që drejton këtë reformë. Këto shkurtime kërkojnë që të bëjnë kompaninë sa më eficente me një numër më të vogël punonjësish, pasi kompania kishte fryrë së tepërmi administratën dhe strukturat e saj. Shërbimi i telefonisë mobile Eagle nuk është në pritshmëritë e aksionerëve, çka ka detyruar këta të fundit të shkurtojnë shpenzimet në këtë pjesë të kompanisë.
Këto shkurtime, të cilat me largimet e dyta shkojnë në gati 30% e totalit të punonjësve, duket se përveç qëllimeve të deklaruara për më shumë eficensë dhe kursime në këtë kohë krizash ekonomike kanë një tjetër aspekt të pa deklaruar. Kompania Albtelekom po bën një reformë në administratë për të qenë e gatshme në treg për një ndryshim të mundshëm të aksioneve dhe investitorëve të saj, thanë të njëjtat burime për “Telegraf”, çka do të thotë një shitje e saj së afërmi.
Sigal