Badërdia me faturimet e çmendura të familjarëve dhe bizneseve

619
Të dhënat e administruara pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE), të publikuar në raportin vjetor, tregojnë se numri i ankesave të konsumatorëve për vitin 2014 është i konsiderueshëm dhe relativisht më i lartë se në vitin 2013. Kështu, ERE konstaton në raport se në vitin 2013 janë trajtuar 1.359 ankesa, ndërsa për vitin 2014 janë trajtuar 2.225 ankesa. Numri më i madh i ankesave ka konsistuar kryesisht në shkelje të kushteve të përgjithshme të kontratave të furnizimit me energji elektrike për klientët familjarë dhe jo familjarë. ERE ka trajtuar dhe analizuar ankesat e konsumatorëve, duke konstatuar se pjesa më e madhe e ankesave konsistojnë në shkeljen e afatit të trajtimit të tyre siç është përcaktuar në licensën e “Furnizuesit Publik me Pakicë” dhe në shkelje të detyrimeve të përcaktuara në kontratën e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët familjarë dhe jo familjarë.
Ankesat për energji të pamatur
ERE konstaton se ankesat me objekt “energjinë e pamatur” zënë një vend të rëndësishëm në trajtimin e ankesave të ndjekura dhe nga ankesat me objekt keq-faturimin dhe mbi-faturimin. Gjatë shqyrtimit të ankesave në dokumentacionin e paraqitur nga konsumatorët, është konstatuar se nga procesverbalet e lëshuara nga kjo ndërmarrje, pjesa më e madhe e tyre është kryer jo në praninë e abonentit. Një procedurë e tillë bie ndesh me nenin 14.1 të Kontratës së Furnizimit me Energji Elektrike për Klientët Familjarë dhe Jo-familjarë, si dhe me nenin III.7.7 të Kodit të Matjes. Pjesa më e madhe e kontrolleve të ushtruara nga kompania ka konsistuar në bokse kolektive, të cilat janë në administrim të kompanisë. ERE ka konstatuar rreth 667 ankesa për “energji të pamatur” dhe rreth 563 ankesa për mbi faturim dhe keq-faturim të energjisë elektrike.
Sigal