Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Një tmerr i paharruar

33
Sigal

Atë tmerr vegjëlie,

nuk e harroj sa të vdes.

Kisha dalë nga shkolla,

në një pa pesë.

Në klasën e katërt,

me çantë mbi supe,

i uritur për misërniken,

racion buke.

Në oborrin e baxhos,

gorrica qe zverdhur,

nën hije disa kokrra,

era kish hedhur.

Zorrët në bark,

si nepërka më lëvrinë,

kapërceva gardhin,

të shuaja urinë.

Kur ende asnjë kokërr,

nuk kisha kafshuar,

m’u vërsul një qen stani,

sa një gomar i tërbuar.

Pasi lehu dy-tri herë,

me çataj të skërmitur,

më ngjeshi përdhe,

me një të vërvitur.

U tmerrova i përmbysur,

rrafsh me tokën

dhe me të dy duart,

mbështolla kokën.

Teksa prisja,

të më shqyente me dhëmbë,

në ato çaste llahtare,

më urinoi mbi këmbë…

Pastaj iku fitimtar,

pasi më kishte rrëzuar.

Ndoshta më urinoi,

se më pa të sfiduar.

Mbase shkoi i kënaqur,

që më mundi,

se nuk ishte njeri,

për plumbin e fundit.

U mahnita që më fali,

pa më gjakosur,

por frikën prej qenve,

më la të rrënjosur.

Ndonëse më thonë,

janë besnik e të zgjuar,

ai qen stani më ka tmerruar.